Fushata zgjedhore 2021, vetëm 20% e premtimeve politike të realizueshme në buxhet 

Pjesë nga raporti i parë mbi analizën e premtimeve elektorale të 2021 në raport me zgjedhjet parlamentare 2009 dhe 2013 Kur duhen dhe disa javë nga mbyllja e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 26 prillit, ajo cka vërehet nga një analizim i premtimeve të partive politike të përfshira në garë është vështirësia e argumentimit të deklaratave të fushatës që ka lidhje me financat publike, ku nga një një veprim i thjeshtë i premtuar për të kryer një politikë të veçantë, tashmë duhet hartuar dhe zbatuar një politikë.  Këto dy qasje kanë kundërshti nga njera tjetra nga fakti, se zotimit për një politikë të caktuar gjatë fushatës nuk i bashkangjitet asnjë kosto buxhetore, ndërsa hartimit të një programi qeverisje i bashkëlidhur në çfarëdo niveli pjesa e buxhetit dhe kuadri rregullator.  Në kuptimin e analizës së fushatave zgjedhore ne konstatojmë se premtime të ndryshme nënkuptojnë zgjedhje të ndryshme të politikave për tu zbatuar dhe natyrshëm kjo çon edhe në përfitime të ndryshme prej një premtimi që japin secila prej partive.  Në këtë kontekst analiza e premtimeve që jepen, tregon se votuesit besojnë në grup premtime që maksimalizojnë pritshmërinë dhe që kanë stimuj  nga zbatimi i tyre.

Kur shikojmë nivelin e përmbushjes nga qeveria të premtimeve të dhëna në fushatë zgjedhore rezulton një nivel jo më shumë se 20 përqind duke përfshirë në këtë vlerësim edhe premtimet në progress përmbushje.  Niveli i premtimeve të papërmbushura është i lartë me 41 përqind të peshës që mbajnë nga gjithë premtimet e manifestit politik. Sektorët dhe premtimet që kanë një përmbushje më të madhe janë shëndetësia, turizmi, punësimi.Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e arsimit, punësimi, turizmi, politikat buxhetore.

Programi qeverisës dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2009-2013

Sipas të dhënave te Tabela 19, premtimet e fushatës zgjedhore 2009 janë bërë për një gamë të gjerë fushash që mbulojnë tema me rëndësi për votuesit, të tilla si: kujdesi shëndetësor, të drejtat e punësimit, përfitimet sociale, rregullat mjedisore, bujqësia, arsimi, legalizimet, emigrantët, lufta ndaj korrupsionit, integrimi dhe taksat e buxheti. Ndërkohë, tema të tilla si infrastruktura, energjia, pasuritë natyrore, turizmi dhe premtimet e tjera që janë në interes më të përgjithshëm përfaqësojnë pjesën tjetër programore të qeverisë Berisha 2.  Qeveria u krijua në koalicion me LSI, për të qeverisur vendin nga viti 2009 deri 2013.Nga totali i premtimeve (156 premtime) të bëra gjatë vitit 2009 nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës nuk  përfshinë në programin qeverisës 39 përqind e tyre.

Sipas analizimit të programit dhe krahasimit të tij me premtimet, shikohet se programi përfshin 93 përqind të premtimeve të bëra nga PD dhe 33 përqind të premtimeve të bëra nga LSI.

Mospërfshirja e premtimeve të LSI është e argumentuar jo thjesht nga orientimi ideologjik i premtimeve, por më së shumti nga mosrakordimi i premtimeve mes partive të këtij koalicioni përpara zgjedhjeve.

 

Programi qeverisës dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2013-2017

 Çdo qeveri shpesh do të duhet të përballet me të njëjtat çështje si paraardhësi i tyre.Në studimin e premtimeve të natyrës së ngjashme ne vërejtëm se për sektorin e infrastrukturës, për sektorin e bujqësisë, politikat e integrimit dhe të jashtme, si dhe për politikat e shtimit të buxhetit janë politika, që vijojnë si stafetë midis partive politike edhe pse me dallime të qasjeve.

Gjetja që partitë politike arrijnë të përmbushin një pjesë të caktuar nga kjo vijimësi është treguesi që pasqyron një lidhje në rritje nga një zgjedhje te tjetra të programeve elektorale me politikën e qeverisë. Ne gjithashtu vërejmë se premtimet përmbushen më shpesh kur një parti nuk ka pse të ndajë pushtetin me të tjerët, si në rastin kur ka ndodhur një qeverisje në koalicion. Në modelin politik, ku qeveritë e koalicionit u përsëritën në dy mandate qeverisje me partnerë nga të dy krahët politikë, vërehet se në këto qeveri integrohet politika e kompromisit mes partive në disfavor të përmbushjes në kohë të premtimeve.

Nëse shikojmë nivelin e përmbushjes nga qeveria të premtimeve të dhëna në fushatë zgjedhore rezulton një nivel jo më shumë se 36 përqind me një rritje të nivelit krahasuar me qeverisjen paraardhëse me 16 përqind. Niveli i premtimeve të papërmbushura është i lartë me 27 përqind të peshës nga gjithë premtimet e manifestit politik, por edhe ky nivel është dukshëm më ulët se qeveria e mëparshme me 14 përqind ulje të nivelit të tij.

 

Sektorët dhe premtimet që kanë përmbushje më të madhe janë shëndetësia, infrastruktura dhe energjia.

Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e bujqësisë, pasurive nëntokësore, si dhe politikave fiskale dhe premtimeve për alokime buxhetore shtesë.

Një hipotezë e mundshme e këtyre mospërmbushjeve është se ministrat e LSI mund të jenë përpjekur të zbatojnë programin e tyre sa më shpejt të kenë mundur, sepse ata e dinin mirë se sa mund të funksiononte performanca në një shumicë parlamentare të thjeshtë dhe e shoqëruar edhe me divergjenca ideologjike, duke mos patur pritshmëri të qëndronin në qeverisje për një kohë të gjatë. Të dhënat e Tabelës 22 tregojnë se premtimet e fushatës zgjedhore 2013 janë bërë edhe këtë herë në një gamë të gjerë sektorësh, që mbulojnë tema me rëndësi për votuesit, të tilla si bujqësia, energjia, kujdesi shëndetësor, përfitimet sociale, infrastruktura, arsimi, si dhe politikat tatimore dhe premtimet e fondeve buxhetore. Premtimet për sektorë të tillë, si: turizmi dhe mjedisi, strehimi social, dhe premtimet e tjera që janë bërë në interes më të përgjithshëm vijnë me një tërheqje në qeverisjen Rama 1 (2013-2017).  Qeveria u krijua në koalicion me LSI, parti e cila vjen nga një koalcion me PD duke qeverisur vendin së bashku nga viti 2009 deri 2013.Nga totali i premtimeve (199 premtime) të bëra gjatë vitit 2013 nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës nuk përfshihen në programin qeverisës 37 përqind e tyre. Nga analizimi i programit qeverisës dhe krahasimi që i bëmë programit me premtimet, vërehet se programi i qeverisë përfshin 86 përqind të premtimeve të bëra nga PS dhe 33 përqind të premtimeve të bëra nga LSI. Nëse bëjmë një paralelizëm me hapësirën që zinin premtimet e LSI në programin e qeverisjes në koalicion me PD, shihet se zë një hapësirë të njëjtë, por nisur nga fakti se hapësira që mban PS në program me 86 përqind është tregues, se në këtë qeverisje ka një koordinim sasior më të mirë të premtimeve në programin qeverisës.

Programi qeverisës dhe niveli i realizimit të premtimeve, 2017-2021

Votuesit kanë një kuptim të gjerë dhe amorf të premtimeve. Në të kundërt, përmbushja e premtimeve e vendosur në programe qeverisëse bazohet në përkufizime të qarta të tyre, që bëjnë madje dallimin midis programeve politike nga retorika e fushatës.Nëse qytetarët kanë një mosbesim të argumentuar ndaj partive qeverisëse, kjo i bën ata të vëmendshëm ndaj performancës së qeverisë në kohën kur bëjnë vlerësimet e tyre, lidhur me faktin nëse premtim ështe përmbushur ose jo. Ky fakt përbën një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë te vlerësimet e tyre.

Mungesa e besimit është mosbesimi, që nënkupton një vigjilencë nga ana e qytetarëve në lidhje me përdorimin dhe abuzimin e pushtetit nga drejtuesit e partive qeverisëse. Në realitet, demokracia funksionon më e plotë, kur qytetarët nuk u besojnë shumë drejtuesve politikë të tyre, pasi kjo i detyron ata të sillen si duhet dhe u mundëson qytetarëve të denoncojnë performancën e dobët kur kjo ndodh edhe pse mundet që pushteti me raste të përdorë propagandën për të justifikuar dobësitë e veta.

Në qeverisjen 2017-2021, për herë të parë pas dekadash histori politike, pas përmbysjes së rendit politik të kaluar formohet një qeveri e përbërë me anëtarë vetëm nga PS. Sipas Tabelës 25, vërehet se niveli i përmbushjes nga qeveria “Rama 2” i premtimeve të dhëna në fushatë zgjedhore rezulton një nivel prej 52 përqind me një rritje të nivelit krahasuar me qeverisjen paraardhëse me 16 përqind. Niveli i premtimeve të papërmbushura është i lartë krahasuar me qeverisjen e kaluar me 14 përqind të peshës që mbajnë nga gjithë premtimet e manifestit politik.

 Sektorët dhe premtimet që kanë një përmbushje më të madhe janë arsimi, bujqësia, politikat sociale dhe politikat fiskale.

Mospërmbushjen më të madhe e gjejmë në sektorët e premtimeve për rritje shpenzimesh buxhetore, politikat e rinisë, politikat e rritjes së pensioneve.

Nga totali i premtimeve (59 premtime) të bëra gjatë vitit 2017 nga partia socialiste nuk përfshihen në programin qeverisës vetëm 4 premtime. Në një analizë krahasuese të programit qeverisës me premtimet e bëra, shikohet se programi i qeverisë përfshin 93 përqind të premtimeve të bëra nga PS. Sipas Tabelës 26, programi qeverisjes nuk përmban 7 përqind të premtimeve të fushatës zgjedhore të PS. Ndër premtimet e papërfshira të PS janë premtimet sociale, për politika tatimore dhe për arsimin.

Analiza e premtimeve politike bërë gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit 2021 është pjesë e Raportit “Përgjegjshmëria Financiare e Premtimeve të Politikës Shqiptare 2009-2021” kryer nga  një grup ekspertësh të ALTAX dhe partnerëve të saj.