Hannes Britschgi, opinionisti i “Blick am Abend”: Ekipi shqiptar, krijon Shqipërinë e Madhe

Një nga opinionistët e gazetës së përditshme zvicerane “Blick am Abend”, Hannes Britschgi, ka analizuar përbërjen e kombëtares shqiptare dy ditë para se përfaqësuesja zvicerane të përballet me të. Ai e ka quajtur atë si një “kombëtare mbarëshqiptare”.

Në shkrimin e tij të botuar në sajtin e gazetës “Blick am Abend”, Britschgi shkruan se disa futbollistë të kombëtares shqiptare kanë rrënjë nga Maqedonia e Kosova, duke e formuar kështu një Shqipëri të bashkuar.

“Përse vëllai i Granitit, Taulanti vendosi të luante për Shqipërinë derisa rrënjët e familjes së tij janë nga Kosova? Përse Naser Aliji nga Maqedonia, Lorik Cana, Burim Kukeli dhe Ermir Lenjani nga Kosova zgjodhën Shqipërinë? Sepse ata i takojnë etnitetit shqiptar”, shkruan autori i shkrimit në të përditshmen zvicerane, Hannes Britschgi.

Më tej, duke analizuar prejardhjen e origjinës së këtyre futbollistëve, ai parashtron një pyetje të natyrshme: “Pra gjithë këta futbollistë të Shqipërisë të shtunën do të paraqesin një Shqipëri të Madhe? Gjë e ndërlikuar”, shkruan ai.

Nërsa gazeta tjetër zvicerane, “Blick”, po i kushton rëndësi të madhe kombëtares shqiptare. Madje, në sajë të pjesëmarrjes së saj në Kampionatin Evropian ajo ka vendosur që të botojë në gazetën e saj edhe në gjuhën shqipe për një javë.

shqipi