Funksioni ushtarak i Schaputarit në shek XIV-XV dhe roli i “Rilindjes Kulturore” në dekadat e shek XIX për emërtimin e ri kombëtar Shqipëri

Në kuadrin e konkursit të “Vitit të Skënderbeut 2018”.

Nga Agron Luka

(A kishte ekzistuar si term gjeografik – etnik – politik “Shqipëria” në kohën e bejtes së Hasan Zyko Kamberit më 1788, apo ky term u formësua më vonë përgjatë shek XIX?!)

 *Shënim: për shkak se ky studim është i gjatë dhe ka ilustrime grafike dokumentare, ne kemi botuar vetëm dy paragrafe dhe disa ilustrime grafike. A.L.

 5. Proçesi i emërtimit të ri, me termin orjental “kombëtar”. (~1706 – 1912)

 Mbas shumë diskutimesh, “zierjeve e ngjyrosjeve në kazanin e maketeve”, ishte arritur të botohej teksti zyrtar, “Historia e Shqipërisë”, vëll. I, Tiranë 1959, shoqëruar më vonë edhe nga Vëllimi i i Dytë, bot. 1965, që përfshinte periudhën nga vitit 1839 – 1944.

Vetë termi Shqipëri, nuk dokumentohej të kishte ekzistuar fare in charta si emërtim territori gjeografik, etnik e politik, para vitit 1788, madje vetë ky datimi nuk kishte sigurinë e nevojshme shkencore! Kishte dyshime se, bejtja e H. Z. Kamberit ishte regjistruar e shkruar me alfabetin arab shumë më vonë se sa ai datimi i betejës turko – austriake në vargjet: “Këtë Devlet që ke tinë,/inshallah të ja lësh djalit,/Po të mbledhç Shqipërinë e t’i vinç hakut Nemce Kralit”. Mbetej e hapur, që vetë emri Shqipëria, mund të ishte manipuluar, siç ka ngjarë rëndom me folklorin e rregulluar të kohës së Turqisë, qoftë nga mbledhësit e shkruar, qoftë nga vetë rapsodët e instruktuar! Për më tepër, kur ja ka dashur puna konspiracionistëve pan turkoshakë kanë zhdukur dhe kanë lënë pa mbledhur edhe një cikël të tërë folklori për Ballban Pashë Baderën, duke ia zhdukur e demoluar madje edhe vetë tyrben!

Vetëm më 1845, nga Zef Guagliata, te “Dotrina e Kershtenë”, kemi një fjali: “CSIÊΛUN N’SCHYP”, që shkon e kuptueshme me përkthimin shkiperimin në gjuhën Shkyp dhe gjithashtu kemi një frazë të gjatë ku veçohet: “diėlmit e varεat e Schypniis”. (Cit. sipas B. Demiraj, “Gjak i shprishur”, bot. 2016, “Dotrina e Kershten 1845 e arbëreshit P. Zef Guaglia – një rast studimi filologjik”, f 235-236; shih edhe fotoskanimin.)

Kur flet dokumenti, mbyllen dyshimet dhe diskutimet. Në skenë ka dalë Shkypnia dhe ky prezantim është në dialektin gegnisht!

Në parantesë këtu duhet hapur një sqarim themelor: Aprovimi me entuziazëm i Kushtetutës së Hyrrietit më 1908, për të qëndruar të bashkuar komtarisht dhe me një unitet tokësor me vatanin otoman dhe aprovimi i Nenit 8, si kombësi osmane, shoqëruar edhe me një seri kongresesh bashkimtare – vllaznore, krahas shumë konspiracioniteteve, kishin rrasur edhe një pshtjellim të madh në çështjen e terminologjisë, duke i barazuar si identikë termat evropiane “nacionalitet e nacion” me termat orjentalë arabo turqisht, “kavmyiet e kavm/kom(b)”! (shih, M. Logoreci, Rec. CIRKA, vj. I., Nr. 8, 6 shtatuer 1936, “Pak vrejtje gjuhesore”, f 114; N. Klayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. – Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, bot. 2012, f 585 – 592 etj.)

