FUSHATA ELEKTORALE/ Beteja donkishoteske e Radio Televizioni Shqiptar, refuzon kasetat e gatshme të veprimtarive politike

RTSH, si një zëdhënës i shtetit ka vendosur t’i lejojë vetes të hyjë në një betejë, e cila nuk ka as fitues dhe as të mundur, por vetëm të bindur. Radio Televizioni Shqiptar nuk do të pranojë, në edicionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e afërme elektorale, por do mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e vet. Ky është argumenti që ka ardhur nga institucioni, i cili paguhet me lekët e shqiptarëve, për t’i shërbyer shtetit. Në lumin plot llum të akuzave për anshmëri dhe mungesë totale të mundësisë për të qenë në shërbim të taksapaguesit, drejtuesit e saj me këtë ngritje krye ndaj një prej praktikave më të shëmtuara të informimit, kërkojnë mbase të ripozicionohen në rolin informues. E pse ta përjashtojnë mundësinë se kjo është një sinjal që ky institucion, i vetmi që mbulon cep më cep Shqipërinë, u çdo partive politike, të cilat do të jenë të pasqyruar sipas asaj që do të kontribuojnë.

RTSH, përmes një shkrese të firmosur nga Drejtori i  Përgjithshëm, Thoma Gëllçi, njofton kryetarët e partive pjesëmarrëse në zgjedhje se pasqyrimi i aktiviteteve të partive politike do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga vetë gazetarët dhe operatorët e RTSH-së. Kjo, sipas RTSH, do t’i shërbejë ruajtjes së profesionalizmit dhe informimit të paanshëm të publikut.

Dihet se partitë politike shqiptare dhe sidomos partitë e mëdha kanë ngritur zyra të fuqishme të shtypit dhe propagandës, të cilat të mirëpajisura dhe të mirëpaguara, përgatisin materiale propogandistike të gatshme, të cilat shpërndahen  në televizionet e vendit.  Transmetime të tilla në emisionet e lajmeve,bëhen duke shkelur rëndë pavarësinë e tyre por edhe ligjin, i cili e përcakton prerë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës  me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë. Ky vendim nuk përfshin kohën e përcaktuar me ligj që jepet falas për propagandën e partive politike nga televizioni publik dhe tani me ndryshimet e fundit edhe nga televizionet private, por kjo do të jetë e treguar qartë dhe e ndarë nga emisionet informative apo nga emisionet e tjera radiotelevizive. Kohët e fundit, Këshilli Drejtues i  Radiotelevizionit Shqiptar miratoi , për herë të parë , Parimet e veta editoriale, ku është përcaktuar në mënyrë konkrete si duhet të sillet gazetari i RTSH-së gjatë fushatave elektorale. Sipas Parimeve Edioriale, “Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesve të partive politike ose kandidatëve që garojnë nuk u lejohet të paraqiten në emisione të tjera të RTSH-së, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kohën falas të propagandës së Partive Politike. Kur pasqyrohen aktivitetet e përfaqësuesve të partive politike dhe kandidatëve që mbajnë poste qeveritare apo publike, RTSH duhet të bëjë dallimin e qartë midis funksioneve të tyre zyrtare dhe veprimtarisë zgjedhore.

Deri më tani RTSH ka bërë disa trajnime të gazetarëve të saj për pasqyrimin e fushatës zgjedhore. Ditët e fundit në RTSH janë zhvilluar disa seanca trajnimi nga pedagogu i Akademise se Eurovizionit dhe ish -gazetari i BBC, Jonathan Stoneman pikërisht për fushatën zgjedhore që jemi në prag. Duhet thënë se, vendimi i RTSH për të mos pranuar materialet e gatshme të partive politike, por ta ndjekë  këtë me gazetarët e vet, është një hap i duhur që duhet të ndiqet edhe nga televizionet dhe radiot e tjera private të cilat shpesh herë kthehen në zëdhënëse të zyrave të shtypit të partive të ndryshme.

Por a ka njeri të besojë se kjo nuk është thjeshtë një manovër që fabrikon ajo si kundërpeshë e gjithë asaj beteje që çeli përjashtimi i televizioneve privatë nga përfitimi i fushatë zgjedhore. Apo thjeshtë kemi të bëjmë një reagim fasad, që ka indicie nga trajnimi që i ofruar gazetarëve dhe stafeve të terrenit nga BBC për praktikat e pasqyrimit të aktiviteti zgjedhore. Si shumë farsa të tjera që popullojnë këtë vend, edhe për një që vjen nga TVSH, duket se nuk do të ketë kosto as përfitim.