I jepet lamtumira e fundit ish-ministrit, Luan Hajdaraga

Në nderim të figurës së ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, i cili u nda nga jeta ditën hënë, Kuvendi i Shqipërisë organizon homazhe në sallën e seancave plenare. Shumë figura e personalitete të njohura të politikës shprehën ngushëllimet familjarëve të ish-ministrit të Mbrojtjes ditën e djeshme, duke e cilësuar si një humbje të një eksponenti më të madh në Partinë Socialiste që në fillimet e saj. Si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga njihet si një nga personalitetet, i cili dha një kontribut të paçmueshëm në Partinë Socialiste. Në ceremoninë që u zhvillua dje në sallën e seancave plenare, kanë marrë pjesë Presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, disa ministra të kabinetit “Rama 2”. I pranishëm në ceremoni ishte dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Luan Hajdaraga.

Rama në ceremoninë e homazheve

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë dje në ceremoninë e homazheve që u zhvillua në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Kryeministri Rama ka takuar familjarët dhe u ka shprehur ngushëllimet, si dhe ka nderuar figurën e tij. Kryeministri ka zgjedhur të mos flasë për gazetarët.

Kryemadhi përlotet: Hajdaraga më ka inkurajuar!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në fjalën e saj para hyrjes në ambientet e Kuvendit, tha se Hajdaraga do kujtohet, më së shumti nga Partia Socialiste. Kryemadhi është përlotur kur u pyet nga gazetarët për rolin e Hajdaragës në jetën e saj. “E kam takuar Luanin kur kam qenë fëmijë. Luani më ka inkurajuar në shumë gjëra. Hajdaraga solli ndryshim në PS. Ikja e parakohshme, e dhimbshme, do na mungojë shumë të gjithëve, por më së shumti PS-së. Sot jemi këtu për të thënë vlerat që ka Luani, e klasës politike po i largohen”, u shpreh Kryemadhi. Në një mesazh në rrjetet sociale, Kryemadhi ka vlerësuar cilësinë njerëzore të ish-minsitrit, Luan Hajdaraga. “Nuk ka lamtumirë për ty miku im Luan! Një njeri dhe qytetar i mirë si ty mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Ne ishim miq dhe bashkëpunëtorë të mirë. Edhe pse rrugët tona politike u ndanë, ti asnjëherë nuk ndalove duke më motivuar. Sa herë takoheshim i dëgjoja me ëndje këshillat e tua, mbrujtur në mirësi. Kurrë se kam kuptuar nga të buronte gjithë ajo mirësi, por sot që nuk je fizikisht pranë nesh e kam të qartë që është nga gjërat që do të na mungojë më shumë. Nuk do të të harroj Luan Hajdaraga, edhe sepse duam apo s’duam ti ndikove në ndryshimin e Partisë Socialiste në atë kohë kur ajo kishte frikë të ndryshonte. Ti përkrahe të rinj e të reja në ato vite që sot kanë bërë emrin e tyre. I përkrahe duke iu treguar që të jesh vetvetja është më e suksesshme se të jesh servil. Të duam LAKE e do na mungosh prof. Luan Hajdaraga”, shkruan Kryemadhi.

Ish-ministrja Arta Dade: Përvoja e tij u la në harresë

Në Sallën e seancave plenare u mbajtën dje homazhet në nder të ish deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Profesori i njohur u nda nga jeta paraditen e djeshme. Ndër mesazhet ngushëlluese për humbjen e socialistit Hajdaraga dallon ai i ish ministres dhe deputetes të Partisë Socialiste Arta Dade. Dade, një nga figurat e njohura dhe me peshë në Partinë Socialiste për vite me radhe shkruan: “Sa dola nga salla ku i dhashë lamtumirën e fundit Luanit. Dëshpërim i përzier me kujtime të bukura për pedagogun e ardhur nga studimet jashtë vendit që rrëmbeu admirimin tonë. Koha na bashkoi në fillimet e Partisë Socialiste. Mësoje nga Luani qetësinë, kompromisin, dashamirësinë e pozitivitetin edhe kur problemet dukeshin të vështira. Drejtuam bashkë Ministrinë e Jashtme me përkushtim, profesionalizëm, respekt për njerëzit që iu përkushtuan diplomacisë si rrallë herë. Uroj ta ketë pasur të lehtë shqetësimin që shumë herët kapacitetet dhe përvoja e tij u lanë në harresë. I paharruar mik i mirë, Luan!”,- u shpreh Arta Dade.

