Greqia ofron edhe një bllok tjetër nafte në Jon pranë kufirit detar me Shqipërinë

Qeveria greke nuk humbet kohë për shfryëtzimin e asaj që konsiderohet si një rezervë gjigande hidrokarburesh shumë pranë kufirit detar me Shqipërinë. Ajo ka miratuar këto ditë propozimin për të eksploruar për burime “off shore” nafte e gazi në detin Jon, pranë Korfuzit, si dhe në Kretë.

Ka qenë ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Jorgos Stathakis, që miratoi propozimin e dytë për eksplorim në Greqinë Perëndimore, me kërkesë të kompanisë Energean Oil and Gas. Energean tani gëzon të drejtat për të bërë kërkime në blloqet 3 dhe 7 të detit Jon.

Njëri nga këto blloqe ndodhet në pjesën ujore që rrethon ishullin e Korfuzit nga ana perëndimore dhe tjetri në jug të ishullit, në bllokun që përfundon në Gjirin e Artës. Bëhet fjalë për një sipërfaqe totale prej 6.700 kilometrash katrorë.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Energean, kompania që do të kryejë eksplorimin, deklaroi se një epokë e re po vjen.

Koncesionet
Vetëm një muaj më parë, qeveria e fqinjit jugor ka dhënë me koncesion edhe kuadratet detare e tokësore në zonën e Veriut deri në Peloponez, nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar në Athinë me kompanitë fituese të koncesioneve.

Ministria greke publikoi vetëm marrëveshjen dhe jo hartën detare ku do të kryhen kërkimet fizike, duke shtuar atëhere dyshimet se ato prekin hapësirë detare ende të negociueshme mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ndërkohë për kërkimet në tokë, harta dhe koordinatat u publikuan normalisht. Mes zonave të dhëna me koncesion ishte edhe “Joni 2”, që është kuadrat në veri të ishullit të Korfuzit. Kjo zonë iu dha konsorciumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison” dhe shpimi i parë është parashikuar të kryhet brenda vitit 2018.

Marrëveshja
Ndërkohë, ende nuk është dhënë me koncesion kuadrati “Joni 1”, mnjë pjesë e të cilit ndodhet brenda zonës që duhet të jetë ekzkluzivitet i Shqipërisë, por që, në bazë të marrëveshjes së demilitimit të ujërave me Greqinë mes ish-ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe ish-ministres greke të Jashtme Dora Bakojannis, një pjesë e madhe e tij i premtohet zonës ekskluzive ekonomike të Greqisë.

Marrëveshja mes dy vendeve u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare dhe nuk u ratifikua nga parlamentet respektive. Ndërkohë, Athina ka vazhduar programin e saj të kërkimeve. Kërkimet fillestare sizmike, të kryera nga një kompani norvegjeze në zonën e diskutueshme janë kryer natën nën mbrojtjen e rojes bregdetare greke.

Për Athinën zyrtare kjo pjesë mbetet territor grek, madje për këtë Greqia ka dorëzuar edhe koordinatat gjeografike të saj në departamentin e hartave të OKB-së, pa peitur një rezultat të bisedimeve apo marrëveshje të re mes dy vendeve.