FUSHATA E ZGJEDHJEVE PER 25 QERSHORIN/ Rama: Pallati i drejtësisë do jetë i popullit, jo i atyre që zgjidhnin gjyqtarët

I përditësuar

TIRANË, 19 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën nga Fieri se “Pallati i drejtësisë më në fund do të jetë pallati i popullit, jo pallati i marrëveshjes çerek shekullore mes politikanëve që zgjidhnin gjykatësit dhe gjykatësve që mbronin politikanët”.

Në takimin elektoral në Fier, kryeministri Rama theksoi se “e dëgjuat Lulin çfarë tha dje, tha me dashje apo pa dashje , ia nxori goja një të vërtetë që duhet ta ketë parasysh çdo shqiptar, Luli tha në 25 qershor nuk do votoni për reformën në drejtësi, pasi sipas Lulit kjo qenka punë e kryer. Mos e merrni lehtë; në 25 qershor vota është një investim edhe për të garantuar që reforma në drejtesi nuk do të ndalet dhe pas gjykatësve dhe prokurorëve të korrputar do të jetë radha e politikanëve dhe zullumeve të mbuluara prej çerek shekulli”.

“Ne kemi qeverisur këto 4 vjet me një koalicion me LSI-në, jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë si koalicion, sepse jemi krenarë për reformat që kemi bërë , kemi bërë reforma që në çerek shekulli nuk guxoi kush t’i mendonte jo t’i bënte”, nënvizoi Rama.

Por, vijoi ai, aleatët tanë jo vetëm s’ janë krenarë, por kanë filluar me çirrje e kërcënime dhe çfarë godasin, godasin pikërisht reformat tona.

“Jam i keq ardhur kur shoh çdo ditë këtë shpërfytyrim të gjuhës dhe qëndrimit të atyre që deri sot ishin bashkëudhëtarët tanë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se “Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, nuk mund të kthehemi prapa. Në këto 5 ditë duhet të bindim çdo njeri që ka të drejtë vote të votojë për Partinë Socialiste”.

Rama premton nga Lushnja: Rilindjen urbane do ta çojmë në çdo njësi administrative

Kryeministri Edi Rama premtoi sot nga Lushnja se  “Shqipëria sot nga Tropoja deri në Konispol është pasqyra e një rilindje urbane që ne duam ta çojmë në katër vitet e ardhshme në çdo njësi administrative dhe në çdo fshat të Shqipërisë”.

Gjatë një takimi elektoral në qytetin e Lushnjës Rama tha se “jam shumë i emocionuar nga pamja që kam përpara, nuk është hera e parë që kemi bërë një takim elektoral në Lushnjë, por tani shikoj që s’kishim parë gjë akoma , faleminderit për mikpritjen, energjinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme”.

Kryeministri Rama u shpreh se “kushdo që mendon se vota nuk ka vlerë e të gjithë janë njësoj bëjnë një gabim të madh, e sikur të gjithë të ishin njësoj Lushnja do të ishte njësoj si 44 muaj më parë, sikur të gjithë të ishin njësoj Divjaka do të ishte njësoj si 44 muaj më parë”, theksoi Rama.

Sipas tij, ky ndryshim ka bërë të mundur realizimin e reformave, të cilat sot po japin sipas tij rezultat.

“Pikërisht pse vota vlen, sot kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë. Pikërisht pse vota vlen, sot 88 mijë familje që kanë hapur një biznes të vogël dhe punojnë e punësojnë të tjerët dhe paguan zero taksa”,  tha Rama.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve mos të shikojnë majtas ose djathtas, por t’i japin votën PS-së. “Do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme katërfishin e atyre që kemi bërë në këto 4 vjet”, tha Rama.

Duke u shprehur krenarë për reformat e bëra deri tani Rama tha se nuk do të pendoheni nëse na bashkoheni në këto katër vite të tjera, gjatë të cilave synojmë të rrisim ekonominë me 5 përqind.


Rama: 97 përqind e shqiptarëve paguajnë më pak taksa

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se 97 përqind e shqiptarëve, që nga punonjësit me nivel më të ulët të pagave deri tek ata të niveleve të tjera paguajnë më pak taksa”.

Në një takim elektoral me banorë të Kasharit në Tiranë, kryeministri Rama duke përcjellë mesazhin se, “jo të gjithë janë njësoj”, theksoi se “nëse ne do të ishim si ata, sot Tirana nuk do të ishte një fuqi e madhe zhvillimi. Nëse ne do ishim njësoj si ata, sot 97 për qind e shqiptarëve nuk do të paguanin më pak taksa seç paguanin 44 muaj më parë. Po të ishim të gjithë njësoj, kush fitonte më shumë do të vazhdonte të paguante më pak”.

Sipas tij, sot 83 mijë biznese të vogla kanë taksë zero.

Kreu i qeverisë u shpreh se,  jam i keqardhur sesi PD vazhdon tallet me njerezit që i shkojnë nga mbrapa dhe thotë do të uli taksat.

“Çfarë taksa do ulin, sepse taksa për biznesin e vogël është zero, Luli me planin e tij mbase e çon nën zero”, nënvizoi Rama, duke shtuar se ne do të vazhdojmë të ulim informalitetin.

Kryeministri Rama theksoi se, “qeveri që ka mbajtur më shumë premtime se kjo qeveri nuk ka. Gjatë qeverisjes sonë legalizuam 144 mijë objekete, nga të cilat 93 përqind shtëpi”.

Qeveria, shtoi ai, ka bërë reforma të mëdha dhe të rëndësishme.

Duke iu drejtuar banorëve të Kasharit, Rama u shpreh se “në 25 qershor keni mundësinë historike të kemi shtet aty ky trokasim, në zyrat e shtetit të kemi modelin e shtetit për çdo qytetar”.

“Në mandatin e dytë do të kemi rritje të ekonomisë me 5 përqind, ulje të papunësisë në një shifër të vetme dhe se kush do të punojë në këtë vend të ketë mundësinë e një pune dhe rritja 5 përqind e ekonomisë të sjellë impakt”, premtoi Rama./k.s/f.n/