Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç i dhanë fund një takimi të ri në Bruksel me pajtimin për zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i dhanë fund një takimi të ri në Bruksel me pajtimin për zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë, që nënkupton integrimin e gjykatave ne veriun e banuar me shumicë serbe, por edhe për shpeshtimin e takimeve në përpjekje për të arritur një pajtim për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Ata u takuan në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në kuadër të përpjekjeve për të përgatitur një periudhë të re të bisedimeve “përtej çështjeve teknike”.

Zyra e zonjës Mogherini tha se “presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor të këtij viti. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe personeli gjyqësor do të integrohen në gjyqësorin e Kosovës. Integrimi do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës“, thuhet në njoftimin e zonjës Mogherini.

Të dy presidentët konfirmuan pajtimin për marrëveshjen mbi drejtësinë, ndërsa theksuan se janë diskutuar hapat e mëtejmë për një periudhë të re të bisedimeve.

Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, tha që ndonëse “nuk është shumë optimist”, beson që mund të ketë një pajtim “ndërmjet popujve” më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, për të tejkaluar armiqësitë “mbi 300 vjeçare”.

Askush nga ne nuk është shumë optimist, por po e përsëris atë që u kam thënë të gjithëve në Beograd, që i kam thënë Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit: nëse kemi qoftë një ose dy për qind shanse që të arrijmë ndonjë marrëveshje, ajo ia vlen për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë“, tha presidenti serb Vuçiç.

Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pajtimi është i mundur ndërmjet të dy popujve.

Sot, mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një komunikim më normal se që ka qenë më herët. Marrëveshja përfundimtare do të jetë ndihmuese për njëra-tjetrën, por edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton marrëveshje për paqe dhe stabilitet për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti Thaçi.

Në fund të muajit korrik, presidenti serb, paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina. Presidenti Thaçi tha sot se diskutimet e brendshme janë çështje e Serbisë, por pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

I përballur me kritika në shtëpi, presidenti Thaçi, tha se do të angazhohet për krijimin e një ekipi të unitetit, që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë, ndërsa çdo marrëveshje përfundimtare do të vlerësohet nga qytetarët e Kosovës.

Çdo propozim përfundimtar në kuptimin e respektimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe integritetit territorial të saj, apo kjo marrëveshje historike në fund duhet të përmbyllet përmes një procesi të deklarimit të qytetarëve të Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng ndonjë të arritur historike që do të nënkuptonte perspektivën e sigurt euro -atlantike të Kosovës, pra përmes referendumit“, tha ai.

Të dy presidentët thanë se takimet e bisedimet do të zhvillohen në javët e muajt në vazhdim, përfshirë edhe mundësinë që takime të ketë edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i zhvillon punimet muajin e ardhshëm.

Të dyja palët por edhe zyrtarët evropian paralajmëruan një përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. VOA