Florida, 50 të vdekur në vrasjen masive më vdekjeprurëse në SHBA

Një person i armatosur që dyshohet për vrasjen e të paktën 50 njerëzve në një klub nate për homoseksualët në Orlando të shtetit Florida, është identifikuar si Omar Saddiqui Matteen, shtetas amerikan me origjinë nga Afganistani.
Omar Saddiqui Mateen

Omar Saddiqui Mateen

Një zyrtar i FBI-së tha se tragjedia, që besohet të jetë vrasja masive më e madhe në historinë amerikane, po hetohet si një akt terrorist. Zëdhënësi i FBI-së, Ron Hopper, tha se është shumë herët që incidenti të klasifikohet si terrorizëm apo krim urrejtjeje.

Përcaktimi do të ndodhë menjërë sapo hetuesit të kenë të gjitha faktet në dorë.

Duke iu drejtuar kombit, Presidenti Barack Obama tha se bëhej fjalë “për një akt terrori dhe urrejtjeje”.

“Sot si amerikanë, ne dëshpërohemi për vrasjen brutale, një masakër të tmerrshme të dhjetra njerëzve të pafajshëm. Ne lutemi për familjet e tyre, që po përpiqen të gjejnë përgjigje me zemra të thyera. Ne qëndrojmë në krah të popullit të Orlandos që përjetoi një sulm të tmerrshëm në qytetin e tyre”.

Senatori i Floridës, Bill Nelson, tha se zyrtarë amerikan të zbulimit e kishin informuar atë se, autori mund të kishte premtuar besnikëri ndaj Shtetit Islamik. Ai shtoi se hetuesit, janë kryesisht të përqendruar në Fort Pierce dhe St.Lucie të Floridës, vende ku njoftohet se ka jetuar autori i sulmit.

Policia ndërhyri në vendin e ngjarjes, duke qëlluar për vdekje të dyshuarin dhe shpëtuar njerëzit e bllokuar brenda klubit. Njoftohet se 53 njerëz janë plagosur.

Sot po përballemi me diçka që ne kurrë se kemi imagjinuar dhe është e paimagjinueshme, tha për gazetarët Kryetari i Bashkisë së Orlandos, Buddy Dyer, gjatë një konference shtypi.

Themeluesi i qendrës islame “Mike Space” në veri të shtetit Virxhinia pranë kryeqytetit amerikan, i tha sherbimit afgan të Zërit të Amerikës se “ky është një akt terrori i pajustifikueshëm”. Ai shtoi se “vrasja e njerëzve të pafajshëm është një akt frikacak, një akt që çdo mysliman dhe qënie njerëzore duhet ta dënojë. Imami Zia Makhdoom po ashtu tha se myslimanët po ashtu ndihen të kërcënuar kur ndodhin akte të dhunshme.

Mbetet e paqartë se përse klubi i natës ishte në qendër të sulmit. Akti vjen ndërsa shumë qytete në mbarë botën festojnë muajin qeshor si muaji i komunitetit LGBT.

VOA