Realizimi simbologjist i idesë enverhoxhiste në këtë tabllo, ku e gjith historia duhet të vërtitej rreth boshtit trunor ideologjik – filozofik të pejgamberit të komunizmit orjental Enver Hoxha …

Në realitet këto terma nuk mund të ishin identike, si përmbajtje dhe si proçes. Veprimtaria pan turko-islamike e kastës së lartë politiko-ideologjike – fetare e përkrahur edhe nga shtresa të popullsisë fanatike e injorante, arriti disa kulme përgjatë gjithë periudhës mbas vitit 1878 dhe sidomos nga 1912 – 1917, me lëvizjet e armatorura të udhëhequra nga Myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili etj … Mjaft të përmendim faktin se një pjesë e ushtrisë turke megjith komandën e lartë tinëzisht nuk doli nga territori i caktuar i Albani – Shqipërisë dhe vetë kjo Shqipëria as sot e kësaj dite, nuk ka asnjë ditë-datë qoftë edhe simbolike zyrtare çlirimi nga okupacioni më se 500 vjeçar osman – islamik…

Proçesi i nacionalitetit alban – epirot, ishte zhvilluar brenda territoreve të Albanisë, një pjese të Epirit, një pjese të Maqedonisë dhe një pjese të principatave ilirike/sllavojugore kufitare, nga shek XI – XV. Në shek XV, me të drejtë e gjith epopeja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte quajtur si, “lufta nacional – çlirimtare e nacionalitet – nacionit alban –epirot”, bashkë me fqinjët gadishullorë dhe disa aleatë evropianë, kundra okupatatorëve turko-islamë.  Kjo aleancë ishte organizuar fillimisht me Koncilin Konfederatë të Lezhës, 1444. Ky Koncil Konfederativ Epirot – Ilirik (sllavojugor A.L.), na u interpretua i deformuar nga historiografia e shqipetarologjisë e enverologjisë si, eskluzivisht “Beslidhia Shqiptare Kombëtare e Lezhës!!!

Shpallja e Kanunderlijes/Kushtetutës së Hyrrietit dhe festimet me parullat e Bashkimxhinjve Osmanllinj, në Shkodër, më 2 gusht 1908.

Me thyerjen me dhunë të kësaj rezistence nacionale, me genocidimin dhe dëbimin në masë të konsiderueshme të etnisë albano – epirote, fillon një periudhë regresi dhe zbatice. Nga fillim shek XVI, fillon të fermentohet një bashkësi e re, me fe islame, me karakteristika kulturore, ideologjike, shije artistike, muzikore, në veshje etj, me përshtatje e dominim orjental. Pra, ka rinisur një proçes formimi i kavmiyetit dhe i një komi/kombi me fe islame.

Specifika “sui generis” e këtij kavmiyeti e kavmi/kombi është se, në asnjë rast nga 1878 e në vazhdimësi, nuk ka zhvilluar ndonjë lloj programi dhe lufte nacional – çlirimtare  (as kombtare – çlirimtare), me kërkesa indipendence nga Sulltanati turko-osman! Vetëm kur luftrat nacional-çlirimtare të shteteve fqinje ia prenë lidhjen territoriale dhe kordonin umbinikal me Turqinë, atëhere…

Prof. i nderuar, Osman Myderrizi, njohës i mirë i arabishtes dhe turqishtes osmanishte, në vitin 1965, e kishte rishprehur, riformuluar e ribotuar edhe një herë tezën e tij:  “Në gjysmën e dytë të shek XVIII emri i ri, duket e fitoi luftën në shkallë kombëtare dhe e zëvendësoi të vjetrin plotësisht. Johann Thunman, duke u mbështetur në dëshminë e voskopojarit Kostë Haxhi Jorgji Xhehani, shkroi më 1774: “populli vetë e përbuzi këtë emër dhe nuk do të emërtohet më me të. Ç’ngjau, pse e përbuzi populli i ynë emrin e vjetër në gjysmën e dytë të shek XVIII dhe adoptoi një emër të ri pa histori? Në shek XVIII ngjau një kthesë e madhe në Shqipëri. Shumica e popullit tonë për arësye të ndryshme e la krishtërimin dhe kaloi në myslimanizëm. Emri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, po edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij. Emri i ri Shqipëtar që u adoptua si emër kombëtar, bazohej në gjuhën një nga elementet kryesore të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur si emër kombëtar nga myslimanët e parë shqiptarë që në shek XVI, po këta, mbasi ishin të paktë, shumicës nuk iu imponuan dot. … Emri kombëtar në Shqipëri u ndërrua vetëm, pse u ndërrua besimi/feja. Ndonjërit ndërrimi i emrit kombëtar për shkak besimi do t’i duket sot si një gjë e pakuptueshme…” (Rev. Stud. Hist., 1, 1965, f 164 e f 166)

