FILMI DOKUMENTAR/ “Të fundit në Alepo” sjell sakrificat e Mbrojtjes Civile Siriane, të njohur si Helmetat e Bardha

Në Aleppo të Syrisë, ndërsa regjimi i Assadit është duke shkatërruar qytetin dhe jetën e banorëve të tij me bomba dhe sulme ajrore, shumë civilë rrezikojnë jetën gjatë përpjekjeve për të shpëtuar të plagosurit dhe për të nxjerrë trupat e të vdekurve nga rrënojat. Që nga viti 2013, këta vullnetarë, njerëz të profesioneve të ndryshme, kanë krijuar grupin e Mbrojtjes Civile Siriane, të njohur si Helmetat e Bardha. Producenti sirian i filmave Feras Fayyad na sjell një dëshmi të veçantë të sakrificave të tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou bisedoi me producentin dhe na sjell hollësi nga dokumentari i titulluar “Të fundit në Alepo”.

Në mes të rrënojave, Khaled, anëtar i grupit Helmetat e Bardha, i martuar me dy fëmijë, është një nga njerëzit e fundit që kanë mbetur në Aleppo, duke u përpjekur të nxjerrë trupat e të plagosurve të mbetur nën rrënojat e ndërtesave të rrëzuara nga bombardimet e vazhdueshme të regjimit të Assadit, nga rusët dhe ISIS.

Shumica e viktimave janë fëmijë, thotë producenti sirian i filmave, fitues i disa çmimeve, Feras Fayyad:

“Kudo sheh shkatërrim, shtëpi me familje brenda, ka njerëz që luftojnë për vlera të përbashkëta. Askush nuk vepron dhe sirianët ndjehen të zhgënjyer”, thotë regjisori Feras Fayyad.

Filmi “Last Men in Aleppo”, “Të fundit në Alepo”, përqëndrohet tek ata sirianë, të cilët zgjodhën të qëndrojnë në vendin e tyre.

Dokumentari i Fersa Fayyad-it ëshët një akuzë për krimet kundër njerëzimit. Por edhe një dëshmi pro njerëzimit. Në mesin e shkatërrimeve, njerëzit përsëri gjejnë gëzimin e jetës mes miqve dhe familjes. Khaled ndërton një akuarium me peshq për fëmijët e tij.

Fersa Fayyad, në bashkëpunim me Qendrën Mediatike të Aleppos dhe disa gazetarë, që kontriubuan tek ky film, rrezikuan jetën e tyre gjatë regjistrimit të operacioneve të përditshme të Helmetave të Bardha në Aleppo.

“E fillova filmin me idenë se lufta u sjell njerëzve shumë të këqija, por njëkohësisht nxjerr në pah virtytet e tyre më të mira.”

Sot producenti i filmit jeton në mërgim. Ai u fut dy herë në burg nga regjimi i Assadit dhe do të përballej me vdekjen në se do të kthehej në Siri.

“Unë kam ndjenjën e zemërimit për rusët, natyrisht. Jam i zemëruar për vrasjen çdo ditë të sirianëve nga regjimi. Tani qëndroj këtu në studio, ndërsa atje vazhdojnë bombardimet shumë pranë zonës ku jetojnë të afërm të mi dhe unë mund ta humb në çdo moment familjen time.”

…Dhe ndërsa filmi përqëndrohet tek ata sirianë që zgjodhën të qëndrojnë në vendin e tyre të shkatërruar nga luftimet, ai na ndihmon gjithashtu të ndjejmë për peripecitë e atyre që largohen. Gjatë xhirimit të dokumentarit, Khaled – ashtu sikurse shumë të tjerë, u vra ndërsa përpiqej të shpëtonte fqinjët. VOA