Fatos Lubonja: Ruani demokracinë duke luftuar për të mos rënë gjithçka në dorën e Edi Ramës

Fatos Lubonja duke folur dje për “Ora News” tha se, “reforma në drejtësi duket absurde, pasi po na e sjellin nga ambasadorët të gatshme për të forcuar një kryegangster si Edi Rama”. Akuza “kryegangster” për Kryeministrin ishte akuzë e rëndë e Lubonjës.
Ai tha se ky Parlament që është i kriminalizuar nuk mund të bëjë reformë në drejtësi pasi nuk mundet vota e kriminelëve të vendos drejtësi. “Ndaj ka nevojë për një forcë të re politike, e cila mund të mos marrë pushtetin, por ruan demokracinë duke luftuar për të mos rënë gjithçka në një dorë siç është Edi Rama, i cili synon të fusë nën kontroll gjithçka. Rama e do reformën të fusë në burg disa dhe jo për popullin”, deklaroi Lubonja.
Fatos Lubonja sulmoi në intervistë ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili si dikur ish-ambasadori Rajerson ndihmoi dhe doli hapur përkrah Berishës, të cilin më pas e ktheu në Diktator dhe dihet se si përfundoi Saliu të cilin e përkrahte hapur ambasadori Rajerson. “Ndaj nuk i besoj ambasadorit Lu”,- tha ai.
“Edi Rama është i rrezikshëm ndaj duhet të kemi kujdes,- vazhdoi Lubonja. Ndaj ajo çka ofron ambasadori Lu nuk duhet zbatuar, pasi Rama do të fus në dorë drejtësinë, do të bëjë ca arrestime të mëdha të kundërshtarëve të së majtës dhe kundërshtarë politikë dhe më pas do të vendosë mafien e tij kudo”.
Lubonja shtoi se nuk ka nevojë për Referendum, “pasi Rama do ta manipulojë popullin duke bërë sikur ai po lufton drejtësinë e korruptuar dhe duke ditur se populli  mbetet i ndjeshëm ndaj gjyqtarëve do ta marrë referendumin, por asgjë nuk arrihet për qytetarët, pasi vetëm blindohet Rama si një diktator”.
Ndër të tjera Lubonja tha: Unë jam marrë me reformën në drejtësi, ka shumë aspekte që mund të trajtohen, por një nga shkrimet e mia është titulluar “pse duhet bërë reforma në drejtësi që nuk do të sjellë drejtësi”. Duke u bërë kjo reformë sido që të bëhet shqiptarët do të binden se reformën nuk do t’jua falin as ambasadorët as politikanët, as gangsterët që kanë në krye të pushtetit, por është një çështje që ka të bëjë me shumë aspekte të jetës. Nëse do të miratohet do të çlirohen edhe nga miti se do të na i sjellin amerikanët x apo y.
Më në fund të çlirohemi dhe nga ky mitizim dhe ky manipulim që na bëhet me ambasadorët, me perëndimorët, SHBA apo të tjerë. Ky ambasador më kujton Rajersonin që mori një anë duke menduar që këta janë të mirët dhe këta janë të këqijtë. Mbështeti Berishën pa kuptuar se ishte i njëjti brumë që po gatuante Shqipërinë e re, dhe në fund fare çfarë solli?! Solli një katastrofë. Ai Rajersoni nuk ka kërkuar një ndjesë, e kam thënë këtë, se pse i dha mbështetje pa rezerva.
Është e njëjta situatë që shikoj me këtë mbështetje që i jepet një kryegangsteri si Edi Rama në pushtet që në çdo moment e shfaq hapur atë që drejtësia e pavarur dhe ai janë dy gjëra që nuk mund të bashkëjetojnë.
Ai tha se Rilindja e Ramës na kthen në vitet ‘90. Lubonja ripërsëriti se në Shqipëri duhet të krijohet një lëvizje politike, e cila edhe nëse nuk merr pushtetin, të bëjë presion
“Na del Edi Rama dhe na thotë Rilindje, d.m.th ideja e Rilindjes është si fillimi nga zero, pra fillimi i viteve ‘90. Kemi 25 vjet dhe e humbëm. Tani duket sikur këta duan ta bëjnë me një reformë. Kjo është një iluzion, por që duhet diçka duhet. Unë e kam thënë, duhet një lëvizje e re politike, një bashkim i të gjithë njerëzve që janë lodhur me këtë kastë politike. Një lëvizje politike që edhe nëse nuk merr pushtetin bën presion ndaj këtyre bandave që të kthehen nga banda në parti. Kjo është një rrugë e shkurtër, por është edhe e gjatë sepse në Shqipëri nuk ka mundësi që të lindë një lëvizje e tillë politike.
Unë mendoj që opozita mesa di unë ka një problem të vetëm, problemin e vendeve të rezervuara, pra kush do të bëjë kontrollin e gjyqtarëve. E para nëse do një koment të shkurtër, vetë ideja që gjyqtarët kontrollojnë gjyqtarët është një anomali, edhe ideja që vijën ndërkombëtarët dhe kontrollojnë gjyqtarët është anomali. Opozita nuk ka këtë merak, ka merak të mbrojë vetveten”.
Intervista e dhënë nga Italia me telefon e analistit të njohur Fatos Lubonja është më e forta, më e rrepta dhe më goditëse që është bërë qëkur Edi Rama u bë Kryeministër dhe Donald Lu erdhi si ambasador në Shqipëri. Mbetet të shikohet se si do të jetë reagimi i ambasadorit Lu dhe i Edi Ramës, pasi akuza ishte publike dhe dërmuese,sepse është shumë e rëndë të cilësosh Kryeministrin si “kryegangster” apo Lu si mbështetës të këtij “kryegangsteri”. Ambasadori Lu mbetet një dashamirës i popullit shqiptar dhe një luftëtar i madh kundër krimit dhe mafies në Parlament. E vërteta dihet publikisht se ishte Donald Lu, i cili insistoi hapur që të miratohej ligji i dekriminalizimit në politikë. Pa rolin e ambasadorit Lu nuk do të arrihej të miratohej ligji në fjalë, sepse Edi Rama nuk kishte ndërmend ta votonte.
Akuza e Lubonjës për Ramën dhe Lu ka nevojë për një sqarim të tyre, publikisht. Duhet thënë se Fatos Lubonja sulmoi me të gjitha bateritë dhe bëri “masakër” ndaj tyre.