Historia e plakut të moçëm me gomarin që se pëlqente samarin dhe kapistrën

Nga Luan Kondi  

Bardhi sapo ka dalë në pension. Ka punuar për vite të tëra si financier. Fillimisht në një kooperativë malore në Pogradec e më pas në një institucion varësie.

Përvoja e tij është interesante, ndërsa aftësia për të treguar disa detaje nga jeta profesionale e bëjnë atmosferën të këndshme. Ishim në një bisedë me miq të përbashkët dhe fisnikëria e tij më bëri përshtypje.

Bardhi tregonte histori që lidheshin me sistemin e kaluar me të cilin edhe pse nuk i kishte pasur të mira marrëdhëniet sërish rezervohej kur fliste. Ishte realist dhe korrekt në evidentimin e faktit se varfëria e atyre viteve ishte realitet që nis ta përshkruaj bukur.

Si shef i llogarisë së kooperativës me një kolegun e tij i duhej të shkonte në një fshat të thellë për inventarin e barit të vetëm që nuk kishte asgjë më shumë se disa filxhanë e gota, pak pije prodhim vendi. Më shumë iu bënte rruga se puna që do të kryenin. Udhëtuan orë të tëra për të mbërritur dhe brenda disa minutave kryen punë.

Më pas iu desh të ishin bujtës tek një fshatar, i cili i kishte ftuar siç e donte edhe tradita. Babai i mikut që e dinte pse kishin shkuar në fshat iu thotë me ironi se a i kishin gjetur në rregull gotat dhe filxhanët e kafesë se gjë tjetër nuk ndodhej ne atë dyqan.

Me ndryshimin e sistemit ish-llogaritari shkonte në atë fshat për një takim elektoral, si kandidat për deputet. Mes të pranishmëve ishte edhe plaku i mençur. Pasi kishte dëgjuar kandidatin se do të bënte këtë apo atë, siç edhe premtohet ende. Flokëbardhit nuk iu durua, nuk e la të mbaronte dhe e pyeti: “Mirë këto… po njerëzit si do t’i bëni të punonjë?”

“Se që thatë ju zotëri, – vijoi ai, – si çdo fshatar edhe unë kisha një gomar. Punonte sa më të dytë s’kish. Kur mbarova punë i hoqa samarin dhe e lëshova të kulloste lëndinave. Gomari u shëndosh dhe i ndriste qimja. Një ditë seç kisha një punë e më duhej. E kapa dhe po përpiqesha t’i  vija kapistrën dhe samarin. Po pse pranonte më gomari kapistër e samar që të bëhej gati për punë?! Kështu edhe me këtë popull…”.

Bardhi tregonte dhe unë vazhdoja të mendoja se kjo thënie e të moshuarit të mençur është aktuale ende jemi të vështirë për t’u vëmë në punë shqiptarët pasi nuk e kane qejf atë dhe duan të fitojnë pa djersitur…

Foto Google