FUSHATA E ZGJEDHJEVE/ Rama: Sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë që populli të jetë i bashkuar

Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim elektoral në Gramsh, ku theksoi edhe një herë rëndësinë e bashkimit të të githë shqiptarëve pa dallim bindjeje partiake më 25 qershor, në mënyrë që sipas tij, më në fund të bëhet i mundur revolucioni në administratën shtetërore.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e familjeve tuaja, të fëmijëve tanë, Shqipërisë që duam. Të gjithë duhet ta vlerësojmë si patriotike të drejtën për të zgjedhur në 25 qershor, sepse nuk është një zgjedhje si të gjitha të tjerat, dhe nuk do të zgjidhni mes partive, por mes të ardhmes dhe të shkuarës, për fatin e flamurit kuqezi për një gjeneratë.

Sot më shumë se kurrë Shqipëria që duam me punë shtet e mirëqenie, ka nevojë për mbështetjen e popullit të bashkuar. Vetëm ju të bashkuar mund të hapni rrugën e revolucionit në administratën shtetërore, që më në fund zyrat e shtetit të jenë zyrat ku i shërbehet qytetarë e jo zyrat e pushtetit të partive”, tha Rama.