“Fund historisë së kanabisit”, zotimi i kryeministrit Edi Rama për vitin 2017, të pamëshirshëm, do t’i vendosim kapakun kësaj historie

Kryeministri Edi Rama është i vendosur për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit në vendin tonë. Në kuadër të realizimit të këtij objektivi, kreu i Qeverisë mblodhi dje në Kryeministri strukturat e policisë. “Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala FUND në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën për Shqipërinë që duam”, shkruan kryeministri Rama, teksa e transmetoi live takimin, në rrjetet social.

Kreu i Policisë

I pranishëm në këtë takim, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka folur për strategjinë për asgjësimin e kanabisit. Ai tha se parashikohen ndëshkime të rënda për ata punonjës të policisë që kapen në shkelje të ligjit. “Integriteti i policit është baza ku kemi ngritur punën. Kemi konstatuar efektivë në shkelje të ligjit. Jemi të vendosur të ndëshkojmë secilin prej tyre. Dua të shpreh falënderim për policinë italiane për kontributin që ka dhënë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit. Çako i cili tha se këtë vit do të ketë 30 % më shumë fluturime se vitin e kaluar. “Me skuadarën e Guardia Di Finanza ka filluar fluturimi ajrore në monitorim prej datës 15 maj dhe është llogaritur që këtë vit të kryhen 30% më  shumë fluturime se viti i kaluar deri tani janë kryer 6 fluturime ajrore, janë selektuar 15 raste, por vetëm në një rast me 12 bimë është konstatuar kultivim. Gjithashtu gjatë këtij viti po kryhet monitorim nga ajri me helikopter të policisë. Deri tani janë bërë 21 fluturime dhe  jaën konstatuar vetëm 7 raste”- tha kreu i uniformave blu.

Guardia Di Financa

Në mbështetje të realizimit të kësja strategjie Guardia di Financa garantoi bashkëpunimin duke rritur orët por edhe periudhën e monitorimit nga ajri. “Këtë vit orët e fluturimit do të jenë 30% më shumë krahasuar me vitin 2016. Deri më sot janë kryer 16 misione fluturimi për 37 orë. Edhe tani që poflasim avioni ynë është duke kryer mision ajor në Shkodër. Laboratori i analizimit të dhënave të marra gjatë fluturimeve është operativ dhe është pranë drejtorisë së policisë këtu në Tiranë”- u shpreh në takimin e djeshëm Luca De Paolis, komandant i Guardia Di Financës. Sipas policisë shqiptare nga 27 fluturime që Guardia di Finaca dhe policia shqiptare kanë kryer që nga 15 maji deri tani janë evidentuar vetëm 7 raste kultivimi me kanabis sativa. Në mars të këtij vitit qeveria shqiptare prezantoi strategjinë antikanabis duke premtuar ti japë fund këtij fenomeni.

Kryeministri

Të pamëshirshëm me këdo që shkel ligjin dhe luftë të pandërprerë kundër kanabisit për ta mbyllur një herë e mirë kapakun e këtij fenomeni të shëmtuar. Në takimin me strukturat e policisë si dhe përfaqësuesit e Guardia di Financës, kreu i qeverisë shqiptare  tha se zbatimi i përpiktë i strategjisë antikanabis do të rezultojë një histori suksesi në fund të sezonit duke mos mohuar se ka pasur drejtues policie që kanë bashkëpunuar me kultivuesit. “Dua ta inkurajoj fuqimisht drejtorin e Policisë së Shtetit edhe drejtuesit e tjerë që të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo elementi që shfaqet pasiv lërë më pastaj i përfshirë në mos njoftimin e menjëhershëm të fenomenit në rast se ai del në sipërfaqet ku këta elementë janë të detyruar të marrin informacion të përditësuar”- tha Rama. Kryeministri u zotua se do ti jepet fund historisë së kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë. “Baza e planit kombëtar të luftës kundër kanabisit është solide dhe zbatimi pikë për pikë i kësaj baze në letër është një shembull i qartë që nëse do të vazhdohet me këtë vendosmëri me këtë ritëm dhe me këtë vëzhgim të përditshëm që shoqërohet me reagime të menjëhershëm me siguri që në fund të sezonit ne do të themi me plot gojën që ia dolëm të përmbysim situatën dhe të fendosim fjalën “fund” në historinë e kultivimit  në shkallë të gjerë të kanabisit”- tha ai. Nga ana tjetër, Rama shprehu bindjen se lufta kundër kanabisit do të kthehet në një histori suksesi. “Kjo është një luftë e cila nuk mbyllet siç mbyllet historia e një sëmundje pas një operacioni, por ajo që ne jemi të vendosor që të bëjmë është ta fshijmë njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo histori shumë vjecare dhe pastaj të luftojmë fenomenin në nivele marxhinale ku mund të shfaqet në zona të thella. Është inkurajuese gjithë baza e të dhënave sot për kontrollet për asgjesimet si dhe kryesorja që ka të bëjë me thelbin e planit për parandalimin. Në esencë është një operacioni i përbashkët me partnerët tanë italianë, mes dy qeverive dhe ashtu si ka rezultuar mes takimit të ministrit të Brendshëm Xhafaj dhe atij italian mundësia për ta kthyer në një histori suksesi është në dorën tonë”- u shpreh ndër të tjera, kryeministri Edi Rama.