Fustanellat shqiptare në RaiUno – Grupi muzikor Fanfara Tirana prezanton Shqipërinë në Itali

Për 15 vjet me radhë grupi muzikor Fanfara Tirana mbetet ndër të vetmit produkt muzikor i nivelit të lartë që Shqipëria eksporton.

Dje në mbrëmje, mbas performancës të 1 Majit 2016 me kantautorin italian, Max Gazzè ku i dhuruan qeleshet e bardha publikut të Romës, Fanfara Tirana u shfaqën sërish si të ftuar në emisionin më të rëndësishëm të sezonit të televizionit shtetëror italian, RaiUno.

Uno, Due, Tre … Fiorella, është emisioni i jashtëzakonshëm me dy të shtuna (16 dhe 23 shtator) që hap sezonin dimëror në kanalin më të rëndësishëm të Rai-t nën drejtimin e një prej ikonave italiane të muzikës kantautorale, Fiorella Mannoia. “Djemtë” e Fanfara Tirana shpalosën fustanellat e tyre të bardha dhe shoqëruan Fiorellën dhe Max-in në performancën e tyre live. Hera e parë në historinë e Rai-t ku performon një LIVE (nënvizojmë LIVE) band shqiptare.

Viti 2018 për Fanfara Tirana do të jetë plot surpriza. Dy albume të reja nga të cilët volumi i dytë i Kabatronics me anglezët Transglobal Underground dhe bashkëpunimi me gjeniun shqiptar të muzikës, kompozitorin, pianistin, kitaristin, Robert Bisha.

Ndërkohë mund t’i shihni live në Varshavë në 28 shtator në Cross Culture Festival, apo në Budapest në Ritmo Festival në 8 tetor si dhe në Kaba 2.0 Festiv.al në Korçë që do të anunçohet së shpejti.

Fanfara Tirana kanë qenë pjesëmarrës në festivalet ndërkombëtare ku performanca do të ishte një ëndërr për çdo artist, si Roskilde, Sziget, WOMAD, WOMEX e dhjetëra të tjere si Festivali më i madh i literaturës në botë në Jaipur (Indi) apo turneu 2-javor në Kinë, festivale më të mëdha në Marok, Spanjë, Gjermani, Hollandë, Belgjikë apo çdo vend në Europë a më gjerë që ju shkon ndër mend.

Më poshtë video nga koncerti i 1 majit 2016:

/m.m/