Historia ndryshe. Si nisi konflikti i Stalinit me Titon dhe Konflikti i Enver Hoxhës me Titon, çarje mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, etj

Diktatura, kur frynin erërat e revoltës

Duhet të gjendeshin ato figura të përshtatshme që do të bashkonin këto grupe, do të sheshonin kontradiktat dhe luftën për pushtet. Në Uashington mendonin se figura të tilla mund të ishin Abaz Kupi, nga ruajalistët, Jani Dilo, nga Balli Kombëtar, ose Ismail Vërlaci, nga Blloku Indipendent Nacional.

Dr. Stavri J. DAJO

Historia ndryshe
Politika e Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë pas konfliktit të Enver Hoxhës me Titon sipas pikëpamjes së studiuesit Stavri Dajo, mbështetur në arkivat amerikane dhe sovjetike. Tabloja e revoltës që përgatitej nga grupet shqiptare në emigrim për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës

Si nisi konflikti i Stalinit me Titon
Konflikti i J. V. Stalinit me J. B. Titon e ka fillesën që në fillimet e vitit 1945, kur një delegacion jugosllav i nivelit të lartë vizitoi Kremlinin dhe i parashtroi qeverisë sovjetike politikën e jashtme të shtetit të ri federal jugosllav. Sipas planit idemadh jugosllav Federata Jugosllave do të përfshinte gjithë pjesën e Maqedonisë (madje edhe Maqedoninë e Egjeut, deri në Selanik, dmth territoret greke) si dhe, në një të ardhme jo të largët, parashikohej krijimi i Konfederatës Ballkanike me bashkimin konfederativ të Jugosllavisë, Bullgarisë, Shqipërisë, pse jo edhe të Greqisë dhe Rumanisë, sipas modelit federal jugosllav. Stalini u shqetësua seriozisht nga ambicjet nacionaliste të Beogradit dhe nga fodullëku politik i Titos dhe, pa humbur kohë, informoi në Moskë Gj. Dimitrovin për planet jugosllave dhe shprehu indinjatën dhe kundërshtimin e vet të prerë për këto synime shoviniste të tij. Stalini mendonte se me autoritetin e padiskutueshëm si luftëtar antinazist, Titoja mund të shndërrohej në një kundërpeshë serioze në Ballkan dhe, për pasojë, BS mund të humbiste këtë zonë strategjike të influencës. Plaku i Kremlinit pranoi me nervozizëm edhe vendimet që u morën në Bled në verë të vitit 1947 dhe i hoqi veshin Gj. Dimitrovit për deklaratën e tij të papeshuar “që vinte në rrezik gjithë kampin socialist”. Stalini, pa mëdyshje, u shpreh kundër idesë së krijimit të Konfederatës së Ballkanit dhe nuk mund të lejonte asesi një zhvillim të tillë të cilin Kremlini nuk mund ta kontrollonte drejtpërdrejt dhe tërësisht.

Konflikti i Enver Hoxhës me Titon, çarje mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë
Madje, duke parë prirjet qendërikëse të Beogradit dhe sidomos pas sinjalit të Tiranës se Jugosllavia përgatitej për të instaluar dy divizione ushtarake jugosllave në Shqipëri dhe konkretisht në Korçë nën pretekstin e një ndërhyrjeje greke nga jugu i vendit, çka do të thoshte pushtim de facto të Shqipërisë, Stalini thirri në fillim të shkurtit 1948 në një takim të nivelit të lartë liderin jugosllav Tito dhe atë bullgar Gj. Dimitrov në Moskë për të diskutuar në radhë të parë zhvillimet në frontin e luftës civile greke dhe, sidomos, çështjen shqiptare si dhe domosdoshmërinë ose jo të instalimit të ushtrisë jugosllave në territorin shqiptar. Por duke ndjerë revoltën e Stalinit, Titoja iu shmang takimit dhe dërgoi në Moskë M. Xhilas. Në këtë takim Stalini u paraqit kontradiktor, miratoi në thelb “gllabërimin e Shqipërisë” siç u shpreh në takim, nga Jugosllavia, por u tërhoqi vëmendjen jugosllavëve të gjenin rrugët dhe mjetet e përshtatshme për të realizuar këtë plan. Nuk ka mundësi të zgjidhet në të njëjtën kohë çështja e Triestës dhe bashkimi me Shqipërinë, pa asnjë reaksion të britanikëve, u shpreh Stalini. Pra, në një farë mënyre, çështja shqiptare dhe konflikti i E. Hoxhës me Titon po bëheshin faktori parësor për çarjen e Moskës me Beogradin dhe për acarimin brenda familjes së sapoformuar socialiste.
Dënimi i Partisë Komuniste Jugosllave nga Informbyroja, përfundimisht në verë të vitit 1948, ishte, padyshim, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në kampin socialist, por, përkitazi, ngjallte dyshime dhe pikëpyetje të mëdha tek aleatët perëndimorë, të cilët, siç pritej madje, u befasuan. Në fillim ata ndiqnin së largu zhvillimet në marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe në përgjithësi marrëdhëniet e Titos me shtetet satelite të Kremlinit. Gjatë gjithë verës së vitit 1948 Jugosllavia u gjend e izoluar nga Perëndimi dhe regjimi titist u kërcënua seriozisht. Titoja, ndërkaq, ishte kujdesur me kohë dhe në prapaskenë kishte hyrë në negociata të fshehta si me amerikanët ashtu edhe me britanikët, duke kërkuar ndihmë ekonomike dhe garanci për të ardhmen e regjimit të tij dhe të Federatës Jugosllave, e cila kanosej nga planet ruse, sipas Titos, për t’u shpërbërë.

