Gjatë takimit të nivelit të lartë të APEC-ut në Vietnam, Trump-Putin, flasin për Sirinë, vlerësojnë njëri-tjetrin

Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se gjatë takimit të nivelit të lartë të APEC-ut në Vietnam ai pati “dy ose tre biseda të shkurtra” me presidentin rus, Vladimir Putin të përqendruara tek gjendja në Siri.

Zoti Trump, duke folur me gazetarët në avionin presidencial Air Force One, ndërsa udhëtonte nga Dannang në kryeqytetin vietnamez të Hanoit, tha në një deklaratë të përbashkët për Sirinë, që ai kishte rënë dakord ta bënte publike me zotin Putin se “ajo do të shpëtonte shumë jetë njerëzish”.

Deklarata, që filimisht u bë publike nga Kremlini thoshte se dy udhëheqësit “konfirmuan rëndësinë e zonave të çtensionimit të konfliktit, si një hap kalimtar për të reduktuar dhunën në Siri, për të detyruar zbatimin e marrëveshjeve të armëpushimit, lehtësuar qasjen e ndihmave humanitare dhe për të krijuar kushtet për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit”.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se presidentët Putin dhe Trump “ranë dakord të mbanin kanale të hapura komunikimi mes profesionistëve ushtarake për të ndihmuar në garantimin e sigurisë të forcave ameirkane dhe ruse dhe të forcave partnere në luftën kundër ISIS-it”.

Zoti Putin u tha gazetarëve në Danang se deklarata e përbashkët ka një rëndësi të jashtëzakonshme, duke konfirmuar parimet e luftës kundër terrorizimit.

Presidenti Trump tha për udhëheqësin rus se “duket se ne kemi ndjesi të mira për njëri tjetrin, një marrëdhënie të mirë duke konsideruar faktin se nuk e njohim mirë njëri-tjetrin. Mendoj se është një marrëdhënie shumë e mirë”.

I pyetur nëse u diskutua çështja e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, zoti Trump u përgjigj “Ai tha se nuk ndërhyrim tha se nuk ndërhyri. E pyeta përsëri. Po s’mund të pyesësh 100 herë”.

I pyetur nga një gazetar nëse e besoi zotin Putin, presidenti amerikan u përgjigj:

“Nuk mund ta kaloj gjithë kohën duke debatuar me të. Preferoj ta bind që të largohet nga Siria, preferoj të punoj me të për Ukrainën np vend që të debatoj” për ndërhyrjen në zgjedhje.

Presidenti Trump shtoi: “E gjitha kjo u sajua nga demokratët” dhe tha se kjo çështje po pengon një bashkëpunim më të mirë mes Uashingtonit dhe Moskës”, në drejtim të çështjeve serioze globale.

“Mendoj se ai (Putin) është shumë i ofenduar, gjë që nuk është shumë pozitive për vendin”, sipas zotit Trump.

Presidenti rus tha në Danang, se nuk ka konfirmim për ndërhyrje ruse në zgjedhjet ku zoti Trump fitoi ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton dhe nuk do të ketë kurrë konfirmim.

Presidenti Trump, në avionin Air Force One, tha se Rusia mund t’i ndihmojë Shtetet e Bashkuara në mënyrë të konsiderueshme përsa i takon çështjes së Koresë së Veriut.

Por ai shtopi se nuk kishte folur për këtë çështje, sepse kishin pasur vetëm biseda të shkurtra ku kishin folur për Sirinë.

Zoti Putin, në komentet e tij për median tha se “diskutuam për gjithçka deshëm”, por për fat të keq nuk kishte pasur kohë për të folur në detaje.

Presidenti rus e përshkroi Presidentin Trump si një person me të cilin mund të fliste lehtë, me njohuri dhe tha se të dy ata kishin pasur këmbime shumë civile me njëri-tjetrin.

Megjithatë udhëheqësi rus paralajmëroi se ka shumë shans që të merren masa kundër medias amerikane në përgjigje ndaj një kërkese amerikane që televizioni RT të regjistrohet si agjent i huaj në Shtetet e Bashkuara.

CNN, Radioja Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës janë përmendur nga zyrtarët rusë dhe njoftimet e medias si objektivat më të mundshme për kundërpërgjigjen ruse. VOA