Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive

Këtë takim të dy qeverive tona, po e mbajmë në qytetin e Korçës, qendrën e Rilindjes sonë Kombëtare, të shkollës së parë shqipe të hapur këtu e 130 vjet më parë dhe poashtu në 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky vit, është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, i shpallur nga Qeveria e Shqipërisë dhe nga kryeministri Edi Rama.

Ky vit pasqyron dhe përmbledh në vete, ëndrrën tonë euroatlantike, të cilën më së miri e realizojmë së bashku.

Shfrytëzoj rastin, që në këtë takim të dy qeverive, të sjellë disa të arritura të Qeverisë së Kosovës në këtë kohë të shkurtë.

E para që dua të vërtetojë, është se agjenda evropiane e Kosovës, është integruar dhe tani është program qeverisës i Kosovës.

Njëkohësisht, po punojmë bashkë me partnerët në një agjendë shumë të vlefshme për ne, e që është anëtarësimi në NATO, aftësimi i Forcës sonë, dhe sot e shënojmë Ditën e Forcës së Kosovës.

Jemi serioz, po punojmë me partnerët tanë dhe besoj se jemi në drejtim të duhur dhe me kohë do të kemi transformimin e Forcës sonë, në Forca të Armatosura të vendit.

Ne i kemi kushtuar rëndësi forcimit të rendit dhe ligjit, veçanërisht në dhënien më shumë fuqi në bazë të mandatit ligjor, të gjithë mekanizmave të rendit dhe ligjit.

Kemi përkrahur Këshillin Gjyqësor, atë Prokurorial, mekanizmat tjerë dhe mund të them se sot në Kosovë, parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj.

Ajo që mbetet sfidë për Kosovën, është luftimi i korrupsionit, një e keqe e re, e cila rrezikon Kosovën në shumë drejtime.

Ne kemi punuar dhe po punojmë në ekonomi. Jemi fokusuar në veçanti për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, me politikat fiskale që janë lehtësuese për ta, por poashtu edhe me një ofertë ose pako të normativave edhe ligjore dhe zvogëlimit të burokracisë për të bërë biznes në vend.

Ajo që na mbetet për të bërë më shumë punë në të ardhmen, është logjistika, pra lokacionet për investime dhe njëkohësisht infrastruktura e nevojshme.

Po punojmë në forcimin e Kosovës në planin e brendshëm, edhe pse Kosova ballafaqohet me shumë sfida, disa prej të cilave janë specifike për shkak të jetës jo aq të gjatë si shtet dhe çështjeve ende të pambyllura.

Mirëpo, ajo që dua të them, është se jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por tani, dialogun e mendojmë në momentet finale dhe mendojmë se epilogu i tij, duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që, dialogu të arrijë epilogun e duhur, e shohim të nevojshëm pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në planin rajonal, ne jemi të interesuar që të lehtësojmë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, me republikat rreth nesh dhe besoj se kemi dërguar sinjale të duhura dhe këtë do ta bëjmë në vazhdimësi.

Në planin ndërkombëtar, Kosova ende është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, nëpër organizimet ndërkombëtare, në marrjen e njohjeve, dhe këtu dëshiroj që të kërkoj edhe apeloj se vetëm së bashku, mund të ndihmojmë Kosovën në këto procese që janë me rëndësi për forcimin e pavarësisë sonë.

Ne, duke punuar për ta forcuar Kosovën, e forcojmë respektin për vetveten, mirëpo edhe vetëbesimin tonë, sepse vitin që vjen jemi 10 vjet shtet.

Forcimi i Kosovës dhe forcimi ynë në Ballkan arrihet ose përshpejtohet më mirë me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Andaj, puna e mirë që keni bërë, i nderuar kryeministër, për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe sot, mundësia që të nënshkruajmë 12 marrëveshje dhe protokolle dhe njëkohësisht puna e bërë dhe e avancuar, që do të çoj në një të ardhme të afërt deri në unifikimin e doganave, mendoj se na bënë për t’u krenuar, por nuk mjafton.

E di që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, presin më shumë nga dhe ne nga këtu do të vazhdojmë me punët që na presin dhe që janë shumë.

Me punë nderojmë sakrificën për liri të të gjithë brezave dhe me punë nderojmë përgjegjësitë që kemi dhe vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë.