Humbja e zgjedhjeve, Basha nuk dorëhiqet, grupi kundër tij përgjigjet flakë për flakë: Ngrirja e funksioneve shkel statutin e PD

Revoltë brenda PD-së, 89 funksionarë kërkojnë dorëheqjen e Bashës si kryetar

Pas humbjes së thellë që arriti në zgjedhjet e së dielës, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar tashmë ka plasur lufta brenda Partisë Demokratike, pasi fillimisht 19 anëtarë të Kryesisë së PD-së, por më pas edhe të gjithë të përjashtuarit kërkojnë ‘kokën’ e Lulzim Bashës. Mes 89 demokratëve që kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës është edhe dhëndri i ish- kryeministrit Sali Berisha. Ata fajësojnë Bashën si përgjegjës kryesor për humbjen e thellë, ndërsa shtojnë se vendosi listën në shkelje të normave statutore duke hequr përdhunshëm simbolet e PD dhe mbjellë përçarje. Bëhet fjalë për  dy grupe funksionarësh të Partisë Demokratike kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Lulzim Basha, ku njëri grup përbëhet nga anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së, ndërsa grupi tjetër nga ish deputetë të cilët nuk u rikandiduan apo ish zyrtarë të lartë të kësaj force politike. Në të dy kërkesat theksohet se Basha është përgjegjës për rezultatin që sipas tyre është katastrofik, ndërsa theksohet se ai nuk përfill forumet vendimmarrëse të partisë. Basha akuzohet dhe për heqje të përdhunshme të simboleve të partisë demokratike dhe percarje të strukturave. Si firmëtar i kërkesës për dorëheqjen e Lulzim Bashës, bie në sy ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj apo anëtari i kryesisë, Jamarbër Malltezi, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha. Zyrtarët e Partisë Demokratike kërkojnë fillimin e një procesi të menjëhershëm analizë dhe zhvillimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës, për zgjedhjen e kryetarit të ri. “Tani që përfundoi numërimi i çdo kutie të këtij procesi zgjedhor të vështirë dhe të ndotur nga paratë e pista të drogës dhe kërcënimeve të papranueshme për një shoqëri të lirë, dëshirojmë që në radhë të parë të falenderojmë komisionerët dhe numëruesit e PD që kanë qenë heronj, dinjitozë dhe qëndrestarë në këto momente të vështira për PD dhe procesin zgjedhor. Humbja e thellë e PD në këto zgjedhje na detyron marrjen përsipër të përgjegjësive. Lulzim Basha kryetari i PD është përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje. Për më tepër Kryetari i Partisë ka marrë përsipër personalisht, në shkelje të normave statutore hartimin e listës së deputetëve dhe programin e fushatës, duke hequr përdhunshëm simbolet e PD dhe mbjellë përçarje të pamerituar me etiketimet “ky është i republikës së vjetër deri tek 22 vjeçaret e FRPD”. Basha bëri një fushatë për Listën Basha duke mos reflektuar asnjë nga shqetësimet dhe kauzat kryesore të opozitës si kriminalizimi i parlamentit dhe administratës, droga, koncesionet etj dhe në përputhje të plotë me fushatën e PS. Prandaj, Kryetari i PD Lulzim Basha si përgjegjësi i kësaj humbjeje duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë rinovimit të PD dhe bashkimit sa më të gjerë të saj!”- thuhet në letrën e parë publike të grupimit kundër Bashës. Në listën e 93 funksionarëve të Partisë Demokratike që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës, mungojnë dy deputetë të cilët këtë kërkesë e artikuluan publikisht para fillimit të fushatës elektorale, Jozefina Topalli dhe Arben Imami. Gjithashtu pjesë e listës nuk është bërë dhe deputeti Eduart Selami, i cili pavarësisht se në shumë çështje nuk ka qenë dakord me Lulzim Bashën, e mbështeti në fushatën elektorale duke kërkuar t’i jepet fund debatit për listat. Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit, Selami tha se Partia Demokratike është në një gjendje të vështirë.