Ermelinda Meksi: Njeriu që ndihmoi për një PS europiane

Ish-ministrja e PS, Ermelinda Meksi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe themeluesit të PS, Luan Hajdaraga. “Lajm shumë i trishtë  largimi i parakohshëm nga jeta i mikut tonë të dashur, intelektualit të shquar, njeriut të paqtë, të urtë dhe të ditur Prof. Luan Hajdaraga. Ai qe një nga themeluesit e Partisë Socialiste me kontribut të çmuar në formësimin e saj në një parti të majtë moderne europiane. Urtësia dhe fjala e tij e mençur do të na mungoje shumë të gjithëve, veçanërisht ne miqve të tij që punuam së bashku prej vitesh. Ngushellimet më të ndjera bashkëshortes Elsa, vajzës e djalit të tij për humbjen e bashkëshortit e babait të shtrenjtë, si dhe të afërmeve e miqve të tij të panumërt! I paharruar miku ynë i mirë Luan!”,- shkruan ish-ministrja Ermelinda Meksi.

Presidenti Meta: Hajdaraga do të mbetet gjithmonë i gjallë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi dje homazhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në nderim të jetës dhe veprës së ish-Ministrit dhe ish-deputetit Luan Hajdaraga. Presidenti Meta, pasi u përkul me respekt para trupit të pajetë të të ndjerit duke vendosur një kurorë me lule, i përcolli famijes Hajdaraga ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta për këtë humbje të parakohshme të njeriut të tyre të dashur.

Në prani të mediave Presidenti i Republikës u shpreh për bashkëpunëtorin e tij të vjetër duke theksuar: “Duket si një moment që nuk i takon botës reale për arsye sepse kujtimet me të janë kaq të shumta dhe kaq të jashtëzakonshme. Ai ishte kaq mendjehapur dhe po kështu me një sens të lartë humori saqë vërtet për mua do të mbetet gjithmonë i gjallë, i këndshëm dhe një njeri i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë e tij dhe gjithmonë mjaft miqësor me të gjithë.”

Ish-deputeti- Dokle: Iku nga ne një intelektual i vërtetë

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle kujton kohët e vështira kur punoi me ish-ministrin e Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Përmes një postimi në “facebook”, Dokle shpreh dhimbjen nga ndarja e parakohshme nga jeta të ish-kolegut të tij, në kohën kur PS ishte në opozitë. “Dhimbje dhe trishtim të madh të shkakton një vdekje si ajo e mikut tim Luan Hajdaraga. U nda na ne një njeri qe edhe për shumë kohë mund të vazhdonte bashkëudhëtimin me ne. U nda nga jeta një mik dhe koleg, me të cilin punuam bashke në kohërat më të vështira të opozitës, por njëherësh edhe në kohen që idealet e së drejtës, lirisë dhe demokracisë së vërtetë, gjallonin e na jepnin forcë e besim për të mos u ndalur. Nuk do ta kemi me mes nesh njeriun e mire dhe pa hile, intelektualin e vërtetë dhe jo të manipuluar, politikanin, sa të qetë aq edhe të vendosur, sa të thjeshte aq edhe vizionar. Të punoje përkrah me Luanin, ndjeje siguri dhe shpresë, qetësi dhe besim. Lamtumire, mik i dashur!

Kryetari i BDI në Maqedoni- Ali Ahmeti: Hajdaraga na ndihmoi në ditë të vështira

Dhimbje për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës kanë shprehur edhe shqiptarët përtej kufirit. Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, zhvilloi homazhe në nderim të Hajdaragës në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Ai u shpreh se ish-ministri i Mbrojtjes ka qenë një mbështetës i fortë i shqiptarëve të Maqedonisë duke i ndihmuar ata në ditët e tyre më të vështira.

“Shpreh keqardhjen, dhimbjen për z.Hajdaraga. E kam njohur në një periudhë shumë të vështirë. Kur ishte ministër i Mbrojtjes ka qenë krah nesh dhe na ka ndihmuar me të gjitha mundësitë që ka pasur gjatë asaj kohe. Kjo miqësi ka vazhduar deri në ditët e fundit përpara se të merrte atë goditje që e mori përjetësisht. E kujtoj si një njeri shumë të madh, shumë të afërt, shumë bashkëpunues dhe i lehtë i qoftë toka e Shqipërisë”,- tha për mediat, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.