‘Gjuetia’ ndaj parave të krimit, konfiskohen 670 mijë euro pasuri dhe 3 mjete luksoze

Policia e Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka sekuestruar vila, njësi tregtare dhe automjete, pasi dyshohet se janë pasuri me burim të dyshimtë kriminal.

Pasuritë e sekuestruara me vendim gjykate i përkasin personit me inicialet V. H. dhe familjarëve të tij, i cili akuzohet per pastrim parash.

Policia thekson se ndaj këtij personi ka dyshime nga partnerët, se është i përfshirë në aktivitet kriminal për shfrytëzim prostitucioni në Milano – Itali dhe për trafik të narkotikëve në Francë dhe Belgjikë.

“Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finaciar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në kuadër të Panit të Masave “VJESHTË 2017” Për goditjen e grupeve dhe aseteve kriminale” si dhe në kuadër të Procedimit penal të vitit 2017, regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit V. H., u bë vendosja e sekuestros preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi dhe familjarëve të tij.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë dhe automjetet e mëposhtme:

a) 2 njësi tregtare ( ambiente biznesi bar kafe & parukeri)

b) 2 godina banimi ( 1 vilë 3 katëshe & 1 apartament 80 m2)

c) 1 sipërfaqe toke rreth 15 000 m2

d) 5 automjete luksoze ( me vlera monetare të konsiderueshme )

Vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 670 000 Euro.

Vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin e rasteve të tjera.

Asetet kriminale, bllokohen 3 automjete luksoze

Ndërkohë më herët, tre automjete janë konfiskuar nga Policia e Shtetit për mosjustifikim të prejardhjes së të ardhurave të përdorura për blerjen e tyre.

Kjo u realizua në saj të aksionit të titulluar “Vjeshtë 2017”, për goditjen e grupeve kriminale si dhe identifikimin, gjetjen, kapjen me qëllim sekuestrimi, konfiskimi dhe rikuperimin e aseteve kriminale, për të pasur si synim final garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend.

Ndërkohë që vijon puna për identifikimin e personave të tjerë për të cilët ka të dhëna se kanë ushtruar dhe ushtrojnë aktivitete kriminale.

Javanews.al