FMN publikon rishikimin e Panoramës Ekonomike Globale, ja prirjet për ekonominë shqiptare

FMN ka publikuar sot rishikimin e Panoramës Ekonomike Globale, ku thekson se rimëkëmbja e parashikuar në raportin e muajit prill mbetet në rrugë të mbarë, me rezultatin global të parashikuar të rritet me 3.5 për qind në vitin 2017 dhe 3.6 për qind në 2018. Parashikimet për ekonominë globale kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me raportin e muajit prill, por kjo ka ardhur kryesisht nga ulja e pritshmërive për SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, ndërsa për Europën perspektiva ësht ëpërmirësuar.

Parashikimet e rritjes së SHBA-së janë më të ulëta se në muajin prill, kryesisht duke reflektuar supozimin se politika fiskale do të jetë më pak ekspansioniste, se sa parashikohej më parë. Rritja për SHBA-të është rishikuar nga 2.3% në 2.1% në 2017 dhe nga 2.5% në 2.1% në 2018.

Rritja është rishikuar për Japoninë dhe sidomos për zonën e euros, teksa ecuria pozitive e aktivitetit në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017 tregojnë për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Parashikimet e rritjes së Kinës janë rishikuar gjithashtu, duke reflektuar një tremujor të parë të fortë të 2017 dhe pritjet e mbështetjes fiskale të vazhdueshme. Inflacioni në ekonomitë e zhvilluara mbetet i ulët dhe përgjithësisht nën objektiv; Gjithashtu ka rënë në disa ekonomi në zhvillim, si Brazili, India dhe Rusia.

Rimëkëmbja e Europës
FMN parashikon se rimëkëmbja ciklike mund të jetë më e fortë dhe më e qëndrueshme në Evropë, ku rreziku politik është zvogëluar. Ekonomia e eurozonës pritet të rritet me 1.9% në 2017-n, nga 1.7% që ishte parashikimi i prillit.

Pritshmëria për rritjen ekonomike është rishikuar për shumë shtete të eurozonës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, ku performnca ka qenë përgjithësisht më e mirë sesa pritej në tremujorin e parë të vitit.

Kjo, thekson FMN, së bashku me rishikimet pozitive të rritjes për tremujorin e fundit të 2016-s dhe treguesit me frekuencë të lartë për gjysmën e dytë të 2017-s, tregojnë për një ecuri më të forte të kërkesës së brendshme, në krahasim me atë që pritej.

Edhe për Europën në zhvillim, pritshmëritë mbeten pozitive, të udhëhequra nga një rritje më e fortë sesa parashikimi në Turqi, si rrjedhojë e eksporteve të larta. Edhe kërkesa e jashtme pritet të jetë pozitive si rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit të partnerëve të eurozonës.

Shqipëria mbetet me rritjen më të lartë në rajon
Për Shqipërinë, raporti i korrikut nuk ka të dhëna të detajuara, por burime nga FMN pohojnë se ato i qëndrojnë parashikimeve të raportit të prillit, sipas të cilit rritja në 2017-n pritet të jetë 3.7%, për t’u përshpejtuar në 2018-n në 4.1% dhe deri në vitin 2022 pritet të jetë në këto nivele.

Për 2017-n, Shqipëria pritet të ketë rritjen më të lartë në rajon, e ndjekur nga Kosova me 3.5, Mali i Zi me 3.3%, Maqedonia me 3.2%, Serbia dhe Bosnja me nga 3%./monitor/