Shqipëria nën rrezikun e pushtimit jugosllav
Shqipëria, nga ana tjetër, u gjend, gjithashtu, në pozitë tejet të vështirë, ngaqë u izolua nga pjesa tjetër e aleatëve të saj lindorë, ndërsa me mbarimin e Luftës Civile Greke, presionet e Athinës përmes aleatëve të saj perëndimorë bëheshin edhe më të mëdha për zbarkimin në Shqipërinë e Jugut të ushtrisë greke në ndjekje të gueriljeve greke që hynin në masë në tokën shqiptare. Regjimi i E. Hoxhës dhe Shqipëria vetë u ndodh para një kërcënimi real. Janë karakteristike komentet e ambasadorit francez në Tiranë asaj kohe. Në rast se vërtet forcat e armatosura greke do të përqendrohen përgjatë kufirit jugor shqiptar, kjo do të mjaftonte për të dhënë sinjalin e një revolte të përgjithshme në Shqipëri, e cila do të kishte si pasojë përmbysjen e regjimit komunist të E. Hoxhës, vinte në dukje ai.
Në të njëjtën kohë, në Tiranë shprehej bindja se përpos kërcënimit nga jugu, tani Shqipëria duhet t’i bënte ballë edhe kërcënimit jugosllav. Titoja kishte qëllim të dyfishtë: përmbysjen e E. Hoxhës nga udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare dhe shndërrimin e Shqipërisë në republikë të shtatë jugosllave. Në përpjekjet e tij nuk përjashtohej që Beogradi të merrej vesh me Athinën për copëtimin e Shqipërisë dhe vënien në zbatim të propozimit grek, shprehur nga K. Tsaldaris, në Konferencën e Paqes së Parisit, në verë të vitit 1946. Prandaj udhëheqja komuniste e Tiranës bëri ç’është e mundur që t’i jepte përmasa ndërkombëtare problemit duke denoncuar planet ekspansioniste dhe shoviniste jugosllave.

(…)
Ata që mund të përmbysnin regjimin
Nga ana tjetër, çarja shqiptaro-jugosllave solli anulimin e të gjitha marrëveshjeve dypalëshe. Kjo e çoi Shqipërinë në buzë të greminës. Shqipëria nuk pati nënshkruar marrëveshje ekonomike me shtete të tjera, pos atyre me Jugosllavinë. Furnizimi i Shqipërisë me të mira materiale të konsumit të përditshëm ishte objektivi kryesor i qeverisë së Tiranës. Eshtë fakt, vëren E. Hoxha, se Jugosllavia përfitoi një ndihmë të madhe nga Bashkimi Sovjetik ndërsa, përkundrazi, ajo nuk ndihmoi aq sa duhet Shqipërinë.
Ndërkaq, që pas luftës Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin marrë seriozisht me çështjen shqiptare. Politika e Tiranës dhe ingranimi në çështjen greke e çoi Shqipërinë faqe shumë rreziqesh. Zhvillimet e fundit në kampin socialist favorizonin planet e kundërshtarëve politikë të E. Hoxhës brenda dhe jashtë shtetit, të cilët besonin se Londra dhe Uashingtoni do të ndryshonin politikë dhe do të ndihmonin përpjekjet e tyre për përmbysjen e regjimit stalinist të Tiranës. Roli i tyre, besonin ata, do të jetë më i ndjeshëm dhe do të përshpejtojë rënien e komunizmit në Shqipëri. Në Londër dhe në Uashington vërenin se kundërshtarët politikë të E. Hoxhës, madje dhe vetë ish-mbreti Zog, i cili gjendej në Egjipt, po bënin përpjekje të ethshme për të gjetur një konsensus që do të bashkonte forcat kundër regjimit komunist të Tiranës. State Department, duke ndjekur nga afër këto përpjekje kërkoi nga shërbimet diplomatike amerikane në kryeqytetet evropiane të grumbullonin të dhëna për lëvizjen antikomuniste të këtyre grupeve në luftën kundër regjimit të E. Hoxhës. Nga Roma, që vazhdonte të ishte metropoli i lëvizjes antikomuniste të grupeve kundërshtare të E. Hoxhës, State Department informohej se, aktualisht, në kampe të ndryshme përqendrimi rreth 200 veta prisnin sinjalin për të ndërmarrë një operacion të gjërë kundër E. Hoxhës. Në kampe të ndryshme si në Reggio Emiglio, Romë dhe Bologna por edhe gjetiu jetonin shumë refugjatë dhe të përndjekur të tjerë politikë, viktima të regjimit të Tiranës dhe gjendja e tyre ishte e mjerë. Të gjithë ata kërkonin të largoheshin për në Shtetet e Bashkuara dhe Afrikën e Jugut ose në shtete të tjera të Evropës. State Department kishte arrritur në përfundim se këto grupe i bashkonte patosi i luftës kundër komunizmit, besonin se do të kishin, gjithsesi, ndihmën dhe përkrahjen e aleatëve perëndimorë, por shprehnin skepticizmin, dyshimin dhe alarmin e tyre për mëtimet dhe planet e Athinës.

