Fletërrufetë, një mënyrë e organizuar për të “emancipuar” me frymën refolucionare dhe për të denigruar qytetarin

Fletërrufetë e kthyen jetën në shoqërinë shqiptare si një udhëtim në një fushë të minuar, njerëzit e humbën mundësinë për të pasur jetë private, kushdo ishte i lirë të shkruante kundër tyre për gjithçka, edhe gjëra krejt personale

Në 23 mars 1967, Enver Hoxha ndërhyri vetë për të vendosur rregull në tregun e masivizuar të spiunëve. Në një mbledhje të sekretariatit të KQ të PPSH, ai i kushtoi një hapësirë të konsiderueshme çështjes së fletërrufeve. Në procesverbalin e mbledhjes gjendet vetëm fjala e tij, nuk dihet nëse të tjerët kanë folur apo mendimet e tyre nuk janë regjistruar. Në mbledhjen e sekretariatit, e cila drejtohej nga diktatori, merrnin pjesë sekretarët e KQ: Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Xhafer Spahiu. Kishte edhe disa të ftuar.

Fletërrufetë u shfaqën në fillim të vitit 1967 dhe pas fjalës së diktatorit në 6 shkurt, kur ai bëri thirrje për të luftuar të ashtuquajturin indiferentizëm, të ashtuquajturat zakone prapanike dhe kundër fesë. Të gjitha këto synonin të realizonin një gjë: nxjerrjen në masë të qytetarëve në punë vullnetare, sidomos të grave, të cilat, tradicionalisht nuk merrnin pjesë masivisht në çështjet publike. Me anë të fletërrufeve, të cilat kishte të drejtë t’i shkruante kushdo, me emër e pa emër, Shqipëria kthehej në zonë të minuar për ata që nuk i pëlqenin icitivat e regjimit. Ata ishin të pasigurt, sepse mund të spiunoheshin fare mirë nga njerëzit e tyre më të afërt.

Një arsimtar në Lezhë, për shembull, ishte kritikuar përmes fletërrufesë se nuk kishte nxjerrë gruan në punë, kur kishin kaluar katër muaj nga martesa; në një mbledhje në Lezhë, pas një letre të diktatorit, ishte marrë vendimi që gratë do të dilnin në punë 20 ditë pas martesës. Fletërrufenë e kishte vendosur organizata e rinisë e kooperativës “Ylli i kuq”. Arsimtari dëshironte që ta fuste gruan në punë aty ku do të punonte edhe vetë, dhe, sipas një artikulli në gazetën “Bashkimi” (23 gusht 1967), ai nuk ishte dakord që vajzat e reja të shkonin në aksion. Mësuesi, gjithmonë sipas artikullit të shkruar nga Dodë Nikoll Rakaj dhe Sulejman Bala, e konsideronte të paarsyeshme dhe të pavend faktin që gruaja e tij përgojohej në mbledhjet e organizatës së frontit. Ai në fakt nuk ishte fare anëtar i kooperativës dhe ishte i bindur që fletërrufenë ia kishte shkruar një koleg, Gjokë Prençi.

Në një moment, mësuesi i anatemuar u kishte thënë drejtuesve të mbledhjes se ata nuk kishin të drejtë t’i përgojonin familjen. Ai tha, shkruan gazeta: “Kush jua lejon juve një gjë të tillë”. Mësuesi, megjithëse mund të ketë qenë njeriu më i arsimuar në atë mbledhje, nuk e ka shfrytëzuar shumë aftësinë e tij për të lexuar.

Një javë pas fjalës së Enver Hoxhës në sekretariatin e KQ, më 1 prill, gazeta zyrtare e PPSH, “Zëri i popullit”, kishte dalë me këtë kryeartikull: “T’i bëjmë fletërrufetë një mjet të fuqishëm për edukimin ideopolitik e moral të masave”.

