“Financial Times”: Kryeministri në largim Edi Rama shpreson të rikthehet në zyrë si kryetar i PS-së

Mediat ndërkombëtare raportojnë mbi fushatën elektorale të zhvilluar përgjatë këtij muaji në Shqipëri

Financial Times i ka kushtuar një artikull Shqipërisë përpara zgjedhjeve të 25 qershorit. E përditshmja ndërkombëtare shkruan se kjo votë parlamentare zhvillohet në një atmosferë të shqetësimit ndërkombëtar mbi destabilitetin në rritje në Ballkan, që do të formësojë edhe marrëdhëniet e ardhshme të Tiranës me Bashkimin Europian. “Zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit do të përcaktojnë marrëdhënien e ardhshme të Shqipërisë me Bashkimin Europian”- kështu shkruan gazetarja Kerin Hope, në një artikull për “Financial Times”. Ndërsa citon rastin e një qytetari shqiptar, të cilit i është dashur të përballet me sistemin e korruptuar gjyqësor në betejën për të marrë mbrapsht pronën e tij, artikulli kujton se progresi në fushën e së drejtës së pronës dhe lufta kundër korrupsionit janë mes kushteve të vendosura nga blloku, përpara se Tirana të nisë bisedimet e shumëpritura për integrimin në BE. Kryeministri në largim Edi Rama shpreson të rikthehet në zyrë si kryetar i Partisë Socialiste dhe premton më shumë progres në shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar dhe në përmirësimin e të drejtës së pronës. Sidoqoftë, shkruan e përditshmja, një udhëheqje dy-shifrore mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i garantuar socialistëve një shumicë në parlament. Ndërkohë, sipas gazetares, nxitja e ligjit që synon pastrimin e drejtësisë nga elementët e korruptuar ka shtuar mbështetjet për partinë e Ramës, e megjithatë kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i siguruar shumicën në Parlamentin 140-vendesh. Në administratën në largim, Rama ka bashkëqeverisur në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim të udhëhequr nga ish-kryeministri Ilir Meta, i cili në prill u zgjodh President i vendit. Në vendin e dytë më të varfër në Europë, shkruan Financial Times, ritmi i transformimit mbetet nën dyshim. Fushata zgjedhore është karakterizuar nga akuzat se cila parti ka më shumë përgjegjësi për nivelin e lartë të papunësisë në Shqipëri, që detyron shumë të rinj të emigrojnë dhe ngadalëson ritmin e ndërtimit të një infrastrukture të re. “Financial Times” gjithashtu shkruan se një tjetër pikë e ndjeshme është paaftësia e Shqipërisë për të goditur kontrabandën e drogës dhe krimin e organizuar, teksa kultivimi i kanabisit ka arritur majat në dy vitet e fundit. “Financial Times” vlerëson se këto zgjedhje, ndryshe nga të mëparshmet, nuk janë karakterizuar nga protesta të dhunshme e trazira. Nëse vëzhguesit ndërkombëtarë gjykojnë se votimi do të zhvillohet pa probleme, kjo do të rrisë shanset që Shqipëria të fillojë bisedat e anëtarësimit në fund të këtij viti dhe t’i bashkohet familjes europiane. Financial Times e mbyll shkrimin duke thënë se pranimi në BE shihet si rezultat i pashmangshëm nga udhëheqësit politikë të Shqipërisë, por duket se asnjë nga palët nuk është nxituar për të arritur deri atje.