Hasan Prishtina një nga personalitetet më në zë të kombit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX

Për jetën dhe veprimtarinë patriotike të Hasan Prishtinës është folur mjaft. Ai mbetet ndër më të spikaturit e kësaj fushe. Më shumë se sa me armë në dorë, mbrojti çështjen shqiptare me forcën e argumentit dhe vullnetin e Apalëkundur gjatë gjithë veprimtarisë së tij. Ishte i tillë prandaj edhe jeta e tij u ndërpre nga dora gjakatare e një shqiptari, të paguar nga qeverisja e kohës.

Hasan Prishtina, padyshim që është një nga personalitetet më në zë të kombit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Cilësitë bazë të karakterit të tij janë: trimëria, guximi, besa, qëndrueshmëria, ndershmëria etj. etj. Mbetet sinonimi i një politikani të shkathët, i një diplomati elegant, i një patrioti e atdhetari shëmbullor. Njëherësh përbën fatkeqësi, që kombi ynë nuk i di ditëlindjen e saktë. Me keqardhje, duke u nisur nga dita e vdekjes, si rrjedhojë e një atentati të organizuar me kohë e të kryer më 14 gusht 1933, ora 14.30 në Selanik, gjykohet se duhet të ketë lindur në vitin 1878, kur themelohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Nga studimi i dokumentacionit të kohës, por edhe nga lëçitja e vetë krijimtarisë së Tij, mund të arrijmë lehtësisht në përfundimin se, Ai ka një formim të gjerë e të plotë edhe në fushën moralo-psikologjike e atdhetare. Vetëm kur ishte 35 vjeçar, (dhe kjo nuk përbën ndonjë moshë madhore, S.R), në gazetën turke “Zaman” (Koha), midis të tjerash shprehet i konsoliduar mendimi i tij se, qoftë edhe romanët (romakët), nuk mundën ta shkelin lirinë e shqiptarit. Kjo ide përvijohet gati tek të gjithë rilindasit, por edhe më pas. Do të jetë ndoshta reflektim i këtij mendimi, shprehja që e gjejmë të përsëritur tek personaliteti madhor i letrave shqip, një nga më të mohuarit e më të mallkuarit për gati një gjysëm shekulli pas viteve 1944, Gjergj Fishta, i cili nënvizon: “Ka patur pushtuesa të Shqipërisë, por pushtuesa të shqiptarëve nuk ka patur kurrë”.

  Për Hasan Prishtinën është krejt e moralëshme që të respektohen kërkesat e Kanunit, sepse tek e fundit ato janë disa parime e norma morale të nënëshkruara në heshtje nga populli.

Në këtë mënyrë ato kanë fituar të drejtën e qytetarisë, si dhe kanë forcë imponuese ndaj shtetasve në mjediset e veprimit. Vetë Ai, jo vetëm deklarohet por sidomos në veprimtarinë praktike i njeh, i zbaton, i respekton ato, si dhe këmbëngul që autoriteti i Kanunit të respektohet, sepse ka të bëjë me ndjenjat e popullit, me interesat e tij, të cilat për vetë natyrën e shqiptarit janë të shenjta.

Shqiptari gjithmonë e ka njohur, e ka vlerësuar dhe e ka respektuar të vërtetën jo vetëm si nocion filozofik por edhe si veprimtari praktike. Për H. Prishtinën ky nocion ka patur vlera gati absolute, prandaj edhe e ka njohur e zbatuar edhe kur ajo ka qënë me pasoja negative për kombin.

  1. Prishtina si shqiptar këtë parim e vlerëson lart. Më 3 prill 1910 në Parlamentin Turk ai këmbëngul që, gjykimi i problemeve të bëhet jo mbi bazën e interesave të ngushta kombëtare dhe as të ndjenjave që burojnë nga ato, por mbi bazën dhe logjikën e të vërtetës, e cila nga ana e vet urdhëron ndërgjegjen që të marrë një vendim të denjë dhe të pranueshëm, sikurse është e tillë vetëm e vërteta.