Këtë ide Myderrizi e kishte afruar qysh në vitin 1933 e 1943. (“Albanopolis”, rev., Minerva“, nr. 11 e 15, Tiranë 1933; “Emëri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip me alfabet latin dhe arab”; “Emri i Shqiptarëve në kohën e mesme”, rev., “Hylli i Dritës”, nr. 4-5 e 6-8, Shkodër, 1943)

Fotoskanim i rev. Studime Historike, nr. 1, 1965, ku me shkrimin origjinal të prof. Aleks Buda më dt. 03/V/1965 lejohet vënia në qarkullim e këtij numëri, ndaj të cilit diktatori pati bubullima, gjëmime dhe ankesa të mëdha…

Pavarësisht meritave të padiskutueshme, ky studim i O. Myderrizit kishte edhe të meta. Realisht emri i ri nuk bazohej në gjuhën…

(Prof. O. Myderrizi, e vizitonte shpesh babanë tim Gj. Luka, i cili nga viti 1963 e në vazhdim ishte i shtruar në psikiatrinë e Tiranës… Ai iu lut Gjovalinit t’i jepte një letër rekomandimi për botimin e një studimi te rev. Studime Historike, ku ishte si redaktor vëllai i Gjovalinit, Kol Luka… shih skanimin përkatës A.L.)

Ky shkrim i prof. O. Myderrizit, një tjetër shkrim i historianit Ligor Mile e madje edhe një shkrim i prof. A. Putos… (“Mbi lëvizjen nacional – çlirimtare shqiptare gjatë sundimit turk”, rev., St. Hist. Nr. 1, 1965, f 82-121; “Disa probleme juridike të Pavarësisë Shqptare”, f 3-17), siç na është kumtuar nga xhaxhai, mbas një rekomandimi te çensura e KQ. PPSH tërhoqën direkt vëmendjen dhe angazhimin e E. Hoxhës… Ky nuk donte nga këto studime ku “vihej gishti në plagë”… sa herë që albanologjia dhe shqipëtarologjia viheshin apo improvizonin “kriza ceitnoti”, duheshin pritur idetë, studimet modele dialektike të shokut Enver, siç qenë ato studimet mbi Haxhi Qamilin dhe Ismail Qemalin… Diktatori Enver Hoxha, po pregatitej t’i ndryshonte e t’i kamuflonte akoma më shumë këndvështrimet e historisë në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit nacional Gj. K. Skënderbeu.

Fillimisht, dikush si “sinjalizues vigjilent” doli të akuzonte se, termi kombëtar na ishte etiketuar si një lloj termi gogol dhe skandalizues” dhe me këtë rast ky “autoritet oportunist”  rekomandonte: “termi kombëtar mund të përdoret me përparësi dhe në të gjithë literaturën, sepse atij nuk ia vriste aspak veshin të quhej Skanderbegu si, “Heroi Kombëtar”; se Kuvendi i Lezhës ishte i pari bashkim në shkallë kombëtare, për të parën herë në historinë e Shqipërisë feudale; dhe se nuk duhej të ngurrohej të quheshin si kombëtare të gjitha lëvizjet nga Skanderbegu e Lidhja e Lezhës e tëhu…” (I. Zamputi, “Shënime mbi disa çashtje të lëvizjes çlirimtare shqiptare gjatë sundimit turk”, rev., St. Hist., nr. 1, 1965, f 149 – 155)

Ky numër i Stud. Hist., vetë redaktori dhe prof. A. Buda morën vërejtje të rënda …     

Në vitin 1965, albanologjia dhe shqipetarologjia, morën një zotim solemn para Partisë dhe shokut Enver, se do ta zgjidhnin këtë çështje me studime multidisiplinore.  “Rev, “Ylli”, 1965, shkruante: “Gjon Buzuku është i pari që e përdor fjalën “shqip”, por për të shënuar gjuhën, ndërsa për të shënuar vendin përdor fjalën Albani. Për etimologjinë e fjalës shqip janë dhënë shumë mendime, pa mundur të arrihet një zgjidhje plotësisht e pranueshme. Më i njohuri është mendimi se shqipëtarët quhen kështu nga emri i shqipes… Shqipëria u quajt “Vëndi i shqiponjave” dhe emri i saj u lidh me emrin e këtij shpendi. Problemi i burimit të emrit tonë të ri shqiptar vazhdon të studiohet me shumë interes nga gjuhëtarët, historianët dhe etnografët tanë. Këto forca të bashkuara do të jenë në gjendje që ta zgjidhin përfundimisht këtë problem me rëndësi kombëtare”. (Rev. Ylli, Emil Lafe, “Emri kombëtar i shqiptarëve”, 1965. Shih nga ne, ”Rreth shqipetarologjisë së shek XIX-XX”, bot. në gazeta Shqipëria Etnike, 25 qershor 2002, f 12.]