“Pas porosisë që shoku Enver Hoxha dha në mbledhjen e përbashkët të disa organizatave-bazë të partisë të qytetit të Tiranës në shkurtin e kaluar (6 shkurt), në të gjithë vendin, në qytete e fshatra, në qendrat e prodhimit dhe institucionet e ndryshme, shpërthyen me një hov të madh fletë-rrufetë, të cilat zëvendësuan gazetat e murit burokratike të mëparshme”, – shkruhej në kryeartikull.

Fletërrufeja konsiderohej, nga gazeta, “një mjet i fuqishëm për shprehjen e mendimeve të masave dhe një formë shumë e rëndësishme e punës edukative, ideologjike e politike me masat”. Teksti kuptohet që është shkruar pas mbledhjes së sekretariatit të KQ, sepse këshillon se tani është e rëndësishme që “fletërrufetë të zhvillohen në rrugë të drejtë, të zgjerohet tematika e tyre, të thellohet përmbajtja dhe të përmirësohet forma e tyre. Në fjalën e tij në sekretariat, diktatori kërkoi të njëjtën gjë: “Fletërrufetë ne duhet t’i konsiderojmë si një formë pune të rëndësishme edukative politike dhe ideologjike me masat, prandaj, në qoftë se i shohim me këtë sy, këtë punë nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit, fletërrufetë nuk mund t’i lëmë pa i përmirësuar, si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma, pse edhe kjo ka rëndësinë e vet. Të veprosh ndryshe, do të thotë të lejosh që fletërrufetë të degjenerohen në sulme personale, shumë nga të cilat mund të kenë edhe baza të drejta, por në të vërtetë nuk kanë për të bërë atë efekt që kërkojmë jo më për edukimin e masave, po as për atë që kritikohet”.

Fletërrufetë nuk bëheshin në mënyrë spontane, ato ishin të orkestruara nga organizatat e partisë në lokalitete. “Duke punuar për të vënë në jetë mësimet e shokut Enver, organizatat e partisë duhet t’i japin rëndësi të madhe përmbajtjes së fletërrufeve ashtu edhe formës së tyre”, – porosiste gazeta. Diktatori kishte porositur të njëjtën gjë: “Shkoni në repartet ushtarake dhe shikoni sa mirë e bëjnë atje këtë punë. Edhe për rrethet asnjë pengesë nuk duhet të ketë, mendoj unë, nga ana materiale, pse kudo ka mundësi të ngrihen tabella për publikun jo një, po një mijë e një. Kjo është njëra anë. E dyta është pastaj çështja e paraqitjes, mbasi edhe kjo ka rëndësinë e saj, pse fletë rrufetë tani dalin me letra të ndryshme nga madhësia me shkrime të ndryshme, ca i bëjnë me shkronja të vogla, ca me të mëdha etj., etj. Për këtë qëllim, mendoj të kemi disa qendra të posaçme ku të ketë letra të prera në format të madh, të ketë furça të holla, të trasha e me të trasha, ngjyrë kine të zezë, të kuqe etj., etj.”.

Në shkolla e ndërmarrje fletërrufetë vendoseshin në kënde të caktuara, që quhej këndi i fletërrufeve, por vendoseshin edhe në vende të tjera publike. Njerëzit i ngjitnin ku të mundnin. Fletërrufetë shkruheshin edhe nga fëmijët, indoktrinimi fillonte që në moshë të njomë. Enver Hoxha përmend në fjalën e tij se ka vizituar një shkollë dhe ka parë edhe këndin e fletërrufeve. “Kam parë tabllon me fletë rrufe të shkollës 12 vjeçare “Naim Frashëri” të Durrësit. Ajo ishte një gjë shumë e bukur, shëmbullore mund të themi, që të tërheq shumë. Fletë rrufe në këtë tabllo janë të shkruara me shkronja të mëdha e të vogla, sipas rëndësisë së problemit që trajton secila. Të tilla mund të bëhen edhe në qendrat që përmenda. Përveç nxënësve që do të vihen të shkruajnë vullnetarisht, aty mund të ngarkohet të punojë edhe ndonjë anëtar partie”, – thotë ai.

