I prushun prej kumteve ëmbëlake në librin, “Shirat e zymtë të muzgut” të Mark Simonit

Nga Albert Vataj

“Shirat e zymtë të muzgut” është një libër i fort të çmuarit mikut tim, Mark Simoni. Një përmbledhje ëmbëlake me esse dhe opinione për librin, një përqasje e andshme e nevojës për të qenë i përshkuar nga një ndjesi magjepsjeje që të mëkon copëz pas copëze kjo ngasje përjetimi. Këtë përcikje e fillon me rrëmimet në kujtime. Ai i përgjigjet heshtjes së kohës dhe thellësisë së ikjeve me një zë përgjërues. Ndalon në pragjet ku i gërryen malli. Shkel në ato rrugë që i drithërojnë çdo nerv e jetësim. Vjen dhe ikën prej atje ku harrimi ka filluar të zhbëjë të gjitha trajtat. Diçka prej zjarri e thërret ndërsa eshkat e pritjeve thahen në diellin kohëgjatë të mungimit. Përmallet dhe përlotet e një gazi shpengues i jepet si krahëve të atyre fluturimeve që i mbetën të gdhendura nëpër fjalë dhe vargje. Thërret me zërat e ngjirur të së shkurarës në bregun shkëmbor ky thyhen dallgët dhe në pritje të një përgjigje, ndjek hapat që vala kujtimeve ka harruar t’i shlyej. Jeton ai në të gjithë kohërat dhe frymë i jep çdo gjendje lumnuese e hutimi, çdo çasti shpengues dhe faji.
Në faqet e këtij libri, njihemi gjithashtu me autorë dhe krijues, me atë madhështi epjeje që ka përfshirë këto konstelacione shpirtërore si në një magji, për t’i rrëfyer ata përmes një matshmëri artistike të jetësuar në plazmimin e asaj pene që njëjtësisht pjesëmerr në ta, si në çdo çast që ka grishur eterin e shpirtjes së perëndishëm mëkuese.
Më shumë se një cekje në çdo mëtim promovues krijuesish, ky libër është një grishje për të yshtur dëshirimet tona për t’u bërë pjesë e atyre përjetimeve, që nuk janë të tilla, yshtëse vetëm për autorin, por për çdo epje delikate që ngucat gjithë admiruesit e librit, kësaj magjie të komunikimit dhe kumtimit estetik dhe shpirtëror.
Me “Shirat e zymtë të muzgut”, Mark Simoni e përthellon afrinë me lexuesin përmes një arti të epërm komunikimi, trajtash të sojme estetike dhe asaj delikatese shprehëse që sëmbon shpirtin duke na ftuar në këto kumtime si në një gosti solemnitetesh.