Uashingtoni: Kundërshtarët e E. Hoxhës, grindavecë
Por shërbimet amerikane në të njëjtën kohë vërenin se këto grupe karakterizoheshin nga mëri të vjetra, grindje e mosmarrëveshje të papajtueshme dhe marrëdhëniet mes tyre ishin më tepër se armiqësore, çka pengonte realizimin e qëllimeve të tyre afatgjatë, që ishte çrrënjosja e komunizmit nga Shqipëria. Ish-mbreti Zog i cili përpiqej të përfitonte nga strategjia perëndimore në Ballkan, sidomos pas kontradiktave të Shqipërisë me Jugosllavinë, u diferencua që në krye nga grupet e tjera. Zogu ishte mëse i bindur se këto mëri dhe lufta për jetë a vdekje që këto grupe i kishin shpallur njëri-tjetrit, mungesa e plotë e unitetit, krijonin probleme të mëdha dhe dëshmonin për humbjen dhe dështimin përfundimtar të tyre në përpjekjet e nisura. Zogu ishte tepër i pezmatuar me këto organizata që promovonin njerëz të tyre dhe linin mënjanë ata të oborrit mbretëror, madje dhe vetë atë. Në këto kushte, Zogu s’kish pse t’u bëhej urë planeve dhe qëllimeve të tyre. Si përfundim, amerikanët besonin se regjimi komunist nuk do të përmbysej pa ndihmën konkrete të aleatëve perëndimorë dhe pa përkrahjen e njëzëshme të grupeve antikomuniste brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, duhet të gjendeshin ato figura të përshtatshme që do të bashkonin këto grupe, do të sheshonin kontradiktat dhe luftën për pushtet. Në Uashington mendonin se figura të tilla mund të ishin Abaz Kupi, nga ruajalistët, Jani Dilo, nga Balli Kombëtar, ose Ismail Vërlaci, nga Blloku Indipendent Nacional.
Shumë kundërshtarë politikë të regjimit të Tiranës ishin vendosur në Athinë, por edhe ata kishin të njëjta probleme dhe shfaqnin shqetësimet e tyre se në rast se do të ndërmerrnin një nismë të armatosur kundër pushtetit komunist, duhet të merrnin parasysh edhe reaksionin grek, por ajo që kishte më shumë rëndësi ishte qëndrimi perëndimor ndaj mëtimeve greke. Të gjitha organizatat reagonin ashpër ndaj synimeve greke, por edhe ndaj intrigave të Beogradit, i cili kishte zaptuar Kosovën dhe tani kërkonte të gllabëronte gjithë Shqipërinë e ta shndërronte në republikë të shtatë jugosllave. Por nga ana tjetër, ky ishte dhe një pretekst i gjetur prej tyre për të fshehur pamundësinë për të luftuar regjimin e Tiranës.