Siç thonë, diktatori E. Hoxha, mbas disa hesapeve e kosultimeve, rekomandoi që etimologjia të bazohej te gjuha dhe jo te shpendi shqiponjë … dhe “se sa e pastër” u ruajt gjuha tek bejtexhintë myslimanët shqiptarë besoj se nuk ka nevojë as ta cekim…

Vepra e dokumentuar e vitit 1845, ku del emri Shkypnia.

Në “Konf. II të Stud. Albanologjike”, janar 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, mbi bazën e rekomandimeve enverhoxhiste, e gjith “thembra e Akilit”, ishte të nxirrnin një Skënderbe, “që kishte kopjuar Enverin retrospektivisht e paradoksalisht me forcat e veta”; “një Skënderbe sa më pishmanli e shadetli, i pakënaqur e kritik ndaj gjith Evropës, Papatit Katolik, Lidhjes Italike dhe Republikës Veneciane”, që, “ishte gati të luftonte kundra kishës katolike e priftërinjëve se sa kundra turkut; se preferonte e prirej t’ia jepte Krujën ma parë Sulltanit se sa Venedikut”! (“Konf. II, Stud. Alb.”, bot.1969, Referati, A. Buda, f 39; Kumtesa S. N. Naçi, f 57-58; Kumtesa K. Biçoku, f 73, etj)

Me këtë rast diskutimesh dhe për të dalë si i parë, u fut në punë edhe autoriteti Eqerem Çabej, duke ripublikuar, “Origjina e emrit Shqipëri dhe pse bota na quan Albania”. [http://shekulli.com.al/origjina-e-fjales-shqiperi-dhe-pse-bota-na-quan-albania/, dt. 10.07.2017; nxjerrë nga “Studime Gjuhësore”, V, 1975, f 69 -70; f 107, etj; “St. Gjuh.”, III, 19, etj]

Në shkrimin konkret, prof. Çabej konkludonte: “Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri/Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të paktën nuk ishte përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbër, arbëresh, arbënesh. E me që ky emër sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albani, Albanese etj, që u përmendën më sipër, nga të gjithë këto rezulton që shqipëtarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë”. (cit, më sipër.)

“Përsa i përket emrave shqiptar – Shqipëri, si emra populli e vendi, siç rezulton nga sa u shtjellua më sipër, këta zunë vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes albane për në Greqi e Itali. Përhapie e tyre si emërtime nacionale dhe zhdukia e emrave të vjetër si të tillë, ka lidhje pas gjasash me lëvizjet etnike e sociale […] gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegëtime të brendëshme me formime fisesh të reja, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen […]; Të dy emërtimet do të kenë luftuar për shekuj me rradhë me shoqi-shoqin për përkrahjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shek XVII emrat e rinj dolën fitues […] (“Studime Gjuhësore”, V, 1975, f 69 -70; f 107, etj);

Binte sidomos në sy pasaktësia e shprehjes, kur Çabej i quante emrat e vjetër si, “të zhdukur nga pozicioni nacional”! Në fakt emërtimi “formacion i vjetër”, më saktë formacioni tradicional Albania, me histori vazhdimësie edhe përtej K. Ptolemeut të shek II, nuk ishte zhdukur asnjëherë dhe gjithsesi edhe lufta me shoqi-shoqin siç edhe imponimi, për të dalë fitues e në vendin e parë, nuk dukeshin se ishin trajtuar gjëkundi nga shqipetarologjia! Edhe kur ishte kruar sapak krosta, siç trajtimet e Myderrizit, me vrap ishin përpjekur ta mbyllnin!

Edhe “autoriteti”, mbas Çabejt, prof. Sh. Demiraj ishte shprehur: “kuptimi etimologjik i fjalës shqiptar, mbetet i errët… Ky shpjegim i lidhur me shqiponjën simbas M. Lambertzit nuk është i argumentuar, sikurse nuk është i argumentuar as mendimi i G. Majerit nga lat. Excipio, që nuk qëndron. Sqarimi etimologjik i kësaj fjale mbetet i errët”. (“Gjuha shqipe dhe historia e saj”, 1988, f 216; shih, M. Logoreci, serial te revista Ilyrria, 1934, “Shqipia dhe Shqiptarët simbas Meyerit”; Shih edhe nga ne, Seriali, “Republika” me shqiponjën e re të mejdanit me përkrenaren e Skënder beut dhe me “Kurorën e Artë” të Dhulkarnejnit AZ, simbas Kur’an-it a.s.”, bot. Shqipëria Etnike, 15 tetor 2002, f 12-130;)

