Gërmimet nëntokësore të AlbChrome fajësohen për rrëshqitjen masive të dheut në Bulqizë

Banorët e një lagjeje në Bulqizë besojnë se punimet e kompanisë AlbChrome për ndërtimin e traverbankut kanë shkaktuar rrëshqitje të tokës e cila u ka dëmtuar dhe u rrezikon shtëpitë. Një studim i Shërbimit Gjeologjik thotë se punimet minerare ishin një nga faktorët aktivë të rrëshqitjes, por kompania AlbChrome mohoi të kishte përgjegjësi dhe tha se lëvizja e tokës vinte nga mungesa e kanalizimeve në sipërfaqe.

Autor: Sami Curri  BIRN  Bulqizë, Tiranë

Prej shtatorit 2017 banorët e Lagjes së Re në Bulqizë shikojnë me frikë dhe ankth se si toka poshtë këmbëve të tyre rrëshket e çahet dhe muret e banesave dhe avllive plasariten e rrezikojnë të bien.

Çarja, e cila sipas një studimi të hartuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar në tetor të vitit të shkuar përfshinte 472 mijë metra katrorë dhe është në zgjerim, ka dëmtuar ndërkohë disa shtëpi dhe xhaminë fare pranë Qytetit të Ri në Bulqizë. Ashtu siç ishte parashikuar në studim rrëshqitja ka vijuar duke iu afruar pallateve të qytetit, ndërsa një familje ka braktisur banesën e  cila u kthye në të pabanueshme dhe të tjerët rrezikojnë të njëjtin fat.

“Të gjitha shtëpit e kësaj lagje i ka bërë thuajse të pa banueshme. Janë hapur muret, oborret. Jemi të friksuar se mos kjo lëvizje vazhdon akoma”, tha Xhafer Imeri, një prej banorëve të lagjes.

Imeri dhe banorët e tjerë besojnë se arsyeja e rrëshkitjes së tokës janë punimet e kompanisë AlbChrome për ndërtimin e traverbankut – një tunel horizontal nëntokësor që lidh minieren e Bulqizës me Shëngjunin në Klos.

“Pikërisht kur kanë filluar punimet për këtë traverbank (nën këtë zonë) kanë filluar edhe shembjet e tokës”, shpjegon Imeri.

Studimi i Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, i cili nga përpiluesit cilësohet si relacion emergjernce që duhet të pasohet nga një studim i thelluar, gjeti po ashtu se ndër faktorët e rrëshkitjes ishte “ndryshimi i drejtimit të ujërave nëntokësorë drejt punimeve minerare” duke veçuar traverbankun dhe gërmimet minerare nga 335-350 metra nën nivelin e luginës. [Kliko këtu për studimin]

Kompania AlbChrome e cila është koncesionari më i madh në minierën e Bulqizës dhe që po bën punimet për traverbankun, mohoi që aktiviteti i saj të ishte përgjegjës për situatën. “Mendimi ynë është se ulja e kores së tokës në një masë të tillë nuk është ndikuar nga ky punim”, thuhet në një përgjigje që ajo i nisi BIRN.

Megjithëse i referohet po raporti të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për llogari të Bashkisë Bulqizë, i cili veçon ndërtimin e traverbankut si një nga faktorët, kompania thotë se studim nuk konstatoi “që aresyeja është traverbanku”.

Ndërkohë, autorët e raportit gjeologjik bëjnë thirrje për një studim të thelluar të rrëshkitjes së tokës në Bulqizë duke nënvizuar se Shërbimi Gjeologjik Shqiptar nuk i ka kapacitet financiare për ta zbatuar. Kjo kërkesë mbështet dhe nga bashkia e Bulqizës, e cila shprehet se i ka kërkuar ndihmë ministrive të linjës.

Rreziku nga rrëshqitja

Zona e prekur nga rrëshqitja në Bulqizë | Foto nga Google Earth

Traverbanku i cili ishte planifikuar të ndërtohej që në mesin e viteve ‘80, për të mundësuar menaxhimin e ujërave nëntokësorë të minierës dhe po ashtu për të lidhur dy pjesë të saj dhe lehtësuar transportin e kromit. Punimet për të sidoqoftë ngecën, ndërsa rifillimi i tyre u njoftuar një herë në prezencë të ish-kryeministrit Sali Berisha në majt të vitit 2013, pasi Balfin Group bleu aksionet e kompanisë koncesionare deri atëherë ACR, dhe sërish në gusht të vitit 2015 në prani të kryeministrit Edi Rama.  Një vit më vonë, në vitin 2016 qeveria vendosi të zgjasë koncesionin me 10 vjet duke premtuar investime përfshi traverbankun që i zgjasnin jetën minierës.