Fletërrufetë vazhduan për vite me radhë. Fryma e fletërrufeve u fut dhe në artikujt e gazetave të cilat ishin të mbushura me sulme personale kundër individëve. Gazeta “Studenti” filloi të mbushej me shkrime të ngjashme me fletërrufetë, ku goditeshin me emra studentë të caktuar. Çështjet për të cilat akuzoheshin ishin kryesisht për veshjen, mënyra e qethjes etj. Në një numër të “Studentit”, 17 tetor 1974, u botuan dy karikatura. Në njërën ishte vizatuar një vajzë me minifund dhe bluzë të ngjitur e me gjoksin të avancuar para, kurse në tjetrën një i ri me flokët e gjata, mbi vesh. Këto dy karikatura shoqëroheshin me këtë diçiturë: “Një pamje pak a shumë të tillë kanë… [vijojnë 12 emra studentësh dhe fakultetet e tyre]… si dhe ndonjë tjetër që akoma s’e ka kapur organizata e rinisë edhe në fakultete të tjera”. Mes emrave të këtyre jokonformistëve, unë njoh vetëm njërin, që në 1991 u shfaq si një enverist i zjarrtë. Siç duket, ka reflektuar nga këto kritika, sepse edhe pas vitit 1991 reflektoi shpejt, nga enverist u bë socialist.

Shpesh gazeta botonte tekste të marra direkt nga këndi i fletërrufeve. Ja një fletërrufe në formë poetike:

“Ditë, ditë i lashë

T’më rriten pas qefit

T’më mbulonin qafën

T’më binin pas veshit

Po filluan kritikat

Të binin si rrufe.

Të bësh sipas qefit

Shoqëria s’të le.

Tani jam i vetëm

Këtë e shikoj,

Prandaj do të nisem

Flokët t’i shkurtoj”.

(Marrë nga këndet e fletërrufeve të organizatave të rinisë)

 

Gazeta nuk mjaftohej vetëm me botimin e fletërrufeve. Ajo ndiqte procesin në vazhdimësi, duke punuar si policia e mendimit në romanin “1984” të Xhorxh Oruellit. Pas një muaji, gazeta i kritikoi sërish disa nga djemtë me flokët të gjatë dhe vajzat me minifunde që ironizoi në numrin e 17 tetorit. Studentët u ishin përgjigjur fletërrufeve, por gazeta ishte e pakënaqur me përgjigjet e tyre, sepse “në përgjigjet s’ka asnjë shenjë analize, qëndrimi kritik ndaj vetes është shumë i përciptë, formal”.

Fletërrufetë ishte një mjet i drejtpërdrejtë për të shkatërruar karakterin e shoqërisë. Për ta kthyer gjithë jetën e njeriut në pronë publike, individi s’kishte më jetë private, sepse ajo spiunohej nga fqinji, shoku i klasës, madje dhe nga njerëz brenda familjes.

Në njerëzit që u bënë viktimë e fletërrufeve, dhe që janë përmendur dhe pas viteve ‘90, ose kanë folur vetë, janë dhe disa emra të njohur të kulturës si këngëtarja Edit Mihali apo gjuhëtari Eqrem Çabej. Të paktën, për këta të dy ka diçka të shkuar.

Sopranoja e njohur nuk e kujton dhe aq për keq një fletërrufe që i vendosën në 1974, për shkak se kishte munguar në një mbledhje të këshillit pedagogjik të Liceut Artistik, ku ajo ishte mësuese. “Në vitin 1974, kur tashmë ishte bërë nënë, Editi bëhet pre e një fletërrufeje, aq të zakonshme për kohën. Braktisi një mbledhje të stafit pedagogjik, sepse i biri ishte sëmurë. Kaq mjaftoi për të nisur sulmi. Të gjithë u shqetësuan, bashkëshorti më shumë. Ai ishte në presion të vazhdueshëm për sa i përket karrierës së bashkëshortes, e cila admirohej prej personaliteteve të artit. Shumë i kërkonin që të mos e merrte në qafë Editin si soprano, ajo ishte e talentuar, me një zë për t’u admiruar”, – shkruan gazeta “Shqip”, 30 nëntor 2008. “E asnjë e keqe nuk vjen për të keq, dhe për mua, ajo fletërrufe ishte një fat i madh. Menjëherë pas saj, ishte vetë im shoq që më thotë të bëhesha gati për konkursin e dhjetorit në Opera”, – thotë vetë Edit Mihali për fletërrufenë. Qysh atëherë ajo u bë zyrtarisht soprano e institucionit të operas.

