FUSHATA E ZGJEDHJEVE/ Rama nga Saranda: Deti kuqezi do t’i marrë përpara ata që s’e lanë Shqipërinë të bëhet shtet

Kryeministri i vendit, Edi Rama u ndal pasditen e sotme në Sarandë ku partia socialiste zhvilloi një takim elektoral. Rama u kërkoi qytetareve të Sarandës që më 25 qershor të bashkohen të gjithë nën flamurin kuq e zi, duke mos u përçarë nga flamujt e partive për ta çuar vendin përpara me reformat e ndërmarra në 44 muaj nga qeveria e majtë.

“Në 44 muaj bëmë gjithçka mundëm, por duhet shumë më tepër akoma, ama mjafton të kthejme kokën e të shohim ku ishim për të qenë të bindur se ka vetëm një forcë që mund t’ja ngrejë kokën lart Shqipërisë dhe kjo është PS. 44 muaj më parë Shqipëria jetonte pa shtet, energjinë e paguante kush ishte më i ‘dobët’, ndërkohë që shumëkush ja linte të ndershmëve pagesën e energjisë që vidhte vetë. Nuk kishte rend, vendi ishte zhytur ne borxhe, ku vetëm Zoti mbetej për të gjithë.

Sot Shqipëria është shumë më e mirë, po nëse shqiptarët pa dallim do të bashkohen nën flamurin kuq e zi dhe jo të ndarë nga flamujt e partive, Shqipëria do të jetë shumë më e mirë se sot.

Ne s’kemi dalë në këtë rrugë për të treguar përralla dhe as për të gënjyer, kemi dalë të ndajmë bindjen se çka kemi bërë nuk mjafton, por është e mjaftueshme që secili të kuptojmë se më 25 qershor, o bashkë me PS për Shqipërinë që duam ose kthemi prapa dhe humbasim shumë, edhe çka kemi arritur”, tha Rama.

Rama denoncoi sërish ato që i cilësoi klane në administratë, të cilat sipas tij mund të përmbysen vetëm me votën kuqezi të shqiptarëve më 25 qershor,

“Partitë vijnë tek ju me lloj-lloj premtimesh dhe më pas turren në Tiranë duke i thënë partisë që formën qeverinë, ose tepsinë ose s’ka fjalë me mua. Ne duam ta përmbysim këtë. Kjo është një luftë për historinë e re të Shqipërisë. Këtë sistem s’ka kryeministër që e përmbys, vetëm shqiptarët mund ta bëjnë më 25 qershor duke na dhënë fuqinë të shkatërrojmë majtas e djathtas tentakulat e këtij sistemi. Deti kuqezi do t’i marrë përpara të gjithë ata që s’e kanë lënë Shqipërinë të bëhet shtet”, tha Rama. Shqip