Filmi “Agnus Dei” një tragjedi familjare që rremben trofeun e Illinois Independent Film Festival në Çikago

Filmi “Agnus Dei” fiton çmim në Çikago. Në edicionin e Illinois Independent Film Festival, që ka përfunduar në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar e regji të Agim Sopit, ka fituar çmimin e regjisorit më të mirë /Best Director/. “Agnus Dei” shfaq dramën e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse shtjellon fatin e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave, i cili bënë një jetë të dëshpruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në Serbi. Petri ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit. Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri shtyhet nga e ëma dhe rrethi që të shkojë në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet, Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit. Gjatë raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën. “Filmi im trajton përsëritshmërinë e mitit antik. Sikurse e dini, para kohës së Krishtit, ishte traditë që njeriu të sakrifikohej për nder të Perëndisë. Kurse Hyu Krisht, përmbysi këtë traditë. Ai u sakrifikua për njeriun. Prandaj kristianizmi lindi si religjion me fytyrë humane. Por në këtë inversion mitik, shpeshherë gjërat ngatërrohen dhe njeriu sërish kërkon ‘qengjin e sakrificës’ që në realitet është njeriu-kurban. Pikërisht, ky njeri është kryepersonazhi i filmit tim. I destinuar që të sakrifikohet. Jo nga paralajmërimet hyjnore, por nga mëritë njerëzore”, tregon regjisori i njohur Agim Sopi. Filmi “Agnus Dei”, i cili deri më tani i ka sjellë Kosovës 86 çmime kinematografike, ditëve në vijim do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare në SHBA, Kanada, Meksikë e Evropë. “Agnus Dei”, gjatë muajit gusht, do të ketë nderin të hap Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pekin të Kinës.