Gjon Mili, takimet dhe fotot me Sean o’Casey

Nga Kristaq BALLI

Opusi i prodhimtarisë fotografike të fotografit gjenial shqiptar në SHBA, Gjon Mili (1904-1984), është aq e pasur e gjithëprfshirëse, si edhe e një niveli të lartë profesional e artistik, sa mund të konstatosh pa asnjë pikë mëdyshje se nuk ka fushë të veprimtarisë krijuese artistike e intelektuale botërore, ku ai të mos ketë lënë gjurmë e dëshmi të përkryera të artit të tij fotografik. Dhe këtë ai e ka bërë kryesisht nëpërmjet revistës po aq të famshme të asaj kohe “LIFE”, e cila ishte pasqyruesja kryesore e jetës ekonomike, shoqërore, shpirtërore, kulturore, artistike, sportive amerikane dhe kishte si bashkëpunëtorë të saj disa prej eseistëve e fotografëve më të zëshëm të asaj kohe,midis të cilëve edhe inxhinierin e fotografin protagonist nga Korça, Gjon Mili. Por, ai udhëtoi edhe në shumë vende të tjetra të botës në kërkim të figurave të shquara intelektuale që bashkë me ato amerikane përbëjnë një galeri të pafundme personazhesh e subjektesh fotografike, si dhe eksplorime, novacione e forma të reja kërkimesh e realizimesh artistike që mbeten prova të pashlyeshme botërore.
Dëshmi e një marrëdhënieje madhore humane e artistike për Gjon Milin është edhe ajo me artistin e shquar irlandez të të gjitha kohrave Seán O’Casey(1880-1964). Ai ishte dramaturg, skenarist, shkrimtar, gazetar mendimtar, memuarist i shquar irlandez. Pas një fëmijërie dhe adoleshence të vështirë ekonomike, sociale e shëndetsore, sprovën e tij të parë letrare e përbëjnë baladat satirike, nga të cilat “The Grand Oul’ Dame Britania” u botua më1916 në “The Workers’ Republic” me pseudonimin An Gall Fada dhe pasi u bë këngë konsiderohej si himni rebel irlandez. Ato përkonin politikisht me bindjet e tij naconaliste irlandeze e sidomos me brumosjen etij si zëdhënës e mbrojtës i klasës punëtore dhe teorisë së socializmit. Ai ishte për disa kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ushtrisë Qytetare Irlandeze. Së paku ai ishte opozitar i rekrutimit të ushtarëve irlandezë nga Anglia në Luftën I Botërore. Prej hidhërimit të varfërisë dhe të dashurisë për njerëzimin Sean O’Casey krijoi veprat në dramë, prozë e poezi që i këndonin lirisë së munguar dhe varfërisë fyese shpirtërore. Por edhe pse shumë i involvuar e i mjegulluar pas dogmave të ideologjive politike, suksesi i veprave të tij do të ishte i padiskutueshëm. Kritikët kanë vlerësuar se në radhë të parë ai ishte një krijues, një dramaturg. Mirëpo nuk kish një vijë të qartë ndarëse midis krijimtarisë dhe bindjeve të tij politike. Ai ishte produkt i trashëgimisë së klasës punëtore irlandeze dhe avokat i saj. Krijimtaria dhe politika kishin difuzuar tek njera-tjetra. Drama e tij e parë ishte “The Frost in the Flower” (Brymë në Lule) e cila nuk u pranua të vihej në skenë, por u ripunua dhe u rititullua “The Harvest Festival” (Festivali i Korrjeve), më 1918 dhe mbeti po e tillë.
Dramat promovuese të O’Casey të inskenuara nga Abbey Theatre (Teatri Kombëtar i Irlandës) ishin “The Shadow of a Gunman” (Hija e Banditit) më 1923 e pasuar nga “Juno and the Paycock” (Juno dhe Papagalli, i cili u bë edhe film nga Alfred Hitchcock), 1924 dhe “The Plough and the Stars” (Parmenda dhe Yjet), 1926. Këto vepra trajtonin efektin e luftës civile irlandeze në dëm të klasës punëtore dhe varfërisë së saj, godisnin me realizëm retorikën dhe rrezikun kundër patriotizmit dhe nacionalizmit, ishin tragjikomedi ku vdekja e dhunshme nga burra kapadainj e violentë përballej me mbijetesën dhe aftësinë ripërtëritëse të heroinave mbijetuese gra. Ai vinte nga një sfond punëtorësh dhe e vlerësoi me entusiazëm socializmin si një nga eksperimentet më të mëdha njerëzore në krijimin e një shoqërie të një tipi të ri, që i atribuonte përparësinë në evoluimin e trashëgimisë së tij socialiste.
