Filmi “Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, prezantohet në Pragë

Filmi dokumentar “Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, që vjen si dëshmi e kontributit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, u prezantua në mjediset e ambasadës shqiptare në Pragë.

Përmes intervistave me hebrej, të strehuar e mbrojtur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që aktualisht jetojnë në Izrael, SHBA e gjetkë, në dokumentar theksohet se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë hebre nuk u dorëzua tek pushtuesit, asnjë hebre nuk u vra. Po kështu evidentohet fakti se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, ku numri i hebrejve në përfundim të luftës u dhjetëfishua – nga 200 arriti në 2000 vetë.

Filmi përfundon me thënien biblike të Joanna Neuman, e cila i mbijetoi holokaustit pasi u mbrojt nga një familje shqiptare. “Nëse dikush shpëton një jetë njerëzore është njëlloj sikur të shpëtosh një popull të tërë. Fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e mi sot nuk do të ekzistonin, po të mos ishte familja shqiptare që na strehoi dhe na mbrojti.”

Të pranishmit mbetën të surprizuar nga kjo “mrekulli shqiptare” siç u shprehën shumë prej tyre, që as edhe një hebre i vetëm nuk iu dorëzua pushtuesve. Ata vlerësuan kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ata theksuan se dokumentarë të tillë janë tepër aktualë dhe duhen bërë të njohur sa më shumë në Evropë e SHBA, pasi është i shumtë numri i atyre që nuk dinë asgjë për mrekullinë shqiptare të mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur holokausti shfarosi miliona hebrej.