“Francë 2016”, Shqipëria më pak e kiotuara, por që do të jetë befasia e Europianit

Shqipëria është një prej debutueseve në Euro 2016 dhe një prej skuadrave më pak të kuotuara, por në Francë, kuqezinjtë do ta shesin shtrenjtë “lëkurën”. Ky është edhe opinioni i prestigjiozes ESPN, që theksonte se pavarësisht koeficientit 500 që Kombëtarja ka për ta fituar turneun dhe gjasat që kjo të ndodhë janë minimale, e sigurt është që përpara se vera të përfundojë, Shqipëria mund të shkaktojë një, apo edhe dy surpriza.

Megjithë golin e pësuar pas vetëm 56 sekondave lojë në miqësoren ndaj Katarit, Sipas ESPN skuadra e drejtuar nga Gianni de Biasi ka potencialin që të tronditë evenimentin më të rëndësishëm europian. Një përfundim logjik, pas surprizave që Shqipëria ka shkaktuar në rrugën e saj drejt Euro 2016. Nga fitorja e vitit 2014 në Portugali, për të vazhduar me Francën në vitin 2015. Vendi i dytë në Grupin I kualifikues dhe bileta direkte për në turneun në Francë ishin rezultat i një ecurie fantastike.

Me paraqitje të tilla, nuk duket e pamundur që në finalet e turneut kuqezinjtë të regjistrojnë një fitore, e cila mund t’i ndihmonte të kualifikoheshin nga faza e grupeve. Përveç lojës fizike dhe mbrojtjes së fort, ESPN e vlerëson Kombëtaren edhe për aspektin psikologjik. Një skuadër që nuk dorëzohet kurrë. Ashtu si në miqësoren me Gjeorgjinë kur në tre minutat e fundit të lojës ishte në disavantazhin e dy golave dhe arriti të barazonte 2-2, apo në testin e muajit mars, ku edhe pse Austria kryesonte 2-0 pas 13 minutave lojë, Shqipëria mbeti e përqendruar dhe rihapi ndeshjen.

Megjithë problemin e golave të shpejt të pësuar, Shqipëria nuk mund të quhet jashtë garës. Duke u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian, kuqezinjtë mahnitën botën. Dhe askush nuk ka guximin të marrë përsipër rrezikun që të mendojë se të besuarit e De Biasit do të thyhen lehtë.

Mbrojtje solide, mesfushë e ngjeshur për të lënë sa më pak hapësira dhe një sulmues i deklaruar, për të tentuar që ti kapë rivalët në befasi. Kjo është mënyra e lojës me të cilën sipas UEFA-s, Shqipëria pritet të paraqitet në finalet e Euro 2016. Në ditët e fundit të përgatitjeve drejt Euro 2016, faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit parashikoi formacionet e mundshme të skuadrave pjesëmarrëse. Gjithçka duke u bazuar në skemat e përdorura më së shumti gjatë kualifikueset dhe miqësoreve të 24 përfaqësueseve finaliste.

Për Shqipërinë e Gianni De Biasit skema më e përdorur mbetet 4-5-1, ku edhe variacioni taktik i trajnerit me rreshtimin 4-2-3-1 e mban praktikisht mesfushën të ngjeshur dhe me 5 lojtarë. Berisha në portë ka mbështetjen e Hysajt, Canës, Mavrajt e Agollit në mbrojtje. Në mesfushë Kukeli është gjithmonë përpara mbrojtjes për të thyer aksionet e kundërshtarëve. Taulant Xhaka përdoret si “xhol”, herë përkrah Kukelit dhe në disa raste në pozicion më të avancuar, ashtu si Abrashi. Nga krahët e mesfushës, Lenjani duket i paprekshëm në të majtën, ndërsa Roshi në avantazh për krahun e djathtë, ndërsa Cikalleshi jepet favorit për një fanellë titullari, edhe pse së fundmi Armando Sadiku ka forcuar pozitat në ekip. Përsa i takon ekipeve të tjera të Grupit A, Zvicra, kundërshtari i parë i kuqezinjve më 11 Qershor në Lens, pritet të luajë me rreshtimin agresiv drejt sulmit, 4-3-3. Në formacionin e helvetëve pritet të jenë 4 nga 6 shqiptarët e skuadrës, Granit Xhaka, Behrami e Shaqiri në mesfushë dhe Admir Mehmedi në sulm. Skuadër sulmuese e rreshtim 4-3-3 edhe për Francën, me yllin e skuadrës Pogba të spostuar nga e djathta në mesfushë, ndërsa Griezmann, Payet e Oliver Giroud pritet të përbëjnë treshen sulmuese. Rreshtim deri diku të ngjashëm me Shqipërinë mendohet se do të përdorë edhe Rumania, me skemën 4-2-3-1, ku Torje e Popa janë në balotazh në mesfushë, ashtu si Andone dhe Keerü për vendin e sulmuesit të vetëm. Këto janë formacionet e Shqipërisë dhe kundërshtarëve në evenimentin në Francë. Taktika do të ketë një rol të rëndësishëm në ecurinë e skuadrave. Por, më tepër se kjo do të vlejnë dëshira për të mos zhgënjyer, puna në grup dhe lufta sportive. Të gjitha cilësi për të cilat Kombëtarja kuqezi spikat dhe që i siguruan pjesëmarrjen historike në Kampionatin Europian.