Më 1926 shkoi në Londër për të marrë çmmin” Hawthornden”, ku u dashurua e u martua me aktoren Eileen Carey dhe ku qëndruan deri me 1938. Drama pasuese e katërt ishte “The Silver Tassie” (Tassie e Argjendë), 1928, një goditje ndaj luftrave imperialiste dhe vuajtjeve që shkaktonin ato. Në vitin 1934 shkon në New York City për të ndjekur shfaqjen e tij “Within the Gates” (Brenda Portave). Ai shkrojti, gjithashtu gjatë Luftës II Botërore disa pjesë të tjera teatrale që kundërshtonin nazizmin, po ashtu ishte aktiv në jetën politike e letrare të mëvonshme, sidomos me disa pjesë eksperimentale më ekspresioniste dhe i kushtoi shumë kohë autobiografisë së vet të ripunuar e botuar disa herë. Sidoqoftë trilogjia dramatike e fillimeve të tij mbetet përfaqësimi më dinjitoz e më i suksesshëm i dramaturgjisë së tij.
Në vitin 1963 ai botoi librin me esse “Under a Colored Cap” (Nën një Kapele të ngjyrosur) dhe në vitin e vdekjes, 1964 Kompania Metro Goldwyn-Mayer xhironte filmin “Young Cassidy” (Cassidy i Ri), bazuar mbi autobiografinë e tij.
Në fondin e tij letrar Sean O’Casey ka rreth 30 drama, një pjesë e të cilave nuk u ndriçuan nga projektorët e skenës, për shkak të antikonformizmit, rebelizmit dhe kompleksitetit të karakterit të tij social e politik. Ai përfaqësohet kryesisht me dramat e tij të para dhe disa të tjera si “The End of Beginning” (Fundi i Fillimit), 1937, “The Star Turns Red” (Ylli Bëhet i Kuq), 1940, “Red Roses For Me” (Trëndafila të Kuq për Mua), 1942, “Time to Go” (Koha për të Shkuar), 1951, si dhe me veprën e madhe autobiografike “Mirror in My House” (Pasqyrë në Shtëpinë Time), 1956. Ai konsiderohet si një nga dramaturgët më të veçantë e origjinalë në mënyrën se si lentet e tij artistike e zhbiruan realitetin dhe se ato i dhanë një pamje tjetër Irlandës në raport me Europën.
Sean O’Casey ka merituar “Çmimin Hawuthornder”, 1926, Çmimin “Newspaper Guild” të “Page One Award” të Nju Jorkut për pesë drama, 1949, “Urdhërin e Mbretërisë Britanike” (I refuzuar), disa gradime honorifike universitare irlandeze (të refuzuara), etj.
Sot, në Dublin të Irlandës ka një teatër dhe një urë që mbajnë ermin e tij.
Sipas kujtimeve, Gjon Mili e ka takuar disa herë Sean O’Casey, por ai veçon dy prej tyre, ato të viteve 1942 dhe 1953 për seanca fotografimi. Në librin e tij autobiografik Sean O’Casey e ka përmendur Gjon Milin, duke e konsideruar si një mik të vjetër. Nga ana tjetër, përveç shumë fotove nga të dyja takimet, në librin e tij “Gjon Mili, Photographs & Recollection”, Mili përshkruan me shumë lakonizëm takimin e dytë me dramaturgun e njohur, duke evokuar edhe takimin e parë si dhe ndryshimet që kishin ndodhur gjatë kësaj kohe, duke i shoqëruar ato me disa prej fotove të tij shumë artistike.
Ja se ç’thotë Mili midis të tjerash: “Çdo mëngjes për dy javë ne takoheshim për ta fotografuar dhe ky u bë një ritual i ngrohtë e gazmor. ‘Si është miku im gjenial shqiptar këtë mëngjes të shndritshëm diellor?’ pyeste ai. ‘I kënaqur, sipas humorit tënd, shpresoj,’ ishte përgjigjia ime… Lart shkallëve qëndronte Sean me krahët e tij të shtrirë, si një pemë me dy degë. ‘Ti djalosh, ti je? Unë nuk shoh mirë, me shumë zor’ thosh ai. Unë prekesha dhe ndjeja siklet si t’i përgjigjesha.
