Gjithçka që duhet të dini për Koronavirusin, sipas OBSH, New Scientist, New York Times, Science, dhe Le Monde

Koronaviruset janë një familje e viruseve të zakonshëm, të quajtur kështu për shkak të majave në sipërfaqen e tyre, të cilat formojnë një lloj kurore. Ato mund të shkaktojnë sëmundje që fillojnë nga ftohja e zakonshme, deri tek sindromat më të rënda të frymëmarrjes, si Mers (sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së Mesme) dhe Sars (sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes). Në vitin 2003, SARS infektoi më shumë se tetë mijë njerëz, dhe 774 prej tyre vdiqën. Epidemia aktuale, e cila shpërtheu në Vuhan, një qytet kinez me 11 milion banorë në provincën e Hubeit, është shkaktuar nga një koronavirus deri më tani i panjohur, i quajtur 2019-nCoV.

Cilat janë simptomat e virusit të ri?

Mbi të gjitha temperaturë dhe kollë, dhe në disa raste, edhe vështirësi në frymëmarrje. Simptomat duket se shfaqen mes dy ditësh dhe dy javësh, pasi personi është ekspozuar ndaj virusit. Një studim, botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, ka analizuar të dhënat për 99 pacientë të shtruar në spitalin Jinyintan në Vuhan, midis 1 dhe 20 Janarit.

Eshtë vënë re që 49 prej tyre kishin qenë në tregun Huanan, nga i cili fillimisht mendohej se kishte filluar epidemia. Mosha mesatare e pacientëve ishte 55.5 vjeç, ku përfshiheshin 67 burra dhe 32 gra. Pak më shumë se gjysma kishin sëmundje kronike të mëhershme. Simptoma të tjera të raportuara përfshijnë dhimbje të muskujve (11 pacientë), konfuzion (9) dhe dhimbje koke (8). Vetëm katër kishin edhe një gjendje të ftohure. Shtatëmbëdhjetë pacientë zhvilluan sindromën e distresit akut të frymëmarrjes (ARDS) dhe, midis tyre, 11 pësuan përkeqësim të shpejtë dhe ndërruan jetë. Në përgjithësi, sëmundja duket se prek meshkujt më të moshuar, që kanë edhe patologji të tjera.

Si diagnostikohet dhe kurohet virusi?

Autoritetet kineze të shëndetit e rikrijuan virusin në laborator, krijuan sekuencën e gjenomës së tij dhe e ndanë këtë sekuencë, me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Virusi u rikrijua gjithashtu nga një grup studiuesish australianë, të cilët e vunë në dispozicion të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH). Nuk ka antiviralë specifike për infeksionin, vetëm trajtime simptomatike ose antivirale, që zakonisht përdoren për infeksione të tjera. Aktualisht nuk ka vaksinë, por shkencëtarët e kanë identifikuar virusin shpejt, si dhe kanë zhvilluar një test diagnostik në më pak se një muaj. Përparimet në teknologji mund të lejojnë testimin e një vaksine ndaj 2019-nCoV, brenda tre muajve. Sidoqoftë, kalimi nga testimi në prodhimin masiv, mund të kërkojë disa vite.

Si transmetohet?

Koronavirusi i Vuhanit ka shumë të ngjarë të transmetohet përmes kollitjes dhe teshtitjes, njësoj si gripi. Por nuk përjeshtohet që të transmetohet nga persona të infektuar por pa simptoma, ose gjatë periudhës së inkubacionit. Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë shkallën e transmetimit. Një studim i dytë nga “The Lancet”, këtë herë mbi një familje, tregon se virusi kaloi nga një i sëmurë, tek gjashtë të tjerë; vetëm dy prej tyre kishin pasur kontakte me pacientin fillestar. Studimi ishte konfirmimi i parë i transmetimit të virusit, nga personi në person.

Sa ngjitës është virusi?

Ende nuk është e qartë. Dihet që transmetohet nga një person tek tjetri. Autoritetet kineze kanë paraqitur prova të rasteve të gjeneratës së katërt në Vuhan, dhe infeksione të gjeneratës së dytë jashtë qytetit. Llogaritja paraprake mbi numrin mesatar të infeksioneve që çdo person i infektuar mund të shkaktojë, e njohur si R0, tregon të jetë 1.4 deri në 2.5 për person të infektuar. Por të dhënat janë të pasigurta. Gripi sezonal zakonisht ka një R0 prej rreth 1.3.

OBSH ende po punon në këtë drejtim. Shumë prej rasteve të para të konfirmuara (por jo të gjitha) kishin të bënin me njerëz të. cilët, në dhjetor 2019, kishin qenë në një treg në Vuhan, ku shiten edhe kafshë të gjalla. Një analizë e fundit gjenetike sugjeron që koronavirusi i ri, u ngjan viruseve që prekin lakuriqët dhe gjarpërinjtë.

Sipas Kristian Andersen, një biolog nga instituti i kërkimit “Scriptps”, i cili analizoi sekuencat e virusit 2019-nCoV, infeksioni i parë mund të ketë ndodhur javë ose muaj më parë, dhe virusi ka mbërritur në këtë treg në një moment të dytë. Njerëzit gjithmonë kanë marrë sëmundje nga kafshët, në fakt shumica e sëmundjeve të reja infektive, vijnë nga bota e kafshëve. Mbijetesa evolucionare e baktereve dhe viruseve varet nga infeksioni i pritësve të rinj, dhe kalimi nga një specie në tjetrën është një mënyrë për ta bërë këtë. Por ndryshimi i klimës po e përshpejton këtë proces. Përveç kësaj, rritja e numrit të njerëzve që jetojnë në qytet dhe lëvizshmëria, madje edhe në shkallë globale, bëjnë që kur shfaqet një sëmundje e re, ajo të mund të përhapet më shpejt.