Shprehjet e nënkuptuara, tendenca për t’i dhënë edhe një të shtyrë përjashtuese, shprehjet kontradiktore e kundrathënëse, luhatiet dhe lëniet hapur “as mish as peshk”, të elitës shkencore – ideologjike, në fakt ndikoheshin nga pëlqyeshmëritë dhe pozicionimi orjental i  Enver Hoxhës …

  • 6. Inercia konspirative 1990-2018…

 Në periudhën e “demokracisë pluraliste anarkiste”, nga viti 1990 e në vazhdim, ndodhi dhe ende po vazhdon një lloj paradoksi e regresi: organet shkencore fatkeqsisht nuk e përballuan dot vërshimin dhe urinë botuesve dhe autorëve të rinj, për më tepër periodikët dhe revistat shkencore historike dolën pothuajse jashtë loje, bashkë edhe me institucionet e tyre zyrtare! Në këtë situatë shkrimet, diskutimet e studimet historike, gjuhësore etj, u botuan dhe vazhdojnë të botohen mbarë e mbrapshtë nëpër gazeta dhe aty mbesin shumica, të pa lexuara, pa asnjë seleksionim, pa asnjë shqyrtim e vlerësim dhe pa regjistrim bibliografik!

Vepra e dokumentuar e vitit 1845, ku del emri Shkypnia.

Në mënyrën më të papranueshme, filloi të ripërsëritej imitimi i kultit të individit imponues partiak – pushtetar, si diktues vije e interpretimi historik e ideologjik, mbi autoritetet shkencore!

Kategorikisht, nuk mund të ishte një revolucionar student demokrat, nga një krahinë malore, si eksperti i formë shqiponjave heraldike të Gj. K. Skënderbeut dhe të Republikës, në Kuvendin Pluralist, me formë shqiponjat në kutija bananesh…

Ndodhi në këtë periudhë kohore “tranzicioni”, që dhe kur pati libra me kontribute serioze, siç ka qenë rasti me monografinë e dr. Ëngjëll Sedaj. (“Etnonimi ARBËRESH – SHQIPTAR”, Prishtinë 1996), mbi këtë autor dhe mbi disa të tjerë që guxuan të sillnin prurje , interpretime e këndvështrime më realiste, ranë sulmet, ofendimet dhe kërcënimet e Rimëkëmbasve pan turq-islamikë, të tipit Baleta e të myftinjve e imamëve të tipit Musa Qazimi… Ish diplomatët, prokurorët e gjyqtarët, doktorët, zyrtarët dhe ish sekretarët e K.Q të Rinisë, të gjithë “novatorët e R. Alisë, ish  sigurimsat enveristë etj, tash na ishin konvertuar edhe si autoritete  historie, arkeologjie, ekspertë kushtetutash evropiane etj, në PS e në PD…

Duke çfaqur një entuziazëm të tepruar dhe jo realist se, “DITA E ARBËRIT ERDHI” dhe me rastin e një prespektive si bashkim kombëtar, më 1996, dr. Sedaj (cit. f 122), propozonte rikthimin në emërtimin e formacionit Albania!

Në një simpozium në univ. L. Gurakuqi, në vitin 1998, edhe ne mbajtëm një kumtesë për anomalinë e raporteve mbi dy formacion emërtimet, atë tradicionalin nacional dhe këtë kombëtarin e privilegjuar, “Dua më shumë Shqipërinë”!

Dy vjet më vonë, Kushtetuta e Demokracisë Pluraliste e vitit 1998, nuk e gjeti asnjë rresht, asnjë fjalë, as në Prambul e as brenda në Kushtetutë për formacion emërtimin tradicional nacional Albania! Kushtetuta e re e vitit 1998, në të gjitha diskutimet dhe varjantet paraprake, duke patur parsysh edhe një antarësim dhe integrim me Komunitetin Evropian, me hipokrizi e anashkaloi këtë diskutim…

Nuk ka llogjikë të justifikuar etj, prishia e ç’bëria e një realiteti faktik historik, siç propozonte Sedaj, por nga ana tjetër e papranueshme është që formacioni Albania, me të cilin jemi vetëprezantuar me botën e jashtme, de facto e në vazhdimësi të pandërprerë, të mbesë ende si i përzanë, ilegal dhe i pa kushtetucionalizuar!