FUSHATA ZGJEDHORE/ Lulzim Basha në Dibër: Meta është bërë bishë, po kacafyten për timonin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me familje emigrantësh në Dibër, i ka bërë thirrje simpatizantëve që më mirë t’i hedhin votat në lumin Drin, sesa t’ia japin partive të pazarit të vjetër, siç i cilësoi ai.

Ai sulmoi kryeministrin Rama dhe tha se Ilir Meta është bërë si ‘bishë” se kush të marrë drejtimin e timonit.

“Kanë 3 javë që Rama dhe Meta po kacafyten për timonin. Është bërë bishë Ilir Meta, sepse kërkon një dorë në bakllava dhe një dorë në shqere pare, nuk ka për të pasur më dorë në bakllava. Më mirë hidhini në lumin Drini votat, se t’ua jepni atyre, pazarit të vjetër politik, – tha Basha. – Asnjë votë për partitë e pazarit të vjetër, asnjë votë për Ramën dhe Beqjen, por votoni numrin 6, Partinë Demokratike partinë e re. Unë jam gati me mbështetjen ndërkombëtare t’iu udhëheq dhe drejtoj”.

Basha po ashtu u premtoi dibranëve se rruga e Arbrit do të ndërtohet në qeverisjen e tij dhe ajo do të përshkruhet nga Dibra në Tiranë për 72 minuta.

“Rruga e Arbrit është gënjeshtra më e madhe. Rama nuk është asgjë, veç një kryeministër i dështuar dhe mashtrues. Ka shpenzuar 1.6 mld euro për 1 vit, por sipas prioriteteve të tij dhe jo të shqiptarëve, që kishin dhe kanë prioritet ekonominë e punësimin, ata që jetojnë në fshat, bujqësinë, subavencionet, shëndetësinë, arsimin. Por Rama i shpenzoi për fasada dhe palma. Shumë mirë që e bëri sheshin “Skënderbej”, por sa ka kushtuar? Unë kam një plan ekonomike: ulja e tvsh me 30%, taksa e sheshtë 9%. Do bëj revolucion fiskal. Në ditën time të parë të ardhjes në pushtet, do të firmos anulimin e ligjit për taksën e  naftës, sepse është gjaku i ekonomisë”.