Fishta në shtratin e vdekjes,Marubi fotografoi ceremoninë mortore. 77 vite nga vdekja e Homerit shqiptar

Më tej fotografi ka fiksuar çaste të tjera gjatë nderimeve të fundit në Kishën e Françeskanëve në lagjen “Gjuhadol” në Shkodër. Arkivoli i gdhendur me zbukurime gjendet mes qirinjsh. Përrreth njerëz pafund. Në ceremoni mijëra vetë kërkojnë të fiksojnë imazhin e fundit të Padër Gjergjit, priftit me zemër të madhe, patriotit ku kishin shenjuar shpresat, poetit të shndërruar në udhëheqësin shpirtëror të tyre.

Njëra prej tyre është një fotografi e fiksuar nga lart. Në mes duket trupi i pajetë i At Fishtës e përreth tij priftërinj dhe xhakonj veshur me të bardha, ndërsa kryejnë ritet e meshës. Pas tyre qindra njerëz që luten në heshtje.

Më tej marubi ka fiksu edhe momente të tjera në qytet gjatë kortezhit mortor….

Disa prej këtyre fotografive u publikuan në një botim të vitit 1943,  në shenjë përkujtimi, me referate, esse, studime e analiza mbi jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës, nga studiuesit më në zë të kohës. Tre vjet pas vdekjes, si një shenjë përkujtimi, ky libër u përgatit nga At Benedikt Dema, një ish-nxënës i Fishtës nën titullin “At Gjergj Fishta”.

Në këtë botim mësojmë edhe për detaje të rëndësishme nga ditët e fundit të jetës së Gjergj Fishtës.

Në krye të shënimeve të tij Gemelli thekson:

“At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të Provincës Shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur sepse kam punuar për fe, për Atdhe, e për provincën tonë”. Prej këtij momenti, kërkim pas kërkimi, zbulojmë shumë detaje mbi ditët e fundit të At Gjergj Fishtës.

Sipas at Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij, skena nga “Gjyqi  i fundit”. E gjejmë këtë shënim në librin e cituar që në krye.

Këto fjalë të thëna në agoni dy orë para se të vdiste, dilnin nga shpirti i trazuar i poetit dhe shprehnin një ndjenjë gati-gati hyjnore për vetëperfeksionimin e fratit artist.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit  shkruan sërish në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për Fe, Atdhe,  e për Provincën tonë”.

Ky formulim siç duket ishte më i kënaqshmi për të gjithë palët, prandaj u përsërit edhe prej shumë të tjerëve, të cilët e kthyen si porosi për rininë shqiptare. Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i vërtetë i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani, që i qëndronte te koka në çastet e fundit.

“Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”. Gjergj Fishta ishte i ndërgjegjshëm për lapidarin që i kishte  ngritur vetes prandaj i përkiste edhe kombit. Lasgush Poradeci e barasvlerëson këtë thënie me vargun e Dante Aligerit: “… del resto, anche la nazione ha diritti su di me” (fundja edhe kombi ka të drejtë mbi mua), çka do të thotë se shpreh vetëdije të lartë  ashtu si e gjejmë në të gjithë veprën e tij, letrare e shoqërore.

Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë , pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë “jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Të gjithë këto variante e dëshmi të kohës lidhen në të vërtetë mbi thënien e fundit, amanetin që la At Gjergj Fishta, teksa largohej nga kjo jetë. Por dy tre fakte dhe dëshmi tregojnë se At Gjergj Fishta ditët e fundit të jetës së tij i kaloi duke menduar për veprën e tij letrare. Njëra prej dëshmieve tregon idenë për t’iu rikthyer sërish kryeveprës së tij “Lahuta e malcisë”.

Ndërsa në studimin e  Fr. Agustin Gemellit gjejmë këto rreshta:

“At Fishtën e zuri vdekja  ndërsa kishte ndër duar  përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthyer që me kohë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit disa nga ariet e  Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë.

Njoftimi zyrtar i kohës

Në njoftimet zyrtare të kohës njoftohet se Padër Gjergj Fishta vdiq në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkrive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit ku morën pjesë me mijra e mijra vetë nga populli i Shkodrës, midis të cilëve dhe ajka e intelektualve shqiptarë dhe përfaqësues nga të gjitha shkollat e vendit.

Në mes shumë fjalimeve që u mbajtën në ceremoninë mortore të varrimit të tij e cila u bë në shkallët e godinës së Postës që qytetit, erdhën dhe shumë telegrame, ku midis tyre ishin ato të Prof. Eqerem Çabejt, Zenel Prodanit, Spiro Vinjaut, Muharrem Bajraktarit, Rexhep Mitrovicës, Bahri Omarit, Karl Gurakuqit, Frano Alkajt, Mihal Bellkamenit, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit dhe Hafiz Muratit.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com