FMN: Ekonomia e Shqipërisë vijon të fuqizohet; përpjekje të mëtejshme për të çimentuar arritjet

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri publikoi raportin e konkluzioneve dhe rekomandimeve mbi ekonominë e Shqipërisë.  Në raportin e publikuar në faqen zyrtare të FMN-së thuhet se ekonomia shqiptare vazhdon të forcohet.

“Ekonomia e Shqipërisë vijon të fuqizohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës vendase, investimet e huaja direkte të mëdha të lidhura me sektorin energjetik, rritja e turizmit dhe rimëkëmbja e partnerëve tregtarë më kryesorë nga BE-ja”, citohet raporti.

Sipas FMN-së, nën programin e mbështetur nga FMN dhe të mbyllur së fundmi, autoritetet i kanë ulur pozitat e pafavorshme fiskale dhe financiare, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’i çimentuar këto arritje. “Ritmi i reformave është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve dhe periudhës së gjatë të ndërrimit të qeverive”.

“Ekonomia në rritje dhe mandati i qartë zgjedhor i ofrojnë qeverisë së re një mundësi të rrallë për dyfishimin e punës për reformat. Çuarja përpara e programit të reformave është me rëndësi kritike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, zvogëlimin e risqeve fiskale dhe rritjen e potencialit të rritjes ekonomike”, thuhet më tej.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektiva, raporti i FMN-së evidenton se vijon rimëkëmbja ekonomike, e mbështetur nga projekte të mëdha me IHD të lidhura me
energjetikën dhe nga rritja e besimit të konsumatorëve.

“Norma e rritjes së PBB-së parashikohet të rritet në 3,9 për qind në vitin 2017, nën nxitjen e zgjerimit të vrullshëm të sektorëve të turizmit dhe ndërtimit, në kompensim të efektit negativ që ka pasur thatësira për prodhimin e energjisë elektrike. Rimëkëmbja e numrit të vendeve të punës vijon, me rënien e papunësisë në 13,9 për qind në 3- mujorin e II të vitit 2017. Kredia për individët dhe eksportet po rritet. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet paksa në vitin 2017, duke arritur 8 për qind të PBB-së, me rritjen e investimeve energjetike dhe importet e energjisë elektrike për shkak të thatësirës. Ndikimi i inflacionit të jashtëm në nivele më të larta dhe rritja e kërkesës së brendshme pritet ta çojë inflacionin në rreth 2 për qind (vjetore, mesatare) në vitin 2017”, bëhet e ditur.

Pavarësisht nga fuqizimi i rimëkëmbjes, sipas FMN-së, konsolidimi fiskal pritet të ngadalësohet në vitin 2017. Borxhi publik, (përfshirë detyrimet e konsiderueshme të prapambetura të qeverisjes vendore dhe qendrore), sipas FMN-së, pritet të bjerë modestish nga 73,3 për qind në 71.5 për qind të PBB-së në fund të vitit 2017.

Sa i përket parashikimit për periudhën afatmesme, FMN thotë se duket i favorshëm, me kusht që të mbahet ritmi i reformave.  “Në vitin 2018, rritja është parashikuar të bjerë paksa në 3,7 për qind, me rënien e investimeve nga projektet e mëdha të lidhura me energjetikën. Pritet që rritja të jetë 4 për qind në periudhën afatmesme, për shkak të reformave që lidhen me anëtarësimin në BE si dhe nga rimëkëmbja e shkëmbimeve me partnerët kryesorë tregtarë në BE. Risqet për këtë parashikim janë të balancuara”.

Në aspektin pozitiv, rritja e besimit pas zgjidhjes së paqartësisë politike dhe efektet nga projektet e mëdha në energjetikë dhe infrastrukturë mund të çojnë në investime më të mëdha dhe në një rimëkëmbje më të fortë të kredisë.

Në aspektin negativ, vijimi i kushteve të motit të thatë mund të ketë ndikim në prodhimin e energjisë elektrike dhe të paraqesë risqe pothuaj fiskale. Një ngadalësim i ritmit të reformave dhe shkarjet fiskale mund ta ulnin besimin, të rrisnin primet e riskut dhe të rrisnin risqet e përhapjes së efekteve.

Vështirësitë në sistemin bankar në Evropë ose ulja me shpejtësi e levës financiare nga bankat në BE, sipas FMN-së, mund të çonin në stres të sektorit financiar. Në këtë kuadër, FMN thotë se prioritetet kryesore për politikat janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe thellimi i reformave strukturore për ta përmirësuar klimën e investimeve dhe për të arritur nivelet e të ardhurave si në BE.

FMN rekomandon që politikat të synojnë t’u japin zgjidhje vështirësive që lindin nga borxhi i lartë publik, niveli i ulët i kreditimit dhe institucionet e dobëta, që i frenojnë investimet. Sipas parashikimeve të misionit, për ta arritur objektivin e synuar të borxhit do të nevojiteshin masa shtesë të përhershme prej rreth 1¼ për qind të PBB-së në vitet 2018-2019.

FMN po ashtu evidenton se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.  Misioni e mirëpret zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap tranzitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore.

Por, FMN thotë se autoritetet nuk duhet të japin më përjashtime të reja tatimore, trajtime preferenciale apo të ulin shkallët tatimore. Struktura e TVSH-së dhe e tatimfitimit për bizneset e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për administratën tatimore.

Nga ana tjetër, sipas FMN-së, njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore.

FMN analizon edhe programin e autoriteteve për investime publike përmes PPP-së. “Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”, thuhet në raport.

Duke u ndalur në politikat monetare, FMN thotë se politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë vijon të jetë e duhura, duke pasur parasysh hendekun ende negativ të prodhimit dhe kursin e mbiçmuar të këmbimit.

Nga ana tjetër, sipas FMN-së, kuadri i dobët i zgjidhjes së kredive nën standard vijon ta pengojë rimëkëmbjen e kreditimit, sidomos për shoqëritë e mëdha.  Misioni e mirëpret progresin e ristrukturimit të kredive nën standard të huamarrësve të mëdhenj. “Krahas fshirjeve të detyrueshme nga librat kontabël, këto masa kanë çuar në një rënie të konsiderueshme të normës të kredive nën standard.

Por udhëzimi i fundit për tarifat e përmbaruesve privatë ka të ngjarë ta pengojë procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe duhet të anullohet. Autoritetet të miratojnë sa më shpejt aktet nënligjore në zbatim të ligjit të ri për falimentin dhe të ndihmojnë ristrukturimin jashtë gjykatës. Rigjallërimi i Grupit të Punës për Kreditë nën Standard mund të ndihmojë në çuarjen përpara të kësaj axhende reformash.

Misioni e mirëpret vazhdimin e përpjekjeve të autoriteteve për fuqizimin e mbikëqyrjes financiare.  Sipas FMN-së, perspektivat e investimeve pengohen edhe nga paqartësia në titujt e pronësisë dhe një gjyqësor i korruptuar dhe joefikas. “Reforma e thellë në sistemin gjyqësor, e miratuar në mesin e vitit 2016, të zbatohet me shpejtësi dhe vendosmëri. Nevojitet një strategji e re për të drejtat e pronësisë, për ta çuar përpara proçesin e regjistrimit dhe dixhitalizimit dhe për të bashkërenduar proceset e kthimit dhe legalizimit të pronave”, thuhet në raport. /a.gjonaj//m.m/