Gjenocidi ekonomik që erdhi nga tufëzimi

Në vitin 1975 Partia e Punës nisi përpilimin e planeve për shkurtimin e oborrit kooperativist dhe tufëzimin e bagëtive. Oborr kooperativist quhej sipërfaqja e tokës që rrethonte shtëpinë ku banonte fshatari, e cila mbillej prej tyre për prodhimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, të cilat, sipas rastit edhe mund t’i shiste. Sipas të dhënave të vetë Partisë së Punës, kjo lloj ekonomie i jepte fshatarit 60% të të ardhurave e pjesën tjetër gjoja kooperativa. Heqja e menjëhershme e saj, solli një varfërim të tmerrshëm, jo vetëm për fshatin, por edhe për qytetin. Uria e asaj kohe krahasohet me standarde afrikane. Procesi i tufëzimit u reklamua sikur ishte me propozim nga poshtë, pra nga populli. Deri në fund të vitit 1979 u tufëzuan 52% e bagëtive që mbanin fshatarët. Për këtë arsye, shifrat e sjella për trazime prone në kushtet e mbijetesës janë të frikshme. Kështu, në plenumin e 7-të i KQ të PPSH-së, më 14-15 janar 1980 sekretari i kësaj partie, Simon Stefani, në raportin me objekt “ngritjen lart të nivelit drejtues e organizues dhe zgjidhjen e problemeve të ekonomisë”, bëri të njohur këto të dhëna:
-Shpërdorime e dëmtime të pronës shoqërore dhe shkelje të disiplinës financiare: 97.500 persona.
-Kundërvajtje në bujqësi (çdo vit): rreth 50 mijë persona.
Kjo pjesë nuk u botua në volumin e 7-të “PPSH dokumente kryesore”, por pjesa e shpërdorimeve u hoq.

(Duke filluar nga nesër, do publikoj disa shifra e të dhëna nga gjenocidi ekonomik i procesit të tufëzimit. Po ashtu edhe diskutime interesante, por qesharake të udhëheqjes së lartë, jashtë çdo realiteti në atë kohë).

Kastriot Dervishi