FESTA E FITORES SE PS/ Rama: Shqipëria foli troç, tepsia do shkojë për skrap një herë e përgjithnjë

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.

Në një miting festues në sheshin “Skënderbej”, Rama ka falënderuar qytetarët që kanë votuar PS-në si forcë të vetme qeverisëse, duke theksuar se tani është momenti për të reflektuar që ta bëjë Shqipërinë më të mirë.

“Shqipëria ka folur troç, qytetarët kanë zgjedhur të ardhmen dhe Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve kundër politikës së kacafytjeve për pushtetin, jo në interes të qytetarëve, – u shpreh Rama. – Populli ka zgjedhur PS për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qeverisëse dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë dhe jo me shembullin e forcës kundër të tjerëve. Fitoja është e Shqipërisë dhe merita e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.

Rama iu drejtua qytetarëve në të gjithë vendin, duke thënë se e ardhmja që “duam nuk vjen, por arrihet. Barra është e imja në radhë të parë, për të mos harruar për 4 vitet e ardhshme se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam, duke i dhënë fund tepsisë së vjetër, që do ta çojmë për skrap një herë e përgjithnjë”.

27 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)