Fjalët e fundit të martirëve dhe meshtarëve të Kishës Katolike Shqiptare: Rrnoftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia!

“Shqipnia – Kombi i Biblës” – Nanë Tereza

Libër i Ndërgjegjes të Kombit Shqiptar
Këmbanë që s’ndalet!
Memoria e Kombit Shqiptar
II

Pak nga numri i madhë i Martirve Meshtarë

Unë nuk kam pasqyrue gjithë numrin e Martirve të Fesë në pamundsi, por vetëm disa, që si qëllim kisha ta prekja këtë Pishtarë të Pashuem. Shpresoj se dikush ka me ba nji libër të plotë. Dhe në thelbë i kushtoj randsi që historisë shqiptare ta pasuroj me fakte e jo me dokrra të historisë shqiptare që ende nuk ashtë rishkrue sipas FAKTEVE REALE.

Don Gjon Gàzulli

„…5 Mars 1927, pa arrijtë në orët e para të atij mengjezi, kur Don Gjonin, pa dalë drita, e vari në Fushen e Druve, mu në qender të qytetit të Shkodrës, me një paramendim të caktuem, që Zogu me këte veper donte me i tregue Klerit Katolik dhe mbarë Popullit të Veriut dhe Shkodres, se “ky asht fillimi i asaj që do të ju baj ma vonë nëse çoni krye prap kundër meje!!”
„..fjala e fundit e Don Gjonit, para heqjes së stolit tregon ma së miri se kush kje Ky Prift, që burrnisht vdiq pa iu tutë syni, edhe pse nuk ishte ma shumë se 34 vjeç: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”. Fritz Radovani. Vllaznit Gàzulli dhe “Peshorja e Drejtsisë” Shqiptare.
Ishte urrejtja fetare e antishqiptarve ajo që tërbimi ishte i pamëshirshëm ndaj të rinjve e të moshuarve meshtarë. Pandi Kristo, antar i Byrosë Politike të KQ të PKSH, Shef i Shërbimit Sekretë, ministër pohon në burg se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!…” Fritz Radovani „Një monument nën dhe“

Dom Lazër Shantoja
2.IX.1892 – 5.III.1945

Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën… Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme. Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J. Alibali d.v. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”
Urrejtja karshí tij kje aq e madhe sa i thyene e i lanë m’u kalbë gjymtyrët e trupit. Kur i shkon e ama me e takue, i kerkon që t’i napin fund dhimbjevet. E gardiani gjuen pjesen që kishte mbet e pushkatueshme. Ja se si e përshkruen gjendjen fizike para pushkatimit ë Dom Shantojës, bashkëvuejtsi, Xhemal Alimehmeti me këto mbresa: Me ta marrë vesh se ishte si të thuash “përgjegjësi“, Dom Lazri ju drejtua: “Ju lutem më vrisni, mos më lini ma gjatë në këte gjendje”, por përgjigja e tij, gjithë kërcënim, ishte: “kjo nuk është puna ime!”
Nuk më janë ndarë gjithë jetën ata dy sy. I hodhën ashtu si dy thasë aty poshtë në bodrum. Dom Lazri ishte i mbështjellur në një thes dhe vetëm kokën kishte përjashta. E, në atë kokë të deformuar nga torturat, kishte dy sy të dalë që nuk munda t’i harroj gjithë jetën. I qelbeshin këmbët. “Kujdes atë”, fliste me zor Sulço Begu. “Kam disa javë që flej me koken time tek këmbët e tija të kalbura. E kanë torturuar keqas me hekura të skuqur”. Të nesërmen nuk i gjetëm më aty, i kishin varrosur”.

Don Ndre Zadeja
3.XI.1892 – 25.III.1945

Don Mikel Koliqi, atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin, … ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”
Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër. Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, çka të baj ma shumë për ty?!”.