Për Eqrem Çabejin tregon Faruk Myftaraj në një artikull në gazetën “Albania” në 21 gusht 2001. Sipas tij, Eqrem Çabejit i kishin bërë një fletërrufe dhe atij iu desh të përgjigjej. Sipas tij, gjuhëtari i shquar shkroi një përgjigje ndryshe: “Një përgjigje goxha të gjatë, aq të detajuar, në të cilën profesori bëri kujdes e nuk lejoi asnjë gabim ortografik apo drejtshkrimor dhe nuk përdori, në asnjë rast, të njëjtën fjalë dy herë. Tërë përgjigjja vlente më shumë si një gjest kulturor në një kohë antikulture”.

DOKUMENTI

 PROÇES-VERBAL MBAJTUR NË MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QËNDROR TË PPSH NË DATËN 22.3.1967

Shoku Enver Hoxha: Unë kam përgatitur një diskutim të vogël lidhur me këto probleme që përfshinë rendi i dtës që mendoj ta bëj në fund, po tani dëshiroj të flas pak për fletë rrufetë.

Në parim, të gjithë e kemi kuptuar rëndësinë e tyre, por më duket se në praktikë fletë rrufeve nuk po u kushtohet vëmendja dhe kujdesi i duhur. Nga sa kam parë vetë në disa rrugë të Tiranës, këto nxirren në disa vende jo të përshtatshme që ishin caktuar më parë për gazetat e murit, të cilat edhe nga përmbajtja, edhe nga forma ishin shumë të këqija.

Fletë rrufetë ne duhet t’i konsiderojmë si një formë pune të rëndësishme edukative politike dhe ideologjike me masat, prandaj, në qoftë se i shohim me këtë sy, këtë punë nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit, fletë rrufetë nuk mund t’i lëmë pa i përmirësuar, si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma, pse edhe kjo ka rëndësinë e vet. Të veprosh ndryshe, do të thotë të lejosh që fletë rrufetë të degjenerohen në sulme personale, shumë nga të cilat mund të kenë edhe baza të drejta, por në të vërtetë nuk kanë për të bërë atë efekt që kërkojmë jo më për edukimin e masave, po as për atë që kritikohet.

Është e arsyeshme ajo që tha shoku Ramiz, që çështjet që shtrohen në fletë rrufetë, të bëhen objekt diskutimi në kolektivin përkatës.

Shkoni në repartet ushtarake dhe shikoni sa mirë e bëjnë atje këtë punë. Edhe për rrethet asnjë pengesë nuk duhet të ketë, mendoj unë, nga ana materiale, pse kudo ka mundësi të ngrihen tabella për publikun jo një, po njëmijë e një. Kjo është njëra anë. E dyta është pastaj çështja e paraqitjes, mbasi edhe kjo ka rëndësinë e saj, pse fletë rrufetë tani dalin me letra të ndryshme nga madhësia me shkrime të ndryshme, cai bëjnë me shkronja të vogla, ca me të mëdha etj etj. Për këtë qëllim, mendoj të kemi disa qendra të posaçme ku të ketë letra të prera në format të madh, të ketë furça të holla, të trasha e me të trasha, ngjyrë kine të zezë, të kuqe etj etj. Në këto qendra që do të bëhen të njohura për të gjithë, të ketë mjete për të shkruar, në mënyrë që çdo njeri që do të dëshirojë të bëjë një fletë rrufe, të drejtohet atje dhe ta shkruajë. Në rast se do të qëllojë që ndonjë të mos dijë të shkruajë bukur, mund të ngarkohen në këto qendra nxënës të shkollave ose të rinj e të reja të disapozuar të shkruajnë ç’ka do t’u diktohet dhe këtë punë të bëjnë me enthuasiazëm të madh, vullnetarisht. Pra, në këto qendra na duhet të kemi të gjithë mjetet e nevojshme që nga tavolina, penat, xinat, furçat, nga më të ndryshmet, bojë, letër me formate të caktuara etj etj ku siç thashë qytetarët, bile edhe ata që mund të mos dinë të shkruajnë të drejtohen për të shkruar mendimet e tyre kritike, sugjerimet e propozimet për probleme të interesit të përgjithshëm.

