I pambrojtur nga keqtrajtimi vendvarrimi i Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj-Kastrioti, Skënderbeut

Historia e mureve antike që rrethojnë vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë, nuk tregohet.

Ciceronët janë të detyruar të shmangin kalimin pranë këtyre mureve. Ndotja nga persona të papërgjegjshëm mbetet arsyeja kryesore, pas heqjes së rrethimit gjatë rikonstruksionit të sheshit 3 vite më parë.

Të njëjtën problematikë ka edhe obelisku i Besëlidhjes së Princave. Ndonëse ndodhet në qendër të qytetit, shpesh përdoret si banjo publike në mungesë të këtyre të fundit.

Kjo vlerësohet shqetësuese edhe nga bashkia. Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës, Ardian Laçi shpjegon se gjithçka erdhi pas heqjes së konturimeve që pati zona muzeale. Sipas tij, rikthimi i rrethimit është zgjidhja e vetme për të cilën tashmë pritet që projekti t’i dërgohet drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare për miratim ndërsa pritet që të zbatohet edhe projekti për ndërtimin e banjove publike.

Këto dy ndërhyrje do të zgjidhin këtë problem.

Eleminimi i këtij shqetësimi do të sjellë një tjetër rikonceptim për vizitat e turistëve të shumtë që frekuentojnë vendvarrimin e heroit tonë kombëtar. Hyrja e tyre do të realizohet pikërisht nëpërmjet mureve antike për tu krijuar atyre një ndjesi akoma më interesante për Lezhën antike. ATA /m.m/