Gati 64 projekte të gatshme për t’u zbatuar, të cilat kanë të bëjnë me restaurimin e objekteve kulturore

Ministria e Kulturës ka gati 64 projekte të gatshme për t’u zbatuar, të cilat kanë të bëjnë me restaurimin e objekteve kulturore. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë takimit të saj në qytetin e Lezhës për programin “100 fshatrat”, theksoi se pikturat murale të katër kishave në Voskopojë do të restaurohen. “Ministria e Kulturës ka mbi 64 projekte të gatshme për t’u zbatuar, të cilat mund të jenë që nga rindërtimi i një ure, rikualifikimi i një sheshi, rindërtimi i një shtëpie, restaurimi i një kishe apo xhamie, si një tjetër veçori e jashtëzakonshme e turizmit kulturor shqiptar, siç është bashkëkzistenca e institucioneve fetare. Tashmë ka edhe disa kërkesa për mbështetje, madje një bankë, ABI bank, i ka tërhequr projektet e veta për restaurimin e katër kishave në Voskopojë të pikturave murale, kështu modelet i kemi, projektet i kemi dhe na mbetet vetëm që të takohemi më shpesh”,-theksoi Kumbaro. Duke u ndalur te qyteti i Gjirokastrës, Kumbaro bëri me dije se ky qytet, edhe pse kishte 13 vite që ishte shpallur qytet i UNESCO-s, kishte shumë pak hotele për të akomoduar turistët, ndërsa sot realiteti është ndryshe, hotelet janë shtuar, por përsëri kërkesat janë të larta. “Po të marr Gjirokastrën dhe nuk mund të merrja shembull tjetër veç Gjirokastrës sigurisht, për 1 milion arsye që nga ato personale deri tek ato politike, por sidomos kulturore, sepse është një ndër ato që ne i quajmë klishe, ama vetë Gjirokastra ka 13 vite që është qytet i UNESCO-s, por në qytetin e Gjirokastrës deri në 2013-ën kishte vetëm 2 hotele e gjysmë, tre nuk bëheshin. Ndërsa sot, në qoftë se do të futemi te “booking.com” kemi mbi 67 oferta dhe është e vështirë që të gjesh sidomos në fundjavë hotele të disponueshme. Bëhet fjalë për një qytet të vogël, cilido në fakt nëse e viziton e mbaron atë listën e vendeve për të vizituar në harkun kohor të 48 orëve por nëse del vetëm 10 minuta nga Gjirokastra dhe fillon të lëvizësh në fshatrat që ka qarku, pa frikë aty ka një ofertë turistike, kulinare, natyrore, turistike dhe bujqësore që të mban minimalisht 10 ditë”. Sipas ministres Kumbaro, zgjedhja e “100 fshtrave” nga pikëpamja kulturore është një lloj ekuilibri mes disa pikave ose fshatrave që e kanë të garantuar suksesin që sot dhe janë sot model. “Dhe në fakt ky ishte synimi, që të gjitha këto pika që zgjerojnë hartën, turistike, kulturore të zhvillohet përmes “100 fshatrave”. Po marr Labovën në të cilin kemi ndërtuar rrugët për të aksesuar atje para një viti, në të cilën kemi një nga kishat më të jashtëzakonshme Bizantine, me një histori të mbushur me piktura dhe me një traditë rreth e rrotull, është restauruar tashmë. Aty ka filluar tendenca për agroturizëm por ajo që mungon është dija se si standardizohet agroturizmi që na mbetet për ta bërë në këtë fshat. Nëse unë do të thosha se çfarë mund të ofroni ju për këtë fshat është pikërisht ngritja e standardeve që janë pjesë e Ministrisë së Turizmit. Ndërsa kemi një fshat tjetër i cili ndoshta nuk ka këtë njohje, por mbetet për t’u ndërtuar, pra ekuilibri mes një fshati që e ka suksesin brenda dhe një tjetri që duhet të fillojë nga zero janë gjithashtu krijime të modeleve të ndryshme brenda “100 fshatrave”,-theksoi Kumbaro.