Gjykata e Hagës vendosi burgim të përjetshëm për “kasapin e Ballkanit”, Ratko Mladiç

“Kasapi i Ballkanit”, Ratko Mladiç  u dënua në Tribunalin e Hagës me burg të përjetshëm. Gjykatësit konstatuan se ish-komandanti i forcave serbe është përgjegjës për veprat më të rënda gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë. Ratko Mladiç, është fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe për krime të tjera që janë bërë në Bosnje-Hercegovinë. Trupi gjykues në Tribunalin e Hagës, në procesin e fundit që po zhvillohet atje, ishte i bindur me argumentet e prokurorisë dhe vendosi që ish-komandanti i forcave serbe në Bosnje – Hercegovinë të mbetet në burg të përjetshëm. Udhëheqësi i trupit gjykues, Alfons Ori, konstatoi se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve të atjeshëm. Qëllimi i të akuzuarit ishte ndarja e burrave nga femrat dhe ekzekutimi i tyre, deportimi i popullatës tjetër dhe spastrimi nga myslimanët. Mladiç i ka dhënë urdhra konkrete në lidhje me krimet dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Mlladiqi bën kryq, por gjendja e tij përkeqësohet

Ratko Mladiç  u fut në sallë në gjendje të mirë shëndetësore. Së pari bëri kryq, ngriti gishtin e madh dhe u ul. Gjatë fjalës së gjykatësit Ori, i cili lexonte argumentimin e vendimit, Mladiç i tundte kokën në shenjë mohimi dhe me buzëqeshje përcolli fjalinë e tij, se “pas një vendimi të nënshkruar nga Karaxhiqi dhe Mladiç i, ka qenë shumë i qartë qëllimi që territori i Srebrenicës të spastrohet nga boshnjakët dhe ajo të shndërrohet në territor serb”. Por ndërkohë  gjatë leximit të vendimit, u përkeqësua gjendja e tij shëndetësore dhe seanca u ndërpre për më shumë se gjysmë ore. Mbrojtja kërkonte ndërprerjen e procesit. Mbrojtja kërkoi që vendimi të shqiptohet pa leximin e argumentimit. Por gjykata vendosi të vazhdojë leximin, ndërsa Mladiç  u largua nga salla, për të ndjekur procesin përmes videos. Gjykata ka konstatuar se forcat serbe kanë granatuar edhe objektiva civile në Sarajevë, ku banorët kanë jetuar në një gjendje të pandërprerë rreziku. “Çdo herë kur kanë dalë nga shtëpia kanë rrezikuar jetën nga mundësia e goditjes së snajperistëve”. I akuzuari ka udhëhequr personalisht me granatimin e Sarajevës dhe ka urdhëruar ndërprerjen e furnizimit të qytetit. Ai ka drejtuar edhe fushatën e goditjeve me snajper të popullatës civile në Sarajevë.

Keqtrajtime, deportime, krime, dhunime

Në burgje ka pasur keqtrajtime të rënda fizike dhe psiqike. Të zënit robë janë detyruar të dhunojnë njëri-tjetrin. Shumë myslimane janë dhunuar, ndër to edhe fëmijë që kanë pasur vetëm 12 vjet. Në shumë rajonet të Bosnje-Hercegovinës (Banjalukë, Bijeljinë, Foçë, Ilixhe, Novi Grad, Pale, Prijedor, Rogaticë, Sanski Most, Sokolac, Vlasenicë), ka pasur deportime masive të myslimanëve. Gjykata ka konstatuar se në B-H janë bërë krime kundër njerëzisë dhe shfarosje masive të myslimanëve. Pala kundërshtare ka treguar pak, apo aspak, sjellje njerëzore dhe humane. I akuzuari ka qenë në kontakt të përhershëm me Serbinë dhe krerët e ushtrisë serbe, me qëllim koordinimin dhe furnizimin e forcave serbe në B-H. Mladiç i kishte kufizuar edhe furnizimin e popullatës civile myslimane. Ai kishte organizuar edhe një qendër propagande kundër kroatëve dhe myslimanëve dhe ka gënjyer bashkësinë ndërkombëtare. Veprat e tij kanë mundësuar kryerjen e krimeve në përmasat që kemi parë. Qëllimi i të akuzuarit ka qenë largimi i përhershëm i myslimanëve dhe kroatëve nga territoret, për të cilat është pretenduar që atje të mbeten vetëm serbët. Mladiç  ka qenë pjesë e grupit kriminal ku kanë qenë edhe Plavshiq, Krajishnik, Karaxhiq dhe të tjerë. Mladiç ishte përgjegjës edhe për marrjen peng të pjesëtarëve të forcave ndërkombëtare (Unprofor), të cilët janë dërguar në vendet strategjike, për të penguar bombardimet e forcave ndërkombëtare.

Vendimi

Pas trajtimit të të gjitha argumenteve, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe dokumentet, Ratko Mladiç , nuk shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje-Hercegovinës, që ishte pika e parë e atkakuzës. Por Mladiç i u shpall fajtor për 10 pikat tjera të aktakzës: për gjenocid në Srebrenicë, krime, deportime, dhunime, vrasje, krim kundër njerëzisë, terror dhe shkelje të parimeve të luftës, sulme ndaj civilëve, marrje të pengjeve… Këto janë krimet më të rënda që njeh njerëzia. Ndaj gjykata në shkallë të parë vendosi: Rako Mladiç  denohet me burgim të përjetshëm. /DW/Bahri Cani/