“Heroin e Beogradit” Ballist Morina arrestohet në Kroaci, Serbia kërkon ekstradimin e tij

I njohur për ngritjen e dronit me flamunin shqiptar me mbishkrimin “Autochtonus” në stadiumin e Beogradit më nëntor të vitit 2015, Ismail Morina, i njohur ndryshe si Ballist Morina vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku po qëndron prej një muaji. Por sipas informacioneve më të fundit, Morina ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Dubrovik ku togat e zeza kanë vendosur për ekstradimin e tij në Serbi, vend i cili ka kërkuar ekstradimin e tij lidhur me ngjarjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri, ku në flamurin që droni mbante shkruhej “Autochtonus”, ngjarje nga e cila u shkaktuan mjaft trazira. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut është publikuar pasditen e djeshme nga Opinion.al, ku të kontaktuar nga familjarë të Ballist Morinës janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet dhe për këtë qëllim vendimin e Shkallës së Parë do ta apelojnë më tej. Pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të. Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morinës, në një prononcim për mediat është shprehur dje se nëna e tyre ka qenë këto ditë në Tiranë, ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë, duke specifikuar përfaqësues pranë Presidentit Ilir Meta dhe Ministrit të Brendshëm teknik Dritan Demiraj, por ende nuk kanë marrë një sinjal të qartë ndihmese për të afërmin e tyre që rrezikon që nga “Heroi i Beogradit” tani të jetë i “Burgosuri i Beogradit”, nëse shteti kroat vendos ekstradimin e tij në Serbi. Po kështu Xhevahiri është shprehur se nëse Ballist Morina ekstradohet ai do të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit. Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh nga dita e djeshme.

Reagimi i ministrit Demiraj

Çështja e Ballist Morinës dhe vendimi i gjykatës kroate të Dubrovnikut për ekstradimin e shqiptarit në Serbi ka vënë në lëvizje edhe institucionet shtetërore. Konkretisht mësohet se vetë ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka kontaktuar me autoritetet në Kroaci, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut. Burime diplomatike bëjnë me dije se ministri Demiraj është interesuar pranë shtetit kroat për një gjykim të drejtë të Ismail Morinës. Gjithashtu mësohet se ministri Demiraj është në kontakt prej një muaji me autoritetet kroate.