Këtë cilësi morale shqiptarët e kanë të kaherëshme, e kanë transmetuar brez pas brezi duke ua edukuar dhe imponuar pasardhësve. Në saje të prezencës të kësaj cilësie morale te shqiptarët, H. Prishtina bën përpjekje të argumentojë qëndrimin e egërsuar e kritikues të shqiptarëve p.sh ndaj veprimeve të Qeverisë së Xhonturqve përmes Xhavit Pashës, i cili, me pretendimin se ndiqte Isa Boletinin në Pejë e Gjakovë, shembi me artileri topash shtëpitë e fshatarëve të mjeruar, ashtu sikurse në Lumë, Mitrovicë e Ferizaj rrafshoi shtëpitë, rrahu fshatarët të thirrur në besë për bisedim, plaçkiti çfarë gjeti, si dhe kreu veprime të tjera ofenduese e masakruese.

Cilësinë morale të pohimit dhe të vlerësimit lart të së vërtetës së shenjtë, H. Prishtina, ndoshta pa dashur ta hiperbolizojë, e jep në mënyrë konçize si më poshtë: “Shqiptarët, që janë gati të pranojnë dënimin me vdekje, kur ky është me vend, por që pa të drejtë nuk durojnë të sulmohet as armiku…”, ata kësisoj mund të pranojnë shumë gjëra kur ato mbështeten mbi drejtësinë, por kurrësesi nuk mund të pajtohen me akuzën që u bëhet, se gjoja janë të egër dhe reaksionarë, akuzë të cilën ata e quajnë turp të madh.

  Një parim moral me vlerë, që prezantohet gjatë gjithë jetës së tij është dashuria për Atdheun. E ka për nder që është shqiptar, dhe këtë jo vetëm nuk e fsheh, por edhe e deklaron me forcë dhe në mjedise të ndryshme. Ishte vetëm 32-vjeçar kur deklarohet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, përposë të tjerave se “… dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rroj do të përpiqem për diturinë dhe për atdheun, për mbrothësinë e vendit tonë…”. Deklarimi i tij merr sidomos vlera po të gjykojmë se mjaft shqiptarë të mërgimit sidomos, nisur nga gjendja e mjeruar e Shqipërisë në atë kohë, arrijnë deri sa mohojnë qënien shqiptar. Në të kundërtën, ai me krenari pohon që është shqiptar, komb i cili ka kontribuar në qytetërimin dhe zhvillimin e Turqisë duke i dhënë të paktën atij kombi mëse 30 sadrazemë, kombi shqiptar dinjitetin e ka të shenjtë, prandaj “… Unë jam gati në çdo kohë të jap jetën time për këtë atdhe…”, deklarohet në Parlamentin Turk me kurajo, me guxim dhe me burrëri. Dashurinë për atdheun ai bën kujdes që ta shpalosë si një cilësi të karakterit mbarëshqiptar, se po do të ishte për vetë Atë, ai disa herë, duke mos marrë parasysh asnjë sakrificë apo pasojë, është shprehur se është në shërbim të çështjes shqiptare në çdo kohë dhe situatë. Përpos të tjerave ai guximin atdhetar, si cilësi dhe ndjenjë mbarëshqiptare, e shpalos p.sh në Parlamentin Turk kur thotë: “… kam me qënë njëni, e ndoshta i pari i atyne, q’i kam për ta ngreh flamurin e kryengritjes…”. Pra më ashiqare se kaqë nuk mund të shpaloset guximi atdhetar.