 

Dom Nikoll Gàzulli
26.III.1893 – 2.II.1946

”E vranë me 2 shkurt 1946. Të njejtat fjalë Dom Nikollë Gàzulli ua tha edhe malësorëve të Shkrelit më 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte kthye në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!” ”Tre vëllaznit Gàzulli nën rrasën e randë të harresës …” Fritz Radovani

At Anton Harapi O.F.M.
(5.I.1888 – 20.II.1946)

At Anton Harapi ka le në lagjen e Shirokës të Shkodrës. Personaliteti i kulturës, i politikës dhe i fesë thoshte: “Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetarët e dinë fort mirë se kurr nuk i trathtova. Me ta vuejta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do t’vdes. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”.
At Anton Harapi, në gjyqin e Tij, në shkurt të vitit 1946: “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet”. Fjalët e fundit të At Anton Harapit para pushkatimit: “Lumninë e jep vdekja, kunoren ia ven vorri!”(Kjo frazë prej Fritz Radovanit).
Frati i përvujtë, por krenar, hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë–herë kindet e zhgunit, për të mos u stërpikë nga balta që shkelte. Një prej ekzekutorëve i tha: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue”. Ai e shikoi dhe reagoi me qetësi e kthjelltësi: “Atje tek shkoj, biri im, due me shkue i panjollë, siç kam kenë tanë jetën!”
”Madje një herë gjatë takimit të Ambasadorit Jugosllav Jozef Gjergja me Enver Hoxhën ky i fundit shënd e verë i kishte thënë: “E mbytëm P.Anton Harapin e me të kemi plagosur për vdekje Klerin Katolik”, por diplomati i vjetër panserb do t’i përgjigjej: “Po… por keni ende gjallë Padër Gjon Shllakun, që peshon shumë”. E këtë fjalë përkthyesja ja kishte thënë të shoqit në shtëpi, që kish qëlluar ish-nxënës e admirues i At Gjonit dhe që kishte gjetur rrugën për t’ia çuar në vesh. Ja pra se pse priste radhën At Gjon Shllaku, edhe pse pa ditur se ku mund të shpërthente “faji”. Dr. Prof. Pjetër Pepa

Padër Gjon Shllaku
27.II.1907- 4.III.1946

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë). Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946, që u shue jeta e Padër Shllakut. “Tashmë e kam rradhen unë, por mjerisht s’jam i pari as i fundit. T’i lutemi Zotit të na japë forcë e guxim për të përballuar martirizimin”, do t’i thoshte miqve të vet P.Gjon Shllaku. Para plumbit thotë këto fjalë të fundit më 4 mars 1946: ”Lamtumirë m’i thoni shokëve Françeskanë dhe të gjithë të njohurve. Rrnoftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia.”

Padër Daniel Dajani
2.XII.1906 – 4.III.1946

Patër Danjel Dajani: ”I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.” Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë). Më 4.III:1946 u ekzekutue Padër Dajani.

Padër Giovani Fausti(Gjon Fausti)
19.10.1899- 4.III.1946

Patër Giovani Fausti italian: ”Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë). Më 4.III:1946 u ekzekutue Padër Dajani

Seminarist Mark Ndoc Çuni
30.09.1919-.4.III.1946

Mark Çuni nga Bushati : ”I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnija!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)

At Bernardin Llupi

7.II.1886 – 1946

Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme… Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: – Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë, aq sa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Atdheun Nanë, ….Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm, sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!”
”At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: – Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me vëllaznit e mijë.….ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit. Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…Mbas të shtimeve të automatikve të serbve – kosovarë, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri… Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.”Fritz Radovani, ”Një monument nën dhe”.

Dom Mark Gjani
10.VII.1909 – 21.III.1947

Dom Mark Gjani, tue e torturue, i kerkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: “Rrnoftë Krishti Mbret!” Vdiq i varun nder shpatulla, tue ia hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue.”

Don Dedë MAÇAJ
(5.II.1920 – 28.III.1947)

“E çuen jashtë zonës ushtarake në një lëndinë pranë Vjosës. I hoqën petkat, siç banën me Jezusin në Golgotë, dhe një skuadër qitësish qëlloi mbi të. Por ai nuk ra përtokë. Qëlluan përsëri mbi të dhe përsëri Dom Deda qëndroi në kambë. Xhelati, i tërbuem nga inati, prej faktit se nuk kishte mundur ta shtrinte për tokë me një të goditun të vetme atë vigan, dha urdhën që të qëllonin për të tretën herë. Por këtë herë ai nuk arriti të qëndronte!
“Ja ku po e them para Zotit tonë, që shpejt ka me më pritë, dhe para gjithë jush, ushtarë të shtrejtë, që po më vrasin vetëm per shkak se urrejnë Fenë Katolike. I tham këto fjalë pa ligsi dhe pa urrejtje per ata që do t’më pushkatojnë!
Rrnoftë Krishti – Mbreti Ynë! Rrnoftë PAPA! Rrnoftë Shqipnia!”
U rrëzue dhe përshëndeti tokën nanë, e cila u skuq me gjakun e tij”.

