“Gjunjëzohet” Basha: Gati të diskutojmë çdo sistem që ofron garanci për moskapje të drejtësisë

Pavarësisht dështimit të takimit me Kryeministrin, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka shprehur gadishmëri të vijojë përpjekjet për tu dakortësuar me shumicën për reformën në drejtësi. Gatishmërinë për ta mirtuar sa më shpejt reformën e shfaqi dhe me zotimin e tij për të diskutuar çdo fomulë që garanton moskapjen e sistemit, edhe përtej formulës  së “vendeve të rezervuara” që futi palët në nje ngërç të ri gjatë orëve të fundit. Lulzim Basha ftoi Ambasadorët të thyejnë heshtjen, pasi kjo e ndihmon politikën shqiptare të kapërcejë paqartesitë mbi reformën.

Pavarësisht dështimit në diskutimin ballë për ballë, kreu i opozitës ftoi Kryeministrin Edi Rama, pa humbur kohë ta miratojnë në Parlament draftin për drejtësinë, për të cilin thotë se është rakorduar dhe me ndërkombëtarët.

Basha: Partia Demokratike e dëshiron këtë reformë siç dëshiron integrimin europian të vendit. Ndaj dhe një herë i bëj thirrje kryeministrit, mazhorancës, të bëhen gati të votojnë bashkë me ne paketën kushtetuese dhe ligjet kushtetuese, ashtu siç i kemi rakorduar, jo sipas tekave dhe kapriçiove, por sipas garancive që ofrojnë.

I ftuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci në konferencën për korrupsionin, Basha u shfaq i ç’tensionuar dhe garantoi investim të  sinqertë të opozitës për të diskutuar çdo propozim  të mazhorancës që garanton moskapjen politike të drejtësisë, mekanizëm që mund të tejkalojë dhe “kuotat e rezervuara” që ndan palët.

Basha: Edhe një herë i përsëris se nëse ka një model që ofron më shumë garanci kundër kapjes politike se ky që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias, jemi gati ta diskutojmë dhe ta pranojmë. Por se nuk mund të pranojmë e nuk do të pranojmë asgjë më pak sesa garancitë që ofron modeli që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias.

Kryetari i Partisë Demokratike e zbuti gjuhën me ndërkombëtarët, ndërsa kërkoi ndihmën e tyre që të përmbyllet me sukses ky proçes.

Basha: I bëj thirrje të gjithë atyre që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë këto 25 vite për një Shqipëri europiane, euroatlantike, demokratike, të hapur dhe të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës që të na ndihmojë përsëri. Heshtja nuk është naivitet por është bashkëpërgjegjësi. Shqipëria do të ketë një reformë në drejtësi.

Pavarësisht gjuhës së zbutur dhe zotimit për të diskutuar propozime që çojnë në zgjidhje, Basha është skeptik për vullnetin e Kryeministrit për  drejtësi të reformuar, duke akuzuar se Kryeministri edhe tani po ushtron presion mbi gjykatën për Drejtorin  e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.