Kishin kaluar 11 vjet që nga takimi i parë me O’Casey. Ai ishte një burrë i çiltër dhe ne shpejt krijuam një marrëdhënie: ai u bë subjekt i vullnetshëm dhe në këtë kontekst i referohesha ‘fotografit me fytyrë gjeniale shqiptare’. Preja që unë gjuaja me aparatin tim ishte njeri i kontrastit: i paduruar ose kokëfortë, pervers magjepsës, vocrrak dhe tërësisht përgjegjës për të treguar afeksionin e tij. I humbur në mendime, ai dukej si një prelat gjatë lutjes në një kishe angleze. Ai mund të luante si një Peikok, Xhokser apo Xhuno nëse duhej, apo të këndonte një këngë të përzemërt si përgjigje. Mund të ngujohej pranë radios për orë të tëra për të dëgjuar ndeshje kriketi. Jashtë, ai mbante në kokë një kapele dy numra më të madhe e këto i dukeshin ditët më të mira. Ai kujdesej për kopshtin e tij, ku kishte mbjellë bizele dhe duke qëndruar midis hardhive dredharake, mund ta ngatërroje me një dordolec…”
Pas bisedave për situatën ekonomike familjare, të cilën e menaxhonte me shumë kujdes gruaja e tij Eileen, me të cilën O’Casey ishte i kënaqur, ai shpërqëndrohej dhe hidhej në temë:
‘Keni për të bërë foto të tjera?’ Unë filloja ta fotografoja atë duke qëndruar përbri oxhakut të vatrës, ku ishte varur një pikturë, portret i tij bërë nga miku i tij Augustus John, ekzaktësisht të riprodhuar sipas fotos që i kisha bërë unë njëmbëdhjetë vjet më parë…
“…Mëngjezin tjetër e gjeja atë, sërish në divan në dhomën e ndenjes, të mbështjellë me një mantel të kuq si prej murgu, që ia kishte bërë e bija, Shivaun. Dhe ishte kjo pamje që dukej se reflektonte në fytyrën e tij mençurinë, zgjuarsinë dhe atë çka ështe e mirë në jetë. I tregoja se si në udhëtimet e mia të ndryshme, kur isha në vetmi, unë kujtoja një nga poemat e tij, “Kënga e Ëndërrimtarit” nga “Within the Gates” (Brenda Dyerve), për t’u ndjerë më i gëzuar.
Ai kuptonte manovrën time, por shumë i sjellshëm e elegant gjente joshjen dhe me një zë jo fort të kulluar, të ashpër fillonte të këndonte.Në këtë mënyrë dukej i ri, më i fortë, por shpesh zëri i tij zbehej, thyhej dhe ai rëndohej në frymëmarrje.
Qetësohesha kur vinte Eileen, e cila me një puthje dashurie, e këshillonte Sean të bënte dremitjen e tij para drekës. Pastaj uleshim në tryezë. Sean hante pak – një vezë të zier dhe më së shumti një gotë çaj. Dukej i paduruar të ndizte llullën e tij të vjetër dhe më pas, siç e kishte zakon, ngrihej me marifet dhe më përshëndeste me një “adio” të përzemërt. Pastaj shkonte për t’u shplodhur.
Shpresoja të vija përsëri e t’i tregoja disa foto. Megjithse ai e kishte humbur thuajse fare shikimin e njerit sy, ndërsa tek tjetri i kishte mbetur vetëm një rreze shikimi, ai e vendoste foton shumë afër syrit të tij të mirë, sa s’e prekte me qerpikë, sikur e skanonte e përpiqej të gjente e të bashkonte elementët për të bërë një koment të sforcuar si: ‘Ou, kjo është një përvojë! Nuk mund të kem qenë më i lumtur se kaq, kur ju e keni realizuar këtë, apo jo!’ “(Gon Mili Photographs & Recollection, Boston1980, P.102)
Fotot që Gjon Mili ka realizuar për Sean O’Casey janë ndoshta nga më të veçantat, pasi ato e portretizojnë figurën e tij kontraverse jo vetëm me elementë dhe detaje origjinalë fizikë shumë shprehës, por edhe të karakterit të tij, ku spikat madhështia dhe autoriteti, krenaria, qëndresa, antikonformizmi, imponimi e rebelizmi i tij shpirtëror. Revista “LIFE”, për të cilën Gjon Mili punonte, bashkë me tufën e fotove të vitit 1954, në artikullin e vet shprehet: ” Tani që Bernard Shaw-një irlandez dhe Eugene O’Neill, djali i një irlandezi kanë vdekur, dramaturgu më i madh në gjuhën angleze që jeton është një tjetër irlandez, Sean O’Casey”, si dhe “…kur shumë, por jo plotësisht, nga bota që O’Casey solli në jetë nëpërmjet skenës apo librave ishte zbehur në vite, “LIFE” kujton një Irlandë që reziston në memorjen e vyshkur, në letërsi dhe në fotot e mrekullueshme të Gjon Milit”.

Koha Jone