Historia e rrallë e familjes Gjonej nga Trushi i Shkodrës

Nga Halil RAMA

  • Si ia rrëmbyen Hajgelën, Krajlit të Malit Zi, bijtë e Familjes patriote
  • Letra anonime për Enver Hoxhën dhe përgjigja e tij: “Revolucioni nuk kthehet prapa, personat të kapen dhe të varen në litar”
  • Përkujdesja shembullore e dr.Ben Gjonej për gjeneral Parllakun në spitalin e Traumës

Në vitet e para të pasluftës, kur shërbeu si funksionar i pushtetit vendor në Qarkun e Shkodrës, gjeneral  Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, do të njihte dhe vlerësonte edhe  ish – partizanin e Brigadës së 23-të S, Frano Gjonej nga fshati Trush, i cili më vonë pasi kreu shkollat ushtarake shërbeu për disa vite në Ministrinë e Mbrojtjes dhe si pushtetar vendor në Trush të Shkodrës.

Shtatëdhjetetë e tre vjet më vonë, dr.Arben Gjonej (nipi i Franos) i cili ka mbaruar shkëlqyeshëm doktoraturën dhe shërben gjithë përkushtrim në repartin e allçise tek spitali i traumës, po tregon përkujdesje maksimale për gjeneral Parllakun, që i është nënshtruar një ndërhyrjeje ortopedike, pas një aksideneti në këmbën e djathtë.

Ndonëse operacioni u krye me sukses nga ortopedi i talentuar dr.Artan Distafa dhe gjeneralit legjendë në kufirin e tri kohëve nuk i ka munguar përkujdesja, qoftë edhe nga kryetari i KLSH Bujar Leskaj, nga gjeneral Piro Ahmetaj – këshilltar ushtarak i Presidentit Meta, nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bardhyl Kollçaku e nga Drejtori i Spitalit të Traumës z.Arben Zeneli, përkujdesja e dr.Benit, në dukje indirekte është disi e veçantë. Kjo për vetë ndikimin në formimin e  tij atdhetar dhe lidhjen që ai ka me luftëtarët e lirisë. Është vërtetë interesant rrëfimi për historinë e rrallë të pararadhësve të tij.

Jetën tonë nuk e kursejmë as për Fe as për Atdhe

Gjyshi i Dr.Benit, Frano Gjonej nga fshati Trush i Shkodrës, i përket plejadës së ish luftëtarëve të lirisë që kontribuan gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe asaj të ish ushtarakëve shembullorë të Ushtrisë Shqiptare të pasluftës. Ndonëse kanë kaluar 15 vjet nga vdekja e tij ai kujtohet me nderim të veçantë, nga familjarët, të afërmit, shokët, miqtë e bashkëpunëtorët. Vetë jeta dhe vepra e tij prej luftëtari e kuadri shembullor e veshi atë me pavdekësi. Frano Gjonej ka lindur në Fshatin Trush të Shkodrës më 19 gusht 1920 dhe ka ndërruar jetë me18 shkurt 2003.

Frano, i biri i Palit dhe Diles ishte krenar për origjinën paraardhëse të Fisit Gjonej që fillon nga Frano, që nga tre vëzezërit: Cako Gjeka, Gjon Gjeka dhe Zef (Mark ) Gjeka. Për historinë e Fisit dhe konkretisht për këta vëllezër ka shkruar dhe Gazeta Ylli i Kuq. Në kohën e pushtimit tyrk këta tre vëllezër i shkaktuan një dëm shumë të madh perandorisë osmane, duke vrarë shumë ushtarë turq. është ky një kontribut i çmuar për mbrojtjen e Atdheut dhe të Krishtërimit në zonat e Shkrelit, dhe konkretisht këta kanë jetuar në Bzhetë të Shrelit Malësi e Madhe. Pas një përndjekjeje të madhe nga ushtria turke u detyruan të mbyllen në shpellën e Rragamit dhe një grua së bashku me gruan e Vezirit ndërmjetësuan që të  bëhej një takim mes këtyre tre vëllezërve dhe Vezirit.Veziri pranoj të tërhiqej nga zona e Malësisë së Madhe, por ju kërkoj kushtin që nëse do të kishin mundësi të merrnin Kalin që quhej  (Hajgela) e Krajlit të Malit Zi e t’ia sjellnin. Gjoni nga ku rrjedh edhe prejardhja e Franit shkoi në Malin e Zi dhe në një natë feste arriti të futet tek Krajli i Malit Zi dhe me vete kishte lesh deleje dhe katër shamia, nga ku i mbushi këmbët e kalit me lesh deleje dhe ua lidhi me shami që të mos kërsisnin dhe e mori kalin e Krajlit duke e sjellë në Shqipëri. Veziri i cili kishte humbur një numër të madh të ushtarëve të tij, pasi  ka parë kalin  që quhej (Hajgela) e Krajlit të Malit Zi ka arritur t’u nënshtrohet këtyre tre vëllezërve duke ju thënë: kërkoni çfarë të doni dhe do tua plotësoj.