Deklarata e Dytë

Por vetëm pak momente pas shpalljes së 2 listave që kërkojnë dorëheqjen e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat. Ai kaloi kundërsulm duke akuzuar ata që nuk kanë punuar për fitoren e PD. “Bilancin tim e bëjnë demokratët, jo ata që u ngritën kundër kur humbën kolltuqet. Kush ka gabuar nuk e përcaktojnë ata që nuk punuan asnjë ditën për fitoren e PD. Këtë do ta përcaktojnë demokratët”, tha Basha. Menjëherë pas këtij reagimi, grupi prej 19 anëtarësh i kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, ju përgjigj Bashës me një tjetër qëndrim publik. “Pasi u njohëm me qëndrimin e Zotit Lulzim Basha, konstatojmë se shkeljet e Statutit nga ana e tij vazhdojnë: Vendimi i marrë prej tij për vetëngrirje të funksioneve të Kryetarit është në kundërshtim me Statutin e PDSH. Vendimi për delegimin e kompetencave është po kështu antiStatutor. Deklarata për të qëndruar dëshmon që nuk reflekton për përgjegjësinë e tij për humbjen e thellë të PD. Demokratët nuk do t’ju lejojnë!”, thuhet në deklaratën e dytë të grupit prej 19 anëtarësh të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së.

Genc Ruli i përvishet Bashës: Dil nga selia e PD, bashkë me gruan dhe kunatin

Ish-ministri i Partisë Demokratike, Genc Ruli ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj lideri të opozitës, Lulzim Basha, pas qëndrimit të këtij të fundit për humbjen e zgjedhjeve. Ruli mes të tjerash teksa kërkoi dorëheqjen e Bashës, u bëri thirrje mbështetësve të PD-së që ta përzënë kreun e opozitës nga selia, bashkë me gruan dhe kunatin, Erjon Isufi. “Kam dashur të besoj se njeriu qoftë, ky politikan apo lider dhe në momentin më të vështirë të jetës së tij, do përpiqej të paktën të ruante dinjitetin individual. Se dinjiteti jeton më gjatë se çdo lavdi e mjerë e çastit. Basha me deklaratën e tij justifikuese e banale tregoi që dinjiteti personal është gjëja më e fundit që e shqetëson atë. Normalisht për një individ që e mori “lidershipin” e PD si dhuratë në “pajë” nga Berisha dhe që i bëri programet e listat jo me zyrtarët e PD, por me gruan e kunatin. Ky lider që bëri një marrëveshje turpi me kundërshtarin e tij politik. Thjesht duke kalkuluar interesin e vetvetes e jo të PD. Ky sot duhej vetë të deklaronte largimin pa asnjë kusht nga drejtimi i partisë që e çoi në gremine. Ju them atyre që ende e duan PD e jo që ende ju duhet PD, nqs ai nuk jep dorëheqjen vetë deri nesër shkoni te selia e PD e përzejeni atë, gruan e kunatin, siç përzuri Jezusi tregtarët nga Tempulli”- deklaroi mbrëmjen e djeshme Genc Ruli.

Arben Imami thirrje demokratëve: Të largojmë Bashën, humbja e PD ishte e hatashme

Ish- ministri dhe ish- deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami ka komentuar humbjen e Partisë Demokratike dhe ngrirjen e funksioneve të Lulzim Bashës, pas humbjes. Gjatë një lidhje telefonike për emisionin ‘Studio e Hapur’, Imami tha se Basha duhet të largohet pasi ka humbur zgjedhjet dhe kjo është një hata. “Deklarata e Bashës per ngrirjen e funksioneve, pa asnjë realitet. Basha duhet të largohet pasi ka humbur zgjedhjet dhe kjo është një hata. Vendimet e Lulzim Bashës janë në shkelje të statusit të PD. Basha do të shkatërrojë PD-në dhe ai duhet të largohet nga posti i kryetarit të PD. Nëse Basha do të uzurpojë postin, ne do reagojmë” –tha Imami. Ndër të tjera, Arben Imami tha se Sali Berisha nuk është përgjegjës për humbjen si dhe për fushatën që ka bërë Lulzim Basha. “Humbja është ngjarja më e rëndë për PD që nga themelimi dhe ajo pritej. Berisha nuk është përgjegjës për fushatën e PD dhe dashurinë në distancë mes Ramës dhe Bashës. Berisha nuk ka qënë kundër simboleve të PD. Është çështje e Berishës se cili do jetë qëndrimi i tij. Problemi qëndron tek kryetari aktual, pasi nuk është Berisha ai që krijoi ketë situatë”- tha mbrëmjen e djeshme Arben Imami.