Mbreti Zog ngre qeverinë mbretërore në emigrim
Ish-mbreti Zog në mars kishte shpallur formimin e një qeverie mbretërore të emigracionit dhe bënte përpjekje për njohjen e saj nga aleatët perëndimorë, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye dërgoi në Uashington bashkëpunëtorin dhe përfaqësuesin e tij të besuar S. Martini që të bisedonte me amerikanët për t’u matur pulsin nëse do ta njihnin qeverinë e tij hije. Madje, për të përfituar nga konfliktet e E. Hoxhës me qeverinë e Athinës, si për çështjen e ndihmës ndaj gueriljeve ashtu dhe për çështjen e hapur të Epirit të Veriut, Zogu në mars të vitit 1948 dërgoi një përfaqësi në Greqi për të biseduar për planet e tij të ardhshme lidhur me Shqipërinë. Zogu kërkonte miratimin e qeverisë greke për planet e tij. Kërkoi që Greqia të lejonte përkrahësit e tij të shfrytëzonin territorin grek si bazë e aktivitetit të tyre kundër regjimit komunist të Tiranës. Në rast se do të shpallte një qeveri shqiptare të emigracionit kërkoi nga pala greke ta njihte menjëherë atë. Këtë propozim Zogu e përsëriti në maj të po atij viti, por qeveria greke nuk i dha përgjigje të drejtpërdrejtë, sepse shikonte që autoriteti i tij në Shqipëri ishte në rënie dhe nuk besonte se në të ardhmen mund të kthehej në jetën politike të vendit të tij, aq më tepër të ndikonte në skenën politike.
Por në fillim të shtatorit, duke parë këmbënguljen e Zogut, autoritetet greke kërkuan informacion nga State Department për planet dhe prirjet e tij, për burimet financiare dhe për aktivitetin e tij politik dhe ekonomik, për armatimet që dispononte, sepse kishte zëra që trumbetonin se atypari do të organizonte një revoltë të armatosur në Shqipëri pas kushteve të reja që ishin krijuar në Ballkan. Në tetor, State Department dërgonte në Athinë një informacion të hollësishëm për ish-mbretin Zog dhe aktivitetin e tij politik, duke nënvizuar që në krye se ai ishte një person i dyshimtë dhe prandaj duhej të trajtohej me shumë rezervë, ngaqë kurdoherë kishte pak përkrahës. Por State Department nuk përjashtonte mundësinë që në të ardhmen Zogu të arrinte të bashkonte shqiptarët për të përmbysur pushtetin në Shqipëri, çka ishte objektivi i tyre i përbashkët.

Tentativat e pamundura për rrëzimin e regjimit
Këto lëvizje të grupeve politike jashtë shtetit ranë në sy të qeverisë shqiptare, e cila në dhjetor të 1948, kërkonte të dhëna për veprimtarinë e Mithat Frashërit, se në Tiranë kishte njerëz që besonin se ai ishte frymëzuesi dhe organizatori i këtyre grupeve. Në një raport sekret që mban datën 4 nëntor 1948, vihet në dukje se më 15 dhjetor do të organizohej një takim i zgjeruar në Romë me qëllim që të gjendej një emërues i përbashkët në luftën e tyre kundër E. Hoxhës dhe regjimit të tij stalinist. M. Frashëri, përfundimisht, nuk e kishte pranuar propozimin e grupeve të tjera dhe deklaroi se ai nuk do të bashkëpunonte me kriminelë të deklaruar si Xhafer Deva e as me armikun e tij personal, mbretin Zog, sido që kjo pengonte kauzën e përbashkët.
Megjithë kontradiktat e njohura, në mes të shkurtit, kundërshtarët më të betuar dhe më të vendosur të regjimit komunist, Alush Lleshanaku, Haki Blloshmi, Ndue Mëlyshi dhe Ndue Pjetër Gjonmarkaj, ranë me parashutë në veri të Shqipërisë në një përpjekje për të nxitur popullsinë e krahinave të veriut në një revoltë të armatosur kundër regjimit. Përgatitja, siç njihet tashmë, bëhej në Maltë me ndihmën dhe kujdesin e oficerëve ushtarakë britanikë. Këtë nismë e miratonin edhe amerikanët, madje dhe vetë Titoja, siç dëshmohet nga dokumentet arkivore të hapura rishtas. Por operacioni i parë dështoi. Rënia në tokën shqiptare nuk u bë në destinacionin e duhur dhe kjo dëshmonte se operacioni ishte dekonspiruar e tradhtuar. Tradhtia e këtij operacioni, besohet më së shumti, i duhet ngarkuar posaçërisht agjentit të shumëpërfolur britanik Kim Philby, i cili ishte vënë me kohë në shërbim të sigurimit sovjetik. Natyrisht, Philby luajti rol të padyshimtë në dështimin e operacionit dhe të komplotëve që e pasuan atë. Por nuk duhet të lihen pa u marrë parasysh dhe faktorë të tjerë, siç ishte organizimi i përsosur i sigurimit shqiptar sipas modelit sovjetik, por, më së pari, kontradiktat dhe mëritë në gjirin e vetë grupeve kundërshtare, të cilët, sipas gjasash, zbulonin vetë planet e tyre. Madje, ambasada shqiptare në Romë asaj kohe ishte shumë aktive dhe syrit të saj nuk i shpëtonte gjë. Pas dështimit të operacionit të parë, pa u arritur asnjë rezultat konkret, Alush Lleshanaku u rikthye në Greqi dhe që andej u orvat të hynte rishtas në Shqipëri, por edhe kësaj here u pa se planet e tij njiheshin mirë nga forcat e sigurimit shqiptar. (…)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com