-Të largohesh nga trojet e vendi jonë i janë përgjigjur, sepse jetën tonë nuk e kursejmë as për Fe as për Atdhe. Veziri u tërhoq dhe kurrë ne nuk shkeli në ato zona.

FAMILJE SOLIDE  ME DISA DJEM ME FORMIM USHTARAK

Gjon Gjekes i lind djali Curo, Curos i lindi djali Palim  baba i Franos. Pali baba i Franos martohet me Dilen që ishte Shqiptare me origjinë nga Mali i Zi i  Jugosllavisë, e fisit Sinishtaj e cila tregonte me shumë krenari për vëllezërit e sajë,(Dajat e Franos) ku duke mos kursyer jetën e Tyre arritën ta japin në mbrojtjen e kalasë së Duçiçit duke mbajtur flamurin Shqiptar dhe në trupin e seicilit  janë numëruar nga mbi 50 plagë. Frani kishte dy vëllezër Gjekën dhe Pjetrin të cilët ishin shumë bujarë dhe shumë trima si dhe tre motra Agia, Lena, Mria. Gjeka ka një djalë, Markun dhe dy vajza Gjystia dhe Luçia; nga vajzat ka plotë nipa dhe mbesa. Pjetri ka 9 fëmijë 7 djem dhe 2 vajza ku dy djemt e Pjetrit, nipat e Franit ishin Oficer Ndue Gjonej dhe Rrok Gjonej, oficer i lartë policie i cili u arratis në Jugosllavi dhe sot ndodhet në Kanada si dhe nipi i Franos nga motra Age është Oficer Policie, Pjerin Gjokaj – ish Shef rendi në Shkoder, Lezhë e Mirditë, aktualisht në zonën e Shkodres.

Frano me bashkëshorten Lula kishin gjashtë fëmijë; nga këto katër vajza Dranja, Vitore, Maria Vera dhe dy djem: Marashi i cili mbaroi Akademinë Ushtarake ne Tiranë dhe ka gjashtë fëmijë 3 djem dhe 3 vajza dhe Paulini i cili ishte Ekonomist në Semete Trush-Shkoder dhe ka tre djem.

Një hallë e Franos e quajtur Mara ka kenë Murgeshë Françeskane, e quajtur Moter Françeska e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbimin e të gjithë zonës pasi kishte bërë dhe një kurs për Infermiere dhe rrobaqepëse. Edhe në kohën e regjimit komunist nuk pushoi së reshturi duke ndihmuar mbarë njerëzimin pa dallim feje si dhe Meshtarët e mbetur gjallë.

Kush ishte Frano Gjonej

Frano Gjonej në moshë fare të re përkrahu Luftën për çlirimin e vendit nga okupatori nazifashist, duke u renditur me luftëtarët e lirisë që në vitin 1943. Më pas u inkuadrua partizan në  në Brigaden e 23 sulmuese në Krujë, duke marrë pjesë në të gjitha luftrimet e kësaj brigade deri në vitin 1945. Pas çilirimit mbaroi Akademinë Ushtarake (Skënderbegas) (Shkollën e Bashkuar) dhe për 9 vjet ka ken Ushtarak me Ministrinë e Mbrojtjes me Z. Prokop Murra, ku dhe gradat filloi ti rrisë me radhë,  por për arsye shënetësore u detyrua të largohej nga ushtria. Falë zgjuarsisë dhe larpamësisë së tij, ndjeu rrekun e ideologjisë komuniste, ndaj dhe nuk dëshironte të vazhdonte më në ushtri, pasi vizioni i tij ishte drejt Europës dhe jo drejt komunizmit i cili shum shpejt po luftonte kundër kulteve fetare. “Nëse do vazhdoja Oficer, thoshte do të kundërshtoja të bëja atë që kërkonin dhe fisi do të internohej pamvarsisht se jeta nuk mu dhimbte, por fisi”.

Shërbeu si Nenkryetar dhe sekretar keshilli në fshatin Trush për 20 vite. Gjatë kohës që ka qenë në këshill është munduar të japin kontributin e tijë të jashtezakonshëm në mbrojtjen e përfaqësuesve fetar si p.sh duke lajmëruar Priftat që Meshën që kishin në mend ta kremtonin në vendin e caktuar, ta ndryshonin pasi në këshill ishte vendosur rrethimi dhe arrestimi në orën e kremtimit në befasi.