Ku është përhapur virusi deri më tani?

Nga afro dhjetë mijë raste të konfirmuara, më shumë se 98 përqind janë në Kinë, veçanërisht në Vuhan, por edhe në Pekin, Shanghai dhe Guangdong. Përveç rasteve të regjistruara, vlerësohet se ka edhe dhjetëra-mijëra të tjerë të infektuar. Nga 99 njerëz të infektuar në pjesën tjetër të botës (në rreth njëzet shtete), pothuajse të gjithë kanë ardhur nga Vuhani, ose qytete të tjera kineze. Raste të transmetimit nga personi në person që ndodhën jashtë Kinës, u regjistruan në Vietnam, Tajvan, Japoni dhe Gjermani.

Deri më tani 213 vdekje (të gjitha në Kinë) janë lidhur me virusin, duke treguar pra, një shkallë vdekshmërie prej rreth 2 përqind. Në të vërtetë, shkalla mund të jetë më e ulët, sepse mund të ketë patur shumë njerëz të tjerë infektuar me virus, por që nuk kanë shfaqur simptoma mjaft të rënda, sa për të shkuar në spital, dhe për këtë arsye nuk janë llogaritur. Në krahasim me të, gripi normal ka një normë vdekshmërie prej 0.14 përqind (rreth një në një mijë njerëz). Shkalla e vdekjes së Sars-it është 11 përqind, ajo e Mers-it 30 përqind. Çdo vit, gripi normal stinor prek miliona njerëz në të gjithë botën. Midis tre dhe pesë milion kanë komplikime, dhe 250 mijë deri 500 mijë ndërrojnë jetë.

A ekziston rreziku i një epidemie globale?

OBSH e ka shpallur epideminë e koronavirusit të ri një emergjencë globale shëndetësore (Public health emergency of international concern, ose Pheic). Veçanërisht shqetësimi është se koronavirusi mund të përhapet në vendet me sistem të dobët shëndetësor. Deklarata synon të rrisë nivelin e vëmendjes, si dhe të përmirësojë koordinimin ndërkombëtar. Kjo i lejon OBSH-së të rekomandojë masa për udhëtimin, tregtinë, karantinën, shqyrtimin, trajtimin. Rekomandimet nuk janë imponuese për shtetet, por kanë peshë praktike dhe politike.

Si përmbahet epidemia?

Qeveria kineze ka ndërmarrë masa të pashembullta për të ndaluar infeksionet: ka zgjatur festat e Vitit të Ri, ka mbyllur bursën dhe shkollat, deri në një njoftim të dytë. Zonat më të prekura nga virusi janë në karantinë: transporti publik dhe trafiku privat janë pezulluar. Masat prekin mbi pesëdhjetë milion njerëz, në të paktën 17 qytete. Hong Kongu ka ndaluar lidhjet hekurudhore me Kinën kontinentale. Shumë linja ajrore, të tilla si British dhe Lufthansa, kanë pezulluar të gjitha fluturimet me Kinën. Italia ka mbyllur trafikun ajror me Kinën. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Australia dhe Japonia kanë organizuar fluturime speciale, për të riatdhesuar qytetarët e tyre.

Nëse nuk keni qenë kohët e fundit në Kinë, ose në kontakt me dikë të infektuar me virus, nuk ka asnjë arsye për alarm. Në rastin e kollës ose simptomave të tjera të tilla si dhimbjet në gjoks, preferohet të telefononi mjekun dhe të mos shkoni vetë. Për të zvogëluar rrezikun e infeksionit, OBSH rekomandon:

lani shpesh duart, me sapun dhe ujë për 20 sekonda, ose me solucione me alkool;

teshtini ose kollituni me një shami, ose në përthyerjen e bërrylit;

mos i prekni sytë, hundën ose gojën pa larë duart;

shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit që janë të sëmurë, ose shfaqin simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes;

qëndroni në shtëpi nëse keni simptoma;

kushtojini vëmendje asaj që hani (shmangni mishin e papjekur ose pak të pjekur, frutat dhe perimet e palara);

pastroni dhe dezinfektoni objektet dhe sipërfaqet që mund të jenë kontaminuar.

Shumë ekspertë të sëmundjeve infektive, thonë se maskat ekonomike njëpërdorimëshe, të cilat mbulojnë hundën dhe gojën, mund të ndihmojnë në parandalimin e infeksionit, nëse vishen dhe përdoren siç duhet. Por ata pranojnë se nuk ka shumë prova shkencore për  efektivitetin e tyre, jashtë ambienteve të kujdesit shëndetësor.

Në fakt, shumica e studimeve kanë të bëjnë me përdorimin e maskave kirurgjikale për të mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitale. Ekspertët druhen se maska krijon një sens të rremë sigurie. Për më tepër, shumica e njerëzve nuk e përdorin atë si duhet: ata e vendosin dorën nën maskë për të kruasjtur fytyrën ose fërkuar hundën, duke sjellë ndotësit në kontakt me hundën dhe gojën, ose e heqin fare nëse marrin një telefonatë. Masa paraprake më e rëndësishme mbetet ajo e mos prekjes së fytyrës me duar, larja e tyre shpesh dhe shmangia e kontaktit me të sëmurët.

Burimet: OBSH, “New Scientist”, “Le Monde”, “Science”, “The New York Times” – Bota.al