Por edhe humanizmi është një nga parimet morale të Hasan Prishtinës, të cilën e koncepton dhe e trajton mjaft gjerë. Ai si bazë për të garantuar të drejtat sovrane të njeriut, gjykon se është çështja e përpilimit dhe aplikimit të një sistemi ligjor të plotë. Kjo është një detyrë e vështirë sidomos në aspektin e zbatimit, sepse është e qartë që gjatë këtij procesi, presionet dhe ndërhyrjet janë të konsiderueshme si nga organet shtetërore, por më së shumti nga grupet shoqërore apo individë të veçantë. Duke qenë kompetent, si dhe duke e njohur gjendjen, H. Prishtina konkludon, saqë me keqardhje por po aqë me forcë, shprehet në Parlamentin Turk se “… Mjerisht, në vendin tonë shpërdorimi i pushtetit është bërë një gjë e zakonëshme…”, dhe si mjet për të shmangur këtë situatë ai gjykon që parlamenti me këmbëngulje t’i kushtojë vëmendjen e duhur këtij problemi. Këtë çështje ai e shtrin edhe më thellë në planin human, duke deklaruar se, shkelja e ligjshmërisë e zhyt vendin në mjerim, dhe se ky vend i banuar nga shqiptarët lidhet shpirtërisht me Turqinë, e cila këtu mund të gjejë si stërnipët, por edhe stërgjyshët dhe varret e tyre. I prekur nga padrejtësia që i bëhet popullit të vet përmes shpërdorimit të ligjshmërisë, ai tek e fundit shprehet: “… para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë…”. Dhe le të sjellim në vëmendje që kjo pjekuri e ky gjykim bëhet prej një 34 vjeçari. Gjithnjë, gjykuar në planin human, ai me patriotë të tjerë ka si moto që, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të përdoren mjetet diplomatike, pra t’i bëhet thirrje arësyes, dhe nëse këto gjykohen pa efekt, atëhere mund dhe duhet të përdoren mjetet e dhunës. Kjo zgjidhje që ofron është brenda kuadrit të parimit se “… atje ku nuk mbretëron logjika është e pamundur të fitohen të drejtat me logjikë…”. A nuk është shprehja e një humanizmi, jo vetëm të artikuluar, por sidomos të ndjerë, pohimi dhe veprimi i tij, i cili dërgon me shpenzimet e veta për studim në Shkollën Normale të Elbasanit të rinj kosovarë për t’i përgatitur si mësuesë të ardhëshëm ?! A nuk është po në këtë linjë pohimi që ai bën po në moshën 34 vjeçare, se fitimin që do të marrë nga botimi i një libri, do ta përdorë për të arësimuar fëmijët jetimë të Kosovës, të Dibrës, të Çamërisë, të cilët ndodhen në Shqipëri?! Të tilla veprime gjejmë deri edhe disa në veprën e tij .

Është në thelb të Kodit Moral të shqiptarit, që të japë një fjalë, të lidhë një besë dhe t’i respektojë ato. Është rasti që Ismail Kemal Begu (Ismail Qemali, S.R) i propozon të bëjnë një lidhje për t’ju kundërvënë të organizuar Turqisë. Me këtë rast H. Prishtina i parashtron mendimin e tij, duke i sqaruar thelbin e çështjes sa më poshtë: “Ismail Beg, para se me folë një fjalë mbatem (matem) shumë e mbasandaj flas, por mundem me ju sigurue që zakoni im asht me mbajt një fjalë q’i më del nga goja…”. Mbi këtë akt edhe u bë betimi duke dhënë fjalën e nderit për të mbajtur të fshehtë qëllimin dhe mënyrën për arritjen e tij. Në këtë akt të shenjtë moral biri i Kosovës dhe i gjithë Shqipërisë reflekton burrëri e besë duke u shprehur: ”… po ju deklaroj edhe një herë që, ku të dalë le të dalë, unë kam për të kenë në mal kur ka me tingëllue çasti i kryengritjes…”. Cilësinë e mësipërme e shpalos edhe me diplomaci, por edhe hapur kur e paralajmëron sulltanin se, nëse nuk do t’i jepet fund politikës së shtrembër, atëhere vendi do të shndërrohet në lëmë të ngjarjeve të përgjakëshme, si dhe do të eci me vrap “… kah një rrënim i plotë…”.

Pa dyshim që H. Prishtina në lëmin e dilomacisë mbetet ndër më të spikaturit, jo thjesht për elokuencën e shprehjes më shumë sesa për forcën e logjikës që përdor. Këtë fakt janë edhe disa personalitete të huaja që e evidentojnë. Në vitin 1923 gazeta italiane “Il nuovo paesse”, thekson edhe faktin: “Pamja e rreptë dhe e qetë e Hasan Beut nuk të le të kuptosh se ai ka qenë protagonist ngjarjesh të suhishme, aqë më pak e tregon e folura e tij e matur e kursyer prej diplomati…”.