Atë Serafin Koda, O.F.M.
25.IV. 1893 – 11 maj 1947

Lindi në Kosovë. U arrestua ne kuvendin françeskan të Lezhës nga forcat e Sigurimit: ishte dita e emrit të tij, 12 tetor 1946. E torturuan duke e futur në një fuçi me ujë deri në fyt. Ia ngulën aq shumë thonjtë në fyt sa ia shqyen gurmazin si dhe i dolën venat nga fyti. Atë Serafini iu drejtua Zojës me këtë lutje: – O Zojë, baje shpejt punën tënde! . Nën kujdesin e Manastirit “Shenjtja Kjarë” – Klarise – Shkodër

At Bernardin Palaj
2.X.1894 – 8.XII.1947

At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë Dul Rrjollit e Fadil Kapisyzit, mbasi nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër dhe e torturonin me rrymë elektrike,… Fritz Radovani, ”Një monument nën dhe”.
Në 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër. E lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi.

Padër Çiprian Nika
19.VII.1900 – 11.III.1948

Françeskani P. Çiprian Nika lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900. „Por unë kam një mision në këtë mes ma shumë se të tjerët. Më duhet të ndez dritën ku do qi asht shue ajo. Vuajtja sigurisht qi nuk asht e lehtë, por tue me shikue drejt në sy më tha: “Asht e vetmja e mirë që më ka mbetë por vuejtja o bir e ban ma fisnike fitoren e korrur”. Pak muaj ma vonë ky Bir i denjë i shën Françeskut rreshtohej në vargun e gjatë të martirëve të fesë katolike.“ Prof. Sami Repishti(dëshmitar i burgosun i orëve të fundit të pushkatimit në qeli të Padër Nikës). Fjalët e tij të fundit të shkruara në proçes-verbalin gjyqësor kanë qenë: “Rrnoftë Krishti Mbret! I falim anmiqtë tanë. Shqipnia nuk vdes me ne!” Më datën 28.XII.1947, trupi gjykues me Kryetar Misto Bllaci, anëtar Bastri Beqiri dhe Anastas Koroveshi, sekretar Tish Tukja, dha vendimin për At Çiprian Nikën “me vdekje me pushkatim”. Vendimi u ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 05.00 në mëngjez pranë vorreve të Rëmajit, në Zallin e Kirit në Shkoder.

Imzot Frano Gjini
20.II.1886 – 11.III.1948

IMZOT FRANO GJINI (Ipeshkëv ‐Abat i Mirditës, në Orosh) Lindi Në Shkodër, Më 20 Shkurt 1886. Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor Të Shkodrës, Kurse studimet Teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua Meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak. Në Vitin 1930 U shugurua Ipeshkëv I Durrësit, seli Që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. U Arrestua më15 nëntor 1946me akuzat “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i Kryengritjes së Postribës”. Pësoi Keqtrajtime dheTortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh, u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rrnoftë Krishti Mbret! Shqipëria Do të jetojë edhe nëse ne vdesim!”. U pushkatua më 11 mars 1948.

At Maté Prennushi
(2.X.1882 – 11.III.1948)

At Maté Kolë Prennushi O.F.M. Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
„Një ditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit me një hekur krimineli Nesti Kopali…Për këte arsye këtij grupi gjyqi i asht ba me dyer të mbylluna në janarin 1948, ku gjykatësi Misto Bllaci i dha “dënimin me vdekje me pushkatim”. Asht ekzekutue me 11 Mars 1948, ora 5, në Zallin e Kirit në Shkodër e as sot nuk dihet vorri me Eshtnat e Tij. Në fjalen e fundit para ekzekutimit ka  thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnija! U baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Proçes – verbal në Dosjen nr. 1302/II A, Arkivin M.P. Mbrendshme Tiranë, 1998)” Fritz Radovani

Emzot Vinçenc Prennushi O.F.M
(4.IX.1885 – 19.III.1949)

Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty). Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Don Marin Shkurti
(1.X.1933-1.IV.1969)

Don Marin Shkurti, ka lé në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit Buna, jo larg qytetit të Shkodres. Me daten 1 Prill 1969, me urdhen nr. 620, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ekzekutohet me pushkatim, kur ende nuk ishte as 36 vjeç… Në fjalën e fundit Ai tha: “Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!”.