Koncensioni i pjesës më të madhe të minierës së kromit në Bulqizë iu dha nga qeveria në vitin 2001 kompanisë italiane Darfo s.p.a dhe ndërroi disa herë pronësi mes problemeve të shumta, aksidenteve të rënda me humbje jete të minatorëve, grevave të minatorëve dhe akuzave për mungesë investimesh.  Kompania u ble nga BALFIN Group në vitin 2013 dhe ndërroi emrin në AlbChrome.

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar  kërkoi në raportin e tetorit 2017 për rrëshkitjen që të mbyllej xhamia e qytetit, pasi sipas tyre “në një situatë të tillë kërcënohej jeta e besimtarëve që do të ushtronin ritet e tyre në këtë objekt kulti, që ishte plasaritur në të gjitha anët”.

Por xhamia e dëmtuar rëndë nuk ishte e vetmja që rrezikonte, sipas hartuesve të raportit e gjithë lagja “duhej mbajtur në kontroll të rreptë nga ana e pushtetit lokal, sepse me zgjerimin e kontureve të fenomenit mund të rrezikohen edhe objekte të tjera”, ndërkohë u rekomandua që të shembej nënkontroll godina e ish-parkut automobilistik.

Studimi i cilësuar prej tyre si studim emergjence gjeti se nëse nuk ndërhyhej menjëherë sipërfaqja e prekur, që zgjatej për gjysmë kilometri dhe ishte e gjërë 1 kilometër,  do të vijonte të lëvizte dhe shkaktonte probleme edhe më të mëdha, ndërsa rekomandoi që në zonë “të mos ndërtohen banesa të reja, pa kryer më parë studimin gjeologo-inxhinierik për truallin ku do të ndërtohen”.

Për banorët e zonës rreziku u bë i dukshëm pasi çarja filloi të zgjerohej. Një prej banesave e cila u gjet e pabanueshme edhe prej studimit u braktis, por banorët e tjerë thonë se largimi nuk është zgjidhje, pasi ata kanë investuar gjithçka kishin në këto shtëpi.

“Ato dy lekë që i mblodhëm, me zor bëm një shtëpi, bashkë edhe me ndihmën e çuanve. Sot ky investim që na ka marrë kursimet e një jete punë në nëntokë ka rrezik që të rrëzohet, shkak kjo nga lëvizja e tokës”, tregon Zaim Rrahmani, i cili prej vitesh punon në Minierën e Bulqizë.  Ai thotë se me lëvizjen e tokës muri rrethues i shtëpisë së tij dhe ai i shtëpisë së komshiut është çarë dhe po çahet çdo ditë edhe më shumë, duke sjellë edhe plasaritje të shtëpisë.

Banorët e zonës thonë se toka filloi të çahej që nga segmenti i përfunduar i Rrugës së Arbërit afërsi të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë, ndërsa çarja vijoi dhe tani është në brendësi të Lagjes së Re.  Ata thonë se aktiviteti i rrëshqitjes ka qenë i ngadaltë, duke dëmtuar banesat gradualisht dhe çarjet kanë ardhur duke u zgjeruar vazhdimisht.

Mundësinë e zgjerimit të çarjes e vë në dukje edhe raporti i Shërbimit Gjeologjik. “Nga vrojtimet në terren konstatohet se mundësia e aktivizimit të rrëshqitjes është evidente dhe ajo mund të zgjerohet në pjesën e sipërme të saj si dhe anash”, thuhet në raportin e përpiluar nga Inxhinierët  Zenel Hysa dhe Mehmet Kenga.

Çfarë e shkaktoi rrëshkitjen

Rrushe Rrahmani, banore e Bulqizës | Foto : Sami Curri

Banorët besojnë se rrëshqitja ka ardhur pas fillimit të punimeve të traverbankut. Ata thonë se ka pasur dy valë të rrëshkitjes së tokës vetëm në harkun kohorë të pak muajve.  Rrushe Rrahmani, 84 vjeç tregon për BIRN se në këtë lagje ka një jetë që banon dhe se nuk mban mend që të ketë lëvizur toka ndonjëherë kështu si këto muajt e fundit.

“Komshiu jonë, Suri Çupi, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët është larguar për në Itali sepse dolën në qiell të hapur. Shpija ju është çarë mes për mes the thuajse i zuri brenda dhe nga shteti nuk e vuri kush ujin në zjarr”, thotë 84-vjeçarja.

Të njëjtën gjë i tha BIRN edhe Xhafer Imeri. Ai thotë se ata kanë dyshuar fillimisht te ndërtimi i Rrugës së Arbrit, por fakti që rrëshqitja ndodhi pas vjeshtës së vitit të shkuar i ka bërë që ta përjashtojnë këtë dyshim. “Kjo rrëshkitje është shumë e theksuar që prej vjeshtës së 2017-s, ku toka deri më sot ka pasur disa valë rrëshkitjeje. Kemi një dyshim që një gjë e tillë ka ardhur si pasojë e ndërtimit të traverbankut të Klosit, që do të lidh Minierën e Bulqizës me Shëngjunin e Klosit”, tha Imeri.