  Zgjidhjen e çështjes shqiptare në tërësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti, e shtron lidhur me zgjidhjen e problemit të pakicave kombëtare në shkallë rajonale dhe më gjerë, duke e parë atë si një çështje të madhe të njerëzimit e të paqes, duke pohuar konkluzionin e tij logjik se, “… popujt e shtypur të fitojnë të drejtat e tyre. Kjo është rruga e vetme për të bërë që Ballkani të mos jetë më një vullkan i rrezikshëm…” ; problem ky i ashpër edhe në ditët tona po të gjykojmë se vetëm në konfliktin e Serbisë në Bosnjë-Hercegovinë numri i viktimave është mjaft i madh (më se 260 mijë jetë njerëzore të humbura në flakët e luftës, S.R). Por edhe në konfliktin me Kosovën u terrorizuan mijëra njerëz të pafajshëm, u vranë më se 15.000 vetë, u aplikuan varret masive etj. Le të mos harrojmë se këto janë jetë njerëzish, shumë prej tyre janë tërësisht krijesa të pafajëshme si fëmijë, gra, të moshuar…

Si diplomat Hasan Prishtina evidenton ato gjëra që prekin dhe lenë gjurmë. P.sh për regjimin e shtetit Serbo-Kroat-Slloven, që kur vendosi sundimin në Kosovë më 15-30 tetor 1918, ai shprehet se terrorizon krahinat shqiptare me pretekstin e shtypjes së kaçakëve duke mos kursyer as gratë, fëmijët e pleqtë, një përsëritje kjo edhe në ditët tona; se kolonizojnë tokat shqiptare me rusë, serbë e malazesë, se  “Kushtetuta serbe përsa u përket shqiptarëve… nuk ka veçse vlerën e letrave të lyera me ar, për të mashtruar më mirë opinionin publik të botës së qytetëruar…”,  se drejtësia serbe “është në nivele fatkeqe”, “… është i vetmi vend në botë ku bëhen vrasje në prani të gjyqtarëve, të cilët heshtin…”. Ja se si historia shpesh herë përsëritet, por në forma më të kamufluara po të kemi parasysh atë politikë thellësisht antishqiptare që ndoqi regjimi serb i Sllobodan Milosheviçit edhe në vitet 1998-1999, një politikë e denoncuar prej autoriteteve shqiptare në të dy anët e kufirit.   Thelbin e karakterit të patriotit konseguent Hasan Prishtina e përbën fakti që, morali i tij është i patundur dhe i pandryshuar, qoftë edhe përballë presioneve. Ai deklarohet qartë dhe prerazi: “Në kam frikë, kam vetëm prej ndërgjegjes…, në sytë e mi çka janë gegët po ata janë toskët…”. Në dhjetor 1921 atij i kërkohet që të japë dorëheqjen si deputet i Drinit, prandaj midis të tjerash i thotë Ahmet Zogut: “Shqiptarëve nuk mund me ja lidhë gojën jo dyfeku por as topi…”. Kjo këmbëngulje trimërore shfaqet kudo ku ai vepron e punon. Le të mbajmë parasysh që edhe këmbëngulja e tij, konseguenca e tij në çështjen kombëtare është bërë shkak që të dënohet 5 herë me vdekje. Në mars 1925 në varrimin e shokut të tij të idealeve dhe të betejave Luigj Gurakuqi, përposë të tjerash H. Prishtina merr kurajon të shkruajë dhe të shprehet në publik: “… Një atdhetar, idealisti i shquar… ra dëshmor prej dorës së një tradhëtari, një krimineli… O Gurakuq,… Qetësohu… Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau !…”.  Këtë fat ai vetë do ta pësojë më vonë, por shpirtërisht ishte përgatitur për çdo situatë të vështirë, që do t’i kërkonte edhe jetën për interesat e Atdheut. Më 1928 ai shprehet: “Atë ditë që për të mirën e atdheut hyna në fushën e politikës, kam pranue edhe të gjitha ataket, kundërshtimet, akuzat e shpifjet…”.   Karakteri i H. Prishtinës nuk u thye kurrë, atij i ofruan në Turqi e Serbi, por edhe A. Zogu në Shqipëri, pasuri e ndere, i premtuan t’i kthejnë pasurinë me të cilën mund të peshonte në ar çdo kundërshtar të tij, mjafton që të hiqte dorë nga parimet morale, por ai refuzoi postin e ministrit të një perandorie 33 milionëshe, duke zgjedhur”… në vend të një kolltukut me turp në Stambollë… kryengritjen me nder në malet e Kosovës… Rrugën e tradhëtisë as e kam shkelë, as nuk do ta shkeli kurrë… Mue në ide teme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve ! ka me më shtrue vetëm vdekja!”.  Ky është në përgjithësi Kodi Moral i patriotit të mençur kosovar me gjak shqiptari, Hasan Prishtina, një Kod Moral i lartë dhe i pastër nderi. Safet N. Ramolli