Fokusi i Shqipërisë te turizmi dhe bujqësia, Profesori i njohur i Harvardit, Ricardo Hausmann: Investimet e huaja janë jetike

Profesori i njohur i Harvardit, Ricardo Hausmann thotë se gjatë këtyre katër viteve, qeveria ia doli të zgjidhë me sukses 2 probleme të mëdha të trashëguara nga e shkuara, krizën fiskale dhe atë energjetike.

“Kur qeveria nisi punën në 2013-n, kishte një deficit të lartë, nuk po paguante faturat e saj dhe po akumulonte borxhe dhe pastaj ishte kriza me CEZ-in. Sot këto dy probleme janë zhdukur. Të ardhurat janë të kontrolluara mirë, problemet me OSHEE-në janë zgjidhur, ka investime të rëndësishme në energji dhe vitin që shkoi ky sektor ishte investitori i jashtëm më i madh në vend”, thotë ai.

Por cilat duhet të jenë prioritet e qeverisë në katër vitet që vijnë, sipas profesorit të Harvardit?

“Ka shumë gjëra që mund të bëhen për ta shndërruar Shqipërinë në një vend edhe më tërheqës, për turizmin. Është mundësia e një aeroporti në jug, ka mundësi të zhvillimit të porteve të vegjël, që për arsye historike nuk i ka zhvilluar kurrë, është mundësia të tërheqësh investime në hotele me pesë yje, të udhëtosh në Shqipëri nga ajri është ende shumë shtrenjtë, duhet të ketë politika që të adresojnë këtë problem. Mendoj se mund të bëhet shumë sa i përket teknologjisë për të përmirësuar bujqësinë. Kemi eksperiencën e kthimit të emigrantëve shqiptarë nga Greqia, që shkojnë në fshatrat e tyre dhe merren me bujqësi. Mendoj se qeveria duhet të bëjë përpjekje për të tërhequr industrinë e manifakturës. Ka plot mundësi duke patur parasysh zonat ekonomike dhe industriale, Koplikun, Spitallën, Vlorën dhe dy zona të reja në Tiranë. Shpresoj që qeveria të punojë në këto sektorë, siç bëri me krizën fiskale dhe energjetike”, përgjigjet Hausmann.

Për të rritur investimet e huaja në Shqipëri, profesor Haussman ka një këshillë.

“Nuk mendoj se ka diçka specifikisht të gabuar me taksimin në Shqipëri, por mendoj se duhet përmirësuar ekosistemi i biznesit. Duhet t’u shpjegojmë investitorëve se cilat janë mundësitë që u ofrohen në Shqipëri dhe duhet të luftojmë burokracinë duke bërë sistemet më efektive, që të jetë më e lehtë për ta. Mendoj se një politikë proaktive mbi investimet e huaja është jetike, jo vetëm për pritur që investitorët të vijnë, por duhet të jemi agresivë, të marketojmë në mënyrë direkte tek ata që do të kishin arsye të mira për të qenë në Shqipëri, por që nuk kanë menduar për të, sepse po eksplorojnë mundësi të tjera. Pra të vendosim Shqipërinë në mendjen e tyre”, deklaron ai.