Të frikësuar banorët i kërkuan ndihmë Bashkisë së Bulqizës e kjo e fundit kontaktoi Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. Raporti i emergjencës i përpiluar nga ky shërbim u jep të drejtë dyshimit të banorëve. Ndërsa përmend si faktorë të mundshëm mungesën e një kullimi të mirë të ujërave sipërfaqësore, ndërtimin e rrugës, mungesën e bimësisë së lartë dhe aktivitetin siszmik. Studimi thotë se një faktor i mundshëm është ndërtimi i traverbankut.

“Ulja e depozitimeve torfore deri në 4-5 m si rezultat i sufozionit, për shkak të ndryshimit të drejtimit të lëvizjes së ujrave nëntokësore drejt punimeve minerare të cilat tashmë janë shumë poshtë nivelit luginës (traverbangu rreth 335 m dhe puset e shfrytëzimit të minierës rreth 350 m)”, është sipas raportit një nga faktorët aktivë që mund të ketë shkaktuar rrëshkitjen. E shpjeguar me fjalë të thjeshta sipas përpiluesve të raportit, ujërat që kanë ndryshuar drejtim për shkak të punimeve nëntokësore kanë marrë me vete edhe shtresën e butë të tokës.

Përpiliuesit e raportit sidoqoftë kanë qenë të kujdeshëm. Ata i thanë BIRN se përtej dyshimeve ishte i nevojshëm një studim i thelluar për të përcaktuar saktë shkakun e rrëshkitjes.

Kompania mohon përgjegjësitë

Dëmtimi i i mureve të xhamisë në Bulqizë. Foto nga studimi

i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar

Kompania AlbChrome nga ana e saj mohoi që faji të ishte i punimeve dhe tha se mendonte që problemi ishte nga mungesa e kanalizimeve. Madje në një email për BIRN ata mohuan që uji i devijuar nga punimet që ata po bëjnë të kishte gërryer shtresa të buta të nëntokës. “Ujërat nëntokësore që dalin në ballin dhe trungun e Traverbankut janë të pastra, pa ndotje me masa torfike apo ranore, janë ujëra te pijshme (përdoren si ujë i pijshëm për Bashkinë e Klosit) dhe për këtë arsye ne mendojmë që hapja e këtij punimi nuk ndikon në sipërfaqe”, deklaroi AlbChrome.

Ajo po ashtu kundërshtoi pretendimet e banorëve dhe i tha BIRN se rrëshqitja e zonës kishte filluar më herët dhe për të faji ishte kryesisht i mungesës së kullimit të ujërave sipërfaqësorë. “Punimi (traverbanku) ka pak kohë që ka hyrë në zonën që pretendohet, ndërkohë që kjo zonë ka filluar uljen që në vitet ‘90 kur ky punim ishte ende larg zonës. Mendimi ynë është se ulja e kores së tokës në një masë të tillë nuk është ndikuar nga ky punim”, shkroi kompania.

Megjithëse i referohet raportit të përpiluar në vitin 2017 nga Shërbimi i Gjeologjik Shqiptar me kërkesë të Bashkisë Bulqizë, raport që BIRN  e disponon dhe ku theksohet se një nga faktorët e mundshëm ishin edhe punimet për traverbankun, kompania mohoi të kishte dijeni për një studim të tillë.

“Në vitin 2017, Bashkia Bulqizë ka marrë një studim të hollësishëm për problematikën e kësaj rrëshqitjeje, e kryer nga institucioni i duhur, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, dhe në këtë studim nuk konstatohet që aresyeja është traverbanku”, thuhet në përgjigjen zyrare të AlbChrome.

E pyetur konkretisht për studimin, i cili e gjen ndërtimin e travebankut dhe gërmimet minerare si faktorë të mundshëm, kompania u përgjigj se nuk kishte parë një raport të tillë. “Albchrome nuk disponon një studim të tillë”, thuhet në përgjigje.

Por nga ana tjetër studimi, të cilin edhe AlbChrome e referon, përveç se cilëson punimet e kompanisë si një nga “faktorët aktivë”, kërkon edhe që të merren masa në gërmimet nëntokësore për të ndaluar rrëshkitjen.

Ndër masat që kërkohen të merren veç pastrimit të kanaleve kulluese, mbjelljen e pemëve të larta si akacia e të ngjashmë përpiluesit kërkojnë marrje të masave edhe nëntokë. “Disiplinimi i arteries kryesore të largimit të ujrave në drejtimin natyral është shumë i rëndësishëm në kushtet kur për shkak të punimeve minerare (traverbangu rreth 335 m dhe puset e shfrytëzimit të minierës rreth 350 m), mund të ketë ndodhur ndryshimi i drejtimit të lëvizjes së ujrave nëntokësore”, thonë përpiluesit e studimit.

