Hashim Thaçi: Çdo shtëpi e Kosovës e hapur për qytetarët në nevojë nga Shqipëria

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ishin në Durrës për të parë nga afër situatën dhe punën e ekipeve të shpëtim- kërkimit.

Gjatë fjalës së tij në Durrës, Meta tha se, ” është një situatë dramatike e cila vazhdon dhe ka vështirësitë e saj, sepse ende kemi ndjerë që ka lëkundje, siç pati dhe sot në mesditë, të cilat cenojnë edhe punën edhe sigurinë, të forcave të shpëtim-kërkimit në rrënojat e godinave, të cilat janë rrëzuar dhe ku po kërkohen qytetarët tanë, me shpresën për t’i shpëtuar ata”.

“Në radhë të parë do doja të shprehja falënderimet më të përzemërta për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, për Presidentin Thaçi që jemi sot këtu, për gjithë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë për FSK-në, e cila ka fituar një simpati mjaft të gjerë, jo vetëm për shkak të reagimit të menjëhershëm dhe ka qenë e para që është gjendur në vatrat e nxehta të kësaj krize, por dhe me seriozitetin, me efikasitetin, me përkushtimin e saj ka bërë dhe po bën çdo gjë për të na ndihmuar të gjithëve në këtë sfidë të jashtëzakonshme dhe të paprovuar më parë”, tha ai.

“Përpjekjet po vazhdojnë dhe do vazhdojnë deri në fund, dhe shpresojmë që do kemi më shumë fat deri në fund me këto përpjekje që nuk do mbarojnë deri në gjetjen e qytetarit më të fundit nën këto rrënoja me shpresë gjithmonë”, theksoi Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ” jam këtu për të shprehur solidaritetin vëllazëror të shtetit të Kosovës dhe popullit të Kosovës për Shqipërinë dhe popullin e saj. I shpreha ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Meta për jetët e humbura dhe gjitha familjeve. Gjithashtu i uroj shërim sa më të shpejt të lënduarve dhe për ata që janë nën rrënoja do të bëjmë të gjitha përpjekjet e përbashkëta të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe vendeve të tjera dhe institucioneve të Shqipërisë që të kryejmë këtë detyrë që kemi sa më shpejt të jetë e mundur dhe me pasoja sa më të vogla”.

“Çdo shtëpi e Kosovës është e hapur për qytetarët në nevojë nga Shqipëria. Me atë që po shoh të gjitha institucionet e Shqipërisë janë në krye të përgjegjësive dhe gjithçka që do kërkohet nga Kosova do të jetë në koordinim të plotë pasi kur Shqipëria është në zi dhe Kosova është në zi dhe njerëzit këtu nuk janë të vetmuar të gjithë jemi me to”, përfundoi Presidenti Thaçi. /a.a/ /a.g/