Hot e Grudë, të mohuara dhe të harruara trevat më me traditë patriotike dhe atdhetare në Malësinë e Madhe

NGA FAHRI XHARRA

Nuk po kërkoj as që po lypi shqiptar në Mars, nuk më shkon mendja se po e kërkoj të pamundurën – thjesht një thirrje për të mos u shkombëtarizuar ata që kanë mbetur në ato anë. Jemi një. Edhe pse historia ishte e pamëshirshme për ne: na “ndanë e na copëtuan”. Pse në thonjëza ”na ndanë e na copëtuan”? Asgjë më tepër se një rivizatim në hartën gjeografike që u krye, një rivizatim me dhunë e me terror , një rivizatim grykësie. A mos është ky një nacionalizëm romantik imi? Jo, sepse edhe në kohërat e ndarjeve dhe copëtimeve i kishim miqtë tanë që nuk munden ndryshe të veprojnë, përveç në ruajtjen e shënimeve për ne se ku ishim dhe ku mbetëm. Tokat ”lëvizin”. Nuk i dihet.

Malësia e Madhe është pjesë e trojeve shqiptare dhe shtrihet në lindje të Podgoricës (Mal të Zi) e vazhdon deri në pjesën veriore të Liqeni i Shkodrës, duke përfshirë një pjesë të mirë të Qarkut Malësi e Madhe në Shqipëri. Është zonë malore me lartësi mbidetare midis 800 e 1700 m. Në tërë këtë hapësirë rrjedh lumi i Cemit, i cili buron nga Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna) dhe derdhet në Moraçë. Kjo krahinë shqiptare shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë, që nga Shala deri te Shpella e Berishës në brigjet e lumit Moraça. Në Mesjetë ky regjion njihet si Pulti ose Pulati në dokumentet Bizantin. Ky regjion ka një popullsi autoktone shqiptare. Qendra kryesore është Tuzi në Mal të Zi, kurse Kopliku në Qarkun Malësi e Madhe në Shqipëri (malesia.eu).

Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe

Hoti është zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare dhe tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me “Certi Hocti” (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali. Malet më të njohura në këtë zonë janë Bukoviqi dhe Cemeri. Objekt fetarë më i rëndësishëm është kisha në brigje të Hotit. Në të kaluarën ilire kjo zonë ishte e pjesë e “Maleve të Labeatëve” (mons labeatis). Me pushtimet romake bie nën administrimin e vendasve (në varësi romake). Shënohen edhe rebelët me Balshaj rreth fillimeve të shek. XV (Balshajt ishin kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e taksa). Me 1415, këta “rebelë” gjetën strehim pranë venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan edhe me të holla (Kolec Traboini). Në vitin 1417 gjenden emërtime të ndryshme si “Otto” ose “De Hottis”. Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet për luftë guerilase kundër princërve të Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit. Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës së lartë (superiore) me iniciativën e Stefano Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vete me një kryetar, emërua pastaj Vojvodë, i cili është në bashkëpunim me Venecian. Pak më vonë, ka një emigrim në Siçili, ku përkon me pushtimin turk, ndoshta për t’u shpëtuar reprezaljeve. Edhe sot në Siçili (Itali) gjinden rrallë mbiemra Hoti. Më 1479, kur sulltan ishte Mehmeti i dytë (1451-1481) Perandoria Osmane e pushton Malësinë dhe nga kjo zonë formon nahinë e Hotit. Nën pushtimin osmanë popullsia e prirë nga feudalët zhvillojnë disa kryengritje e luftëra ndër vite: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869. Thjesht një tokë e papërkulur; dhe që i bëri ballë deri edhe me sot shkombëtarizimit.

Sipas traditës popullore të Malësisë, të parët e këtyre fiseve shqiptare ishin nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilët ishin detyruar të shpërnguleshin drejt jugut pas invazionit sllav dhe më vonë pushtimit osman, dhe ishin vendosur në këto anë. Pikërisht eposet e kreshnikëve shqiptarë (Cikli i këngëve Muja dhe Halili, nga Lugjet e Verdha (Jutbina) diku në Kroaci ose Bosnje) e vërtetojnë më së miri tezën se iliro-shqiptarët ishin deri vonë prezent në brendësi të Bosnjës dhe Hercegovinës. Tradicionalisht besohet se në fillim ishin 12 fise shqiptare të Malësisë; Kelmendi, Hoti, Gruda (Sumasi), Shkreli, Kastrati, Trieshi (Triepshi), Piperi, Kuçi, Vasojeviçi, Krasniqja, Gashi dhe Bytyçi. Sipas legjendës i pari i tyre që erdhi ne Malësi quhej KEQ PREKA dhe kishte 5 djem; Lazar Keqi (Hoti), Ban Keqi (Trieshi), Kras Keqi (Krasniqi), Piper Keqi (Piperi), dhe Vaso Keqi (Vasojeviçi).Trieshi ishte vëllai i vogël i Hotit ndërsa Piperi dhe Vasojeviçi me kalimin e kohës u sllavizuan plotësisht, sikurse një pjesë e Kuqit, kurse Krasniqi me ardhjen e turqve u islamizua.