Banorët ndërkohë shpresojnë që dikush do të paguaj për dëmet e tyre. Ata thonë se babashkëqytetari i tyre që u shpërngul nga shtëpia për shkak të shembjes mori vetëm 100 mijë lekë, duke shtuar se kjo masë dëmshpërblimi nuk ishte e mjaftueshme për të riparuar dëmet apo për të siguruar strehim tjetër.

AlbChrome tha për BIRN se duke qenë se dëmet nuk ishin shkaktuar prej aktivitet të saj ajo nuk kishte detyrim të dëmshpërblente banorët. Kompania gjithashtu theksoi se traverbanku po ndërtohej si detyrim koncesionar.

Pamundësia e një studimi të thelluar

Rrëshqitja e tokës në Bulqizë | Foto nga : Sami Curri

Sidoqoftë rekomandimi kryesorë në relacionin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, drejtuar bashkisë së Bulqizës të siguruar nga BIRN, është kërkesa për një studim i thelluar. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar nuk ka kapacitetin teknike për ta bërë një studim të tillë, që do të kërkonte kontraktimin e një kompanie private për kryerjen e shpimeve me sondë për ta kuptuar më qartë se çfarë po ndodh.

“Shërbimi Gjeologjik Shqiptar prej vitesh ka pësuar disa reforma dhe sot nuk ka kapacitetet e nevojshme që për rastin në fjalë ose edhe për raste të tjera të kësaj natyre të bëj një studim të thelluar, kjo sepse ka një kosto shumë të madhe, të pa përballueshme nga institucioni. Në rastin e Bulqizës, ne kemi përpiluar një relacion në kushtet e emergjencës”, u shpreh për BIRN Mehmet Kenga, një nga hartuesit e këtij relacioni.

Melaim Damzi, kryetar i bashkisë së Bulqizës i tha BIRN se kishin kërkuar që të bëhen të gjitha studimet e nevojshme për rastin në fjalë, tek ministria e linjës, por edhe tek Shërbimi i Gjeologjisë Shqiptare, pasi ata vetë nuk mund ta financonin një të tillë. “Ata kanë kryer një studim si rast emergjence, por për një studim më të thelluar për të kuptuar shkaqet dhe se çfarë mund të ndodh në të ardhmen, bashkia Bulqizë nuk ka mundësitë financiare për ta përballuar një të tillë, duke shpresuar që institucioneve të cilave ne ju jemi drejtuar ta bëjnë një gjë të tillë. Ne hapat tonë institucional i kemi ndërmarrë të gjitha”, i tha BIRN Damzi.

Veap Halili, anëtar në Këshillin Bashkiak Bulqizë, po ashtu i tha BIRN se studimi i thelluar duhej të bëhej sa më shpejt, duke pohuar se nuk kishte pasur studime paraprake nëse ndërtimi i traverbankut mund të shkaktonte probleme. “Jemi përballë një emergjence. Raporti i thelluar gjeologjik do të nxjerr edhe shkaktarët. Nëse shkak ëshë ndërtimi i traverbankut, kompania koncensionare e Minierës së Bulqizës duhet të dëmshpërblej banorët e dëmtuar”, u shpreh për BIRN Halili.

AlbChrome i tha BIRN se nëse do të kishte një studim tjetër ata do ishin të hapur për tu njohur me të. Kompania tha se ndërkohë po zbatonte një projekt të vjetër i cili nuk përmende ndikim në sipërfaqe.  “Projekti për hapjen e këtij punimi është bërë në vitin 1985 në Institutin e minierave dhe nuk përmend në asnjë rrjesht që ky punim të ketë ndikim në sipërfaqe”, tha kompania.

Dëmtimi i shtëpive nga çarja e tokës u shtohet problemeve të tjera të shfrytëzimit të kromit në Bulqizë, përfshi aksidentet të cilat u kanë marrë jetën 7 minatorëve dhe plagosur disa të tjerë prej nëntorit të vitit të shkuar. Në galeritë e kontrolluara nga AlbChrome janë raportuar dy aksidente, përfshi plagosjen e pesë minatorëve nga një shpërthim mine gjatë punës për ndërtimin e traverbankut në shkurt të këtij viti.  Kompania ka reaguar thënë se i ka marrë të gjitha masat e sigurisë.

  • Sami Curri
RRETH AUTORIT

Sami Curri

Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

https://www.reporter.al/germimet-nentokesore-te-albchrome-fajesohen-per-rreshqitjen-masive-te-dheut-ne-bulqize/