Dom Zef Gilën si dhe shumë Meshtar të tjerë arriti ti shpëtonte duke i lajmëruar. E kishte plagë në zemër një Meshtar nga Dajçi i Bregut të Bunës, siç duket porositësi nuk e njoftoi dhe e arrestuan dhe e pushkatuan. Është piketuar se i mbronte Meshtarët por edhe pse egzistonte sistemi i egër, e dinin dhe e njihnin tipin e Franos që ishte me karakter të fortë dhe nuk u përulej lehtë të tjerëve. Kjo pasi siç duket edhe nga origjina, pasi edhe paraardhësit e tij nuk ishin mposhtur nga Veziri Turk për rreth 500 vjet. Edhe pasi është larguar nga këshilli, pas 20 vjetëve përsëri ishte një ndër burrat më të rrallë të zonës i cili pyetej dhe merrnin sygjerime prej tij  për çdo gjë. Kjo, pasi sytë e Tijë ishin me vizionin e Krishter drejt Europës, duke ritheksuar dhe një herë se një Hallë e kishte Moter Françeskane. “Kur më ftonin në raste gëzimesh, më thoshte, preferoja të ulesha në fund të tryezës dhe gjithmonë me forcë më kërkonin të dilja në krye”.

HISTORIA E NJË LETRE ANONIME

DËRGUAR ENVER  HOXHËS

 Vajza e Franos, Marie Frano Gjonej, banuese në fshatin Trush-Shkodër, me profesionin agronome në Velipojë deri në fillimet e demokracisë, që ka mbaruar Institutin Bujqësor në Kamëz, i shkruan Enver Hoxhes këtë letër anonime, me dorën e majtë, me rastin e tufëzimit të bagëtive dhe marrjen e tokës fshatarëve,  në vitin 1979:

Letër udhëheqësit Enver Hoxha.

Toka është si Nana e mirë që lindë fëmijë të shëndetshëm. Për Nanat tona që lindin fëmijë për ditë dhe që janë brezi i ri e ardhmja e Shqipërisë që do të çojnë stafetën e revolucionit lart e me lartë!!!??  Si do ti ushqejnë Femijet tre herë në ditë me supë me një lugë vaj ?!!! Me tufëzimin e bagëtive dhe me marrjen e tokës fshatarëve, populli do të katandiset drejt një varferie të paparë.

Pershëndetje revolucionare 7 të rinjë të Fshatit Trush. 

Ja dhe pergjigjia nga Enver Hoxha: 

I dashur popul , Partia gaboj, revolucioni nuk kthehet prapa, personat të kapen dhe të varen në litarë. 

I juaji Enver Hoxha.

Hetuesia mori vajzën e Franos si të dyshuarën e parë për verifikimin e shkrimit.(Ajo e kishte shkruar letrën me doren e majtë). Të ngjashme dolën vetëm germat “m e “ n”, në masën 30% . Maria që e kishte shkruar këtë letër në emër të Organizatës së Rinisë të fshatit Trsuh, gjatë këtyre viteve qendroi në shënjester nga regjimi komunist por nuk e trembte as vdekja, pasi e shikonte se kjo ishte një mënyrë ekzekutuese avash – avash nga varfëria. “Nuk trembesha për vete, thoshte, por për internimin dhe persekutimin e Fisit”.

Djali i  Franos,  Marash Gjonej ka mbaruar Shkollën e Bashkuar “Skënderbej” në Tiranë por pasi ka filluar misionin e Tijë Oficer i është kërkuar nga nëna e tijë Lula së bashku me hallën e Babes, Mara që ishte Murgeshë ta linte uniformën e oficerit. Kjo pasi sistemi komunist dhe vizioni drejt Europës ishin dy të kundërta që nuk përshtateshin.

Frano dhe bashkëshortja Lula gjatë sistemit komunist nuk reshtën në mënyrë edhe pse të fshehtë, ti edukonin fëmijët e tyre si dhe nipat e mbesat në frymën e Krishterë, duke ju mësuar uratet, duke i Pagëzuar me Meshtarët që jetonin, si dhe duke festuar festat gjithmonë. Porosi e tyre ishte që asnjëherë mos dilni nga shtëpia pa bërë shenjën e Kryqit si dhe kur hani e flini e mos harroni Uratët etj.

Edhe pse kane kaluar mbi 15 vjet që Frano nuk jeton më fizikisht, si dhe bashkëshortja e tij Lula, ata mbeten gjithmonë në zemrat dhe mendjet e pasardhësve të kësaj familje me tradita atdhetarie, ndërohë kujtohen e nderohen nga e gjithë zona e Trushit e mbarë Shkodra.