Gruda, një regjion malor në jugun e Malit të Zi

Vlen të sqarohet se për kuvende të përbashkëta hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre vjen viti i zi, 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe Hotin, ku mjerisht kjo dhuratë ju bë Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo ndarje në Evropën e re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për vendin e tyre, çfarë do të thotë t’i dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913 është pjesë e komunës Kastrat. Me ndryshimin e parë të kufirit malazez-turk të vitit 1876, një pjesë e Malësisë së Madhe – Koja e Kuçit dhe Trieshi, mbetën nën sundimin malazez. Kurse në Konferencës e Londrës të vitit 1913 u vendos që Malit të Zi t’i jepeshin edhe krahinat e tjera shqiptare që ka sot dhe në këtë mënyrë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë. Kufirin shtetëror shqiptaro-malazez do ta vendosi Komisioni Ndërkombëtar i drejtuar nga rusi Sergej Potapov (nga Tomorr Toplica). Gruda është një regjion malor në jugun e Malit të Zi. Gruda është saktësisht në veri të Liqenit të Shkodrës me kryeqendër Tuzin, vendi më i banuar në Malësi. Gruda në përbërjen e saj ka Romano-Katolik dhe mysliman të cilët jetojnë në Tuzi dhe në fshatrat Milesh dhe Dinosha. Kisha e Grudës është në Priftën dhe si e tillë njihet edhe si kisha më e vjetër në këto anë (1528) dhe është shenjë mbrojtëse për shqiptarët, sepse është referenca më e qartë e vazhdimësisë shqiptare në këto anë. Historikisht së bashku me Hotin, vëllezërit fisnorë ,Gruda ishte në shënjestrën turke. Malet në verilindje të Tuzit janë dëshmitaret e vërtetë të kryengritjeve më të mëdha kundër turqve për gjatë hapave historikë për Pavarësinë e Shqipërisë dhe jo rastësisht aty shënohen momentet më të dalluara të rezistencës së Shipërisë veriore. Gruda dhe Dinosha ishin në fokusin e luftës kundër Imperatorisë Otomane dhe Malit të Zi përgjatë vitit 1880. Viti 1911 është i njohur për Kryengritjen e Madhe të Deqiçit, nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit dhe Sokol Bacë Ivezajt duke e ngritur flamurin shqiptar për herë të dytë pas vitit 1469. A nuk është kjo ngjarje për t`u mos harruar? Në gjysmën perëndimore të Grudës ngrihet Mali i Deçiqit dhe rrjedhë Lumi i Cemit nëpërmjet Grudës, duke e ndarë Deçiqin prej Sukës dhe duke formuar kufirin në mes tokave të fiseve të Grudës ati Kuçi. Gruda është vendlindja e legjendës Smjl Martini Ivezaj dhe bijës së tij Tringës (të gjithë kemi dëgjuar për Tringën e Grudës), pastaj për Dedç Nikç Ivezaj, Zef Martini Ivezaj ( Zef Martini i Grudës), Bac Vuksanin, Sokol Bacin. Kemi dëgjuar edhe për qytetësen e Mileshit, vendlindjen e Bac kurt Gjokajt, Mehmet Murat Gokajt, Halil Hakajt i Dinoshës, etj.

Tuzi, qyteti më i rëndësishëm i Malësisë

Më duhet të përmend Tuzin e Malësisë, i cili është edhe sot qyteti më i rëndësishëm i Malësisë. Shqiptarët e sotëm të Tuzit janë nga fiset Hoti, Gruda, Trieshi dhe Kuçi. Në lutjet e tona të përditshme, shqiptarët nuk e përmendim atdheun. I lutemi Zotit, i kërkojmë falje për gabimet e bëra. I lutemi të na dhurojë pasuri, fat dhe mirëqenie…A e keni dëgjuar kënd të lutet për atdheun? Askush nuk na mësuar për një lutje të tillë. Nuk i lutemi Zotit që ai t`na shpëtojë kombin, atdheun. Nuk i lutemi Zotit të na shpëtojë nga zhbërja. Nuk i lutemi Zotit që të na ruajë kombin. Viktimë është vetë historia. U nguta ta përfundoj këtë shkrim se nuk i dihet:”Nata bars e dita plle”, thoshte një fjalë e urtë popullore. Nuk i dihet, le të mbesë si e tillë e shkruar se ndoshta një ditë do të zgjohemi dhe të lexojmë se “edhe Hoti e Gruda nuk u morën pa dëshirën tonë. Në pajtim me “miqësinë “e mirë fqinjësore me Malin e Zi e në bashkërendim me “administruesit miqësorë” u pajtuam që edhe Hoti e Gruda të ndahen nga trungu.” Ne duhet të ”bindemi ” se ”të dhënat historike shqiptare, sipas historianeve, kanë qenë nën ndikimin e regjimit komunist të gjysmës së shek. XX dhe nga propaganda nacionaliste gjatë Rilindjes kombëtare” dhe si të tilla ato duhen të ndryshohen, sepse “ideologjia zyrtare e komunizmit diktonte që çdo realitet i krijuar nga sundimi i jashtëm duhej cilësuar si i erret dhe të urrehej gjithmonë.” Çfarë arsyetimi i paskrupullt? Kur humb vetëdija, humbet edhe historia:”Nata bars e dita plle”. E kuptuam?