Don Mikel Beltoja
17.IV.1935 (Thuhet se vdiq)më 10.II.1974

Pohon Laura Keqi kur ishte në qeli….mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra mu mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta, se nuk dinë çka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand, Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, ndër duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!…” Ai iku në Mbretni të Qiellës…
Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Don Mark Hasi
1920 – 1981

Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte fatziu Don Mark. Fritz Radovani ”Një monument nën dhe”.

At Donat Kurti
3.IX. 1903 – 10.XI.1983

Donat Kurti lindi në Shkodër dhe ishte etnolog, folklorist, e albanolog, gjuhëtar, poet, piktor e muzikant. Prof. Eqerem Çabej do ta çmojë lart për zbulimin e përsonazheve si Dedalia, i cili i përngjan aq shumë Odiseut me bëmat e tij.
Sipas zotnisë Anton Ashtës
Në sa po jepte shpirt ky njeri i bekuem, la amanet vetëm tri fjalë:
“Dashni!, Vllazni!, Mëshirë!” Ishte mesazhi i fundit i shpirtit të tij fisnik, mesazhi i një dijetari të martirizuem, që e deshti aq shumë popullin dhe atdheun e vet e që për ta arriti deri në flijim… Anton Ashta, Prill 2002.

Patriotë antikomunistë që ishin bashkë me Meshtarë

Qerim Sadik Myftari
12.2.1919. – 4.III.1946

Qerim Sadiku nga Vuthaj, Guci, I biri i Sadikut e Lenës, nga Gucia e Kosovës, ka lindur në Vuthaj-Shkodër
: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnija!
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)

Gjelosh Lulashi
2.IX1925 – 4.III.1946

Gjelosh Lulashi ishte oficer, me shërbim Sekretar në spitalin ushtarak, djal i bajraktari të Shoshit Dukagjinit: ”Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!”
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë)

Major Gjelosh Luli
(1908 – 31.XII.1946)

”Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi do të merrte malet, mbasi u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, dhe mbasi puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!” – dhe e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste!” Fritz Radovani

Prekë Cali
(1872-1945)

”Malësorin Trim të Maleve të Kelmendit, Burrin Legjendar dhe Atdhetar Prekë Calin, e pyeti diktatori Mehmet Shehu, kur e arrestuen: “E more Prenkë Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne! Po, pse bërë kështu?” dhe, trimi legjendar i përgjegjët burrnisht: “Zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!” (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, Dosja P.Cali, 1998.)Fritz Radovani.

Ndue Pali
1922- 15.VII.1945

Ndue Pali, vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i Mrikës Gjelosh Vatës. Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
Ndue Pali: ”Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike! Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.” (Fritz Radovani, Një monument nën dhe”)

Kur do të lexohet Libri i Ndërgjegjes të Kombit Shqiptar?

Gjithë këta Lisa Viganë të hedhun në krematoriumin e hetuesive padrejtsisht i mbyllën sytë me dinjitet e shpirtmadhësi duke falë barbarin shqiptar, që të ishte i lirë nga ky veprim, por jo se t’ua mohonte heshtjen dhe pendesën e tyne. Ku asht ndërgjegja e kombit? Pse heshtë me kaq tirani ndaj atynë që për Atdhe, Dije e Fe flijuen gjakun e fundit? Bukur fort e përcakton në sentencën e tij At Gjergj Fishta“ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
Me të drejtë shprehë një brengë të thellë, shkrimtari z.F.Radovani: ”Përse? Sepse në Shqipni asht politika ajo që përcakton edhe vlerën e figurave historike. E, po qenë nga Veriu, veçanarisht priften katolikë, bahet gjithçka me i lanë në hije. Një gja të tillë në vitet ’40-’50 ua kërkonin edhe Beogradi e Moska. Po sot? Në pushtet janë po ata që i varën apo i pushkatuen, ose bijtë e tyne, nipat.”
Duan apo nuk duen Fjalët e Fundit të Martirve Meshtarë Katolikë janë Këmbana që s’pushojnë dhe Libri i Ndërgjegjes të kombit shqiptar!

Shënim
Me dashtuni, krenari e me dhimbje të madhe jo për Vetmohimin e tyne për një Shqipni të lirë e demokratike me Fe e Dije, por për Heshtjen e Mesazheve paqsore, vllaznore të Martirve Shqiptar i shënova disa rrjeshta falë punës titanike të shkrimtarit Fritz Radovani dhe disa autorve të nderuem të tjerë.¨

Pergatiti: Bep Martin Pjetri