Kam parë tabllon me fletë rrufe të shkollës 12 vjeçare “NaimFrashëri” të Durrësit. Ajo ishte një gjë shumë e bukur, shëmbullore mund të themi, që të tërheq shumë. Fletë rrufe në këtë tabllo janë të shkruara me shkronja të mëdha e të vogla, sipas rëndësisë së problemit që trajton secila. Të tilla mund të bëhen edhe në qendrat që përmenda. Përveç nxënësve që do të vihen të shkruajnë vullnetarisht, aty mund të ngarkohet të punojë edhe ndonjë anëtar partie, i cili të kujdeset që, pa ndërhyrë në ato që don të shkruajë qytetari, kur të shikojë fjala vjen se ai dëshiron të kritikojë një person për këtë ose atë çështje dhe nxënësi fillon t’i shkruajë si dëshiron, komunisti mund ta këshillojë që po të dojë dhe për ta bërë me të plotë idenë e tij kritike, të shtojë edhe këtë ose atë mendim që do t’ia plotësojë më mirë idenë që qytetari dëshiron të shprehi në fletë rrufenë e tij. Kështu kjo do të marri formën që duam ne, kritikën e bën vetë qytetari po edhe komunisti e ndihmon që në fletë rrufe të futën ide politike, morale etj natyrisht, siç thashë, në rast se këtë do ta pranojë qytetari që dëshiron ta nxjerri. Mbasi merr fund kjo punë, atëherë fletë rrufeja ngjitet në mur. Një punë e tillë ka rëndësi të madhe, pse ka të bëjë me edukimin e masave dhe zëvendëson njëmijë herë më mirë gazetën e murit.

Por kjo nuk do të ishte një punë e mjaftueshme. Është e nevojshme që organizata bazë e partisë në qendrën e punës, në kooperativën bujqësore, në instuticionin apo lagje të bëjë përgjithësimin e të gjitha flet-rrufeve që vihen. Për këtë qëllim shoku i ngarkuar për këtë punë nga organizata e partisë duhet t’i lexojë fletë rrufetë çdo mëngjes, kudo ku janë vendosur, të reflektojë mbi sa është shkruar në to dhe pastaj të pregatisë një fletë rrufe me emër ose anonime, me anën e së cilës të nxirret konkluzioni i përgjithshëm moralo-politik i fletë rrufeve të lexuara. Kjo fletë rrufe me vlerë përgjithësues të vendoset në një vend gjithashtu të caktuar, që do të bëhet e njohur, ku të venë ta lexojnë kushdo që do të dëshirojë. Pastaj, kur në lagje ose në qendrën e punës të bëhet mbledhja për shqyrtimin e problemeve të veçanta që ngre çdo fletë rrufe, e vendosur në territorin përkatës, ata që do ta drejtojnë mbledhjen, do të kenë edhe orientimin e partisë që do të jepet në fletë rrufenë përgjithësuese.

(AQSH, F. 14, V. 1967, D .21)

http://www.standard.al/2013/03/02/fleterrufete-nje-menyre-e-organizuar-per-denigrimin-e-qytetarit/