Fjalët e Papës Gjon Pali II për shenjtoren shqiptare: Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë

Lidhur me prejardhjen dhe përkatësinë e Nënë Terezës, janë kuptimplote e vendimtare fjalët që tha për të Papa i madh Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij historike më 25 prill 1993, në Shkodër, në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, kur nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës, Ati i Shenjtë Wojtilla i drejtoi një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Shën Gjon Palit II ripohuan përfundimisht, para mbarë botës, origjinën shqiptare të Ganxhe Bojaxhiut, të Shën Nënë Terezës. Ja fjalët e Papës Wojtila: 

Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!