Historia prekëse e Nënë Terezës. Pse e refuzoi regjimi i Enver Hoxhës ardhejn e saj në Shqipër

Ambasada shqiptare në Romë kishte marrë një letër nga një murgeshë katolike me qendër në Kalkuta të Indisë, e quajtur Nënë Tereza. Themeluese e urdhrit që mbante merin e saj, shumë e njohur në Europë, ajo kishte kërkuar t’i jepej leje nënës së saj 80-vjeçare që të vinte në Romë për kurim.

Nënë Tereza sqaronte se qe larguar nga Shqipëria në vitin 1928 dhe se nëna Drane dhe motra Age jetonin në Shqipëri. Ajo nuk e kishte parë asnjëherë që nga ikja 30 vjet e ca më parë. Kjo ishte dhe mundësia e fundit të kujdesej për të, ta shihte e t’i puthte duart përpara se të ikte nga kjo jetë. Letra qe nënshkruar dhe nga i vëllai, Lazer Bojaxhi, që jetonte në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i mbretit Zog, i ikur që gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E lindur në një familje shqiptare të Shkupit, Gonxhe Bojaxhiu ishte transferuar bashkë me familjen në Shqipëri pas kalimit të Shkupit në Mbretërinë e re Serbo-Kroato-Sllovene. Ajo vetë kishte zgjedhur rrugën e Zotit. Qe dorëzuar murgeshë me emrin nënë Tereza dhe pas një qëndrimi në Irlandë, ishte vendosur në Kalkuta të Indisë. I vëllai , Lazer Bojaxhi, pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, qe larguar drejt Italisë dhe ishte vendosur në Palermo ku jetonte i martuar prej vitesh.

Babai i Bojaxhinjve vdiq herët, por nëna Drane dhe motra Age vijuan të jetojnë në Shqipëri në kushte relativisht të vështira. Sa më shumë Nënë Tereza bëhej e njohur, aq më shumë ato e fshihnin afërsinë me të. Përpiqeshin të mos e përmendnin duke pasur frikë nga ndëshkimi i shtetit komunist që nuk e toleronte fenë. Në vitin 1959 nënë Tereza dhe vëllai i saj Lazer u takuan në Romë. Takimi i tyre pas 31 vitesh ngërthente një peng”faktin që të dy bashkë kishin vite pa parë motrën dhe nënën që jetonin në Shqipëri. Prej më se dhjetë vjetësh Nënë Tereza nuk kishte pasur ndonjë letër prej tyre. Më së fundi ajo mori vesh se ato jetonin në Tiranë, porse u lejohej të shkruanin vetëm një herë në muaj, edhe pse letrat kalonin në duart e censurës komuniste.

Në mes të viteve 60-të nëna Drane u rëndua dhe të dyja bashkë nënë e motër, i kërkuan Lazrit t’u dërgonte disa barna. Lazri mendoi se ardhja e nënës për një muaj në Itali do ishte zgjidhja më e mirë. Të dy bashkë i drejtuan një letër Ambasadës italiane.

Ambasadori shqiptar i thirri ato në një takim dhe i komunikoi se gruaja plakë nuk mund të largohej nga Shqipëria, sepse niveli i spitaleve në Shqipëri ishte shumë i mirë dhe ata që ishin larguar nga Shqipëria duhej ta kishin marrë parasysh mallin që do kishin.

Por rasti i Nënë Terezës, i bërë publik në media preku dhe shumë vetë. Në harkun e dy viteve pothuajse të gjitha vendet që kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë i kërkonin Ministrisë së Punëve të Jashtme të bënte diçka: për plakën kërkohej vetëm një leje 30-ditore dhe kjo mund të jepej. Në mungesë të përgjigjes pozitive, Nënë Tereza tentoi të kërkonte një leje për të hyrë në Shqipëri vetëm një javë.

Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë” do të shkruante se për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot në faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha:”O Zot, unë e kupto dhe pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shteme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë dhe njëherë”.

Nënë Tereza iu drejtua privatisht Hoxhës duke i thënë se për këtë çështje shprehte interesim presidenti De Gol si dhe Zhakline Kenedi. Ata i luteshin Hoxhës që në emër të humanizmit, të ndërhynte vetë për të dhënë leje speciale.

Hoxha duhet të jetë ndjerë keq. Ai thirri Kadri Hazbiun dhe i kërkoi më shumë të dhëna për një murgeshë me emrin nënë Tereza dhe sqaroi se ajo ishte një agjente e rrezikshme.

Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk reshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të globit, por pa sukses.

Më 14 korrik 1972 nënë Tereza mori një telegram, në të cilën i vëllai i shkruante: “Lutu për loken që ndërroi jetë më 12 korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej 45 vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë mbishkrim:

“Gonxhe të puth Nanëlokja”.

Agia, motra e tyre mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973.

Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj para se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com