Majlinda Bregu ‘dhëmbë për dhëmbë’ me Bashën: Gjej kurajo dhe dorëhiqu

Reagimeve të ashpra ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha i është bashkuar edhe demokratja e lënë jashtë listave të zgjedhjeve, Majlinda Bregu. Ajo fajësoi Bashën për 190 mije vota minus të PD-së, mes të tjerash ajo i kërkoi Bashës dorëheqjen. Bregu është ndalur edhe tek deklarata e sotme e zotit Basha, për ngrirjen e postin, deri në zgjedhjet e reja për kreun e ri të PD. Sipas Bregut, “ngrirja” nuk është as akt juridik as statutuor dhe as politik. “Folën Shqiptarët me 25 Qershor! Demokratët thirren edhe më fort me mungesën e tyre! 190 mijë vota minus! Lulzim Basha belbëzoi zëmekur “ngrirjen” e tij duke ua lënë fajin të tjerëve! E para, “Ngrirja” nuk është as akt juridik as statutuor dhe as politik! Lulzim Basha i doli për Zot listës dhe vendimeve të tij! I doli për Zot standartit të zgjedhjeve me përfshirjen e ministrave në Qeveri! I doli për Zot kontrollit e drejtimit të ndërmarrjeve me buxhet financiar për “të mbyllur” rubinetin e përdorimit të parave publike në fushatë! I doli për Zot projektit të tij të Republikës së Re me premtimin se do ishte KM i saj! I doli për Zot mitingjeve dhe një fushatë pa shpirt, pa frymë duke e quajtur më të mirën e me masiven që kishte parë PD! Ai Njësh-i , në Isha-t! Ai I dlirë, ne mëkatarë! Sot duhet t’i dilte për Zot, Dorëheqjes së tij si përgjegjësi i vetëm për katastrofën e pamerituar në të cilën gjendet sot PD! Si përgjegjësi i vetëm për shkatërrimin e strukturave dhe mospërfilljen e forumeve vendimmarrëse të PD! Por prej sot, duhet t’i dalë për Zot dhe akuzave plot dramacitet infantil për kurthe e armiq klase! Give me a break Lul! In defeat, defiance! Në humbje, mosbindje! Nuk përpjestohet humbja! A do gjesh ndonje ditë kurajo t’i thuash vetes të vërteta para pasqyrës?”- deklaroi Majlinda Bregu

Topalli i sulet Bashës: Humbje katastrofale, je tinzar. Po asgjëson PD

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cila u la jashtë listave për këto zgjedhje, ka reaguar ashpër ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha, duke ia adresuar personalisht atij humbjen në 25 qershor. Me anë të një statusi në faqen e saj të ‘Facebook’-ut, Topalli pohoi se kjo është kohë dramatike për PD-në. Mes të tjerash ajo theksoi se Basha po e çon Pd-në në greminë. “Në një kohë dramatike për Partinë Demokratike, pas një humbje katastrofale personale të Lulzim Bashës, ka një emergjencë për demokratët. Partisë Demokratike duhet me i dal zot. Në një situatë si kjo, kur Lulzim Basha nuk pranon të marrë as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, (pasi e çoi buzë gremine PD), reagimi i tij është hilecar, tallje, tinzi, banalitet dhe papërgjegjshmëri e frikshme që mund të çojë në asgjesimin total të PD. Në këto kushte. Nëse Basha nuk jep dorëheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike, me synim kthimin e PD-së demokratëve. Ngrirja qesharake, antistatuore është akt amoral, është fshehje nga faji e përgjegjësia. Fyerja që i bëri demokratëve që kërkojnë të shpëtojnë nga asgjesimi Partinë për të cilën kanë punuar në vite është e paprecedent dhe e pafalshme. Sa për dinjitetin që kërkonte momenti kjo s’ka lidhje me Lul Bashën. Ai ka qenë përherë i rremë. Edhe sot. Ai është “i paaftë për t’u turpëruar.””- deklaroi dje Topalli.