FUSHATA E ZGJEDHJEVE/ Luan Rama në Kukës: Fitorja e LSI-së shans edhe për socialistët dhe demokratët

4 Qershor/ATSH/.- Gjatë një takimi elektoral në Kukës, Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim në Kukës ku u prezantuan kandidatët për deputetë të LSI-së për qarkun e Kukësit.

Të pranishëm në këtë takim ishin Nënkryetari i LSI-së Luan Rama, kandidatët e LSI-së për qarkun e Kukësit Selvi Beçaj, Sokol Ponari ,Dem Brati, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, qytetarë dhe simpatizantë.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim është forca politike që në filozofinë e saj ka humanizmin dhe solidaritetin. “LSI ndihet në Kukës në shtëpinë e vet sepse gjithmonë ne me kuksianët, me hasianët dhe me tropojanët kemi fol me shpirt dhe me zemër, kemi fol duke i parë njerëzit në sy, duke mos iu tutur hallit dhe vështirësisë së jetës së këtyre banorëve. Por duke vënë zemrën me solidaritet dhe me humanizëm që është në themelin e filozofisë politike të LSI-së”,- tha Luan Rama duke shprehur se sfida për LSI-në janë zgjidhja e problemeve dhe rritja ekonomike në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe jo konflikti politik me kundërshtarët.

Nëkryetari i LSI-së i ka bërë thirrje banorëve të qarkut të Kukësit që të votojnë numrin 1 në fletën e votimit, pasi LSI është një shans për të gjithë dhe për këtë do të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ne nuk merremi me të tjerët sepse sfida jonë nuk është beteja me ta, sfida jonë është beteja me të nesërmen e Shqipërisë. Sfida jonë është beteja që duhet ta fitojmë për të nesërmen e rinisë së këtij vendi, për të nesërmen e rinisë së Kukësit e cila nuk duhet të kërkoj rrugën e shpëtimit në emigracionin e paligjshëm, por duhet ta gjej shpëtimin, punën, dashurinë për atdheun, pikërisht në trojet e veta, pranë familjeve të veta dhe LSI merr përsipër ta bëj Shqipërinë vendin e punës, të mirëqenies dhe të dashurisë së shqiptarëve”, nënvizoi nënkryetari i LSI-së.

Kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për qarkun e Kukësit, Selive Beçaj theksoi se duke votuar LSI-në, qarku i Kukësit do të ketë një shans për tu larguar nga varfëria pasi programi i LSI-së do të bëj të mundur transformimin ekonomik dhe social të gjithë qarkut.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi kryesuesen e listës së LSI-së në qarkun e Kukësit Selvie Beçajn duke shtuar se zgjedhjet e 25 qershorit do të bëjnë një transformim pozitiv të politikës shqiptare pasi LSI do të dalë forcë e parë.

“Kam një lutje për të gjitha nënat, vajzat, motrat e Kukësit, e Tropojës dhe të Hasit, ato nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër veç se Silvi Beçaj. Ne jemi krenarë që Silvi kandidon për LSI. Është një kandidim historik sepse LSI jo vetëm do të marri për herë të parë deputeten në Kukës, por kjo do të jetë hera e parë në historinë e Shqipërisë që LSI-ja do të dalë forcë e parë dhe kjo do të jetë diçka historike”, tha